Selaudin Guma vjen para lexuesve me librin poetik ‘Ligjërimet e pyllit’
Selaudin Guma, me karrierë të gjatë ushtarake ka lexuar tërë jetën, por asnjëherë nuk i shkonte mendja se një ditë do të vendoste që të dilte me një libër poetik.
Tashmë, kur sapo ka kaluar të shtatëdhjetat ai vjen para lexuesit me përmbledhjen e parë të titulluar “Ligjërimet e pyllit” duke shkruar thjesht e lirshëm për njerëz dhe vende që i njeh mirë.
Motivi më dominues në këtë libër poetik është dashuria, së cilës i këndon me ndjenjë dhe figuracion; krijimet e tij enden mes atyre me motive popullore dhe poezisë së kultivuar, por në çdo herë mundohet të përsos mjetet e shprehjes.
Babai, nënë, gruaja, motra, nipi, shoku apo shoqja e punës kanë një përkushtim prej tij, fjalë zemre sepse vetë autori ka një mirësi të madhe që nuk i shter në çdo kohë, madje edhe në mote të vështira.
Megjithëse nga Luzati i Tepelenës, por i vendosur shpejt në Tiranë, ai ka pasur një jetë të larmishme, çka ka bërë të mundur të njohë mirë çdo cep të Shqipërisë.
Guma e do shumë vendin e tij, dashuron me shpirt ata që ka njohur në të gjitha mjediset, por nuk kursehet për të stigmatizuar hileqarët, gënjeshtarët, cmirëzinjtë, njerëzit servilë.
Të zgjedhësh disa qindra poezi në mijëra të tilla, të krijuar kohë pas kohe, brenda dhe jashtë vendit, është një punë e vështirë e megjithatë kushdo që do të lexojë këto poezi do të gjejë diçka nga vetvetja sepse Selaudin Guma i këndon shpirtit njerëzor, mundohet të depërtojë në indet më të imta dhe të zgjedhë detajet më mbresëlënëse.
Dashuria
Dashuria s’është lëmoshë
As për mua dhe as për ty
Është një ndjenjë njerëzore
Mbushur plot me fisnikëri.
Është e drejta e çdo kujt
Dhënë nga ligji i shenjtërisë
Njerëzit vendosin mbi të
Ca pranga të robërisë.
Kujdes
Moj e bukura sykaltër
Nëna të ka larë me hënë
Dielli shumë të ka zgjatur
Zanat zemrën ta kanë dhënë.
Rrugës ecën si kaprolle
Qafëgjatë si shenjëtore
Zemra jote madhështore
Je e larë prej ujë bore.
Pse linde kaq me vonesë
Mbi tokë ke qenë qëmoti
Zoti s’mbledh të mirat tok
Shpirtra njerëzish i ngatërron.
S’do vete unë më në kishë
Në xhami a vend të shenjtë
Të ankohem, s’di ku shkoj
Për këtë padrejtësi sot.
Ja shihni ju, pëllumbeshat
Dy nga dy ato rrinë bashkë
Janë njësoj me pendë të bukur
Edhe këngët kur këndojnë.
S’ndahen kurrë prej njeri-tjetrit
Si arushat gjithandej
Si shenjtorët lart në qiell
Fluturojnë andej-këtej.
Ç’mendon ti moj bukurane
Veten dëm po e çon
Zgjidh në pyllin me bajame
Gjej një lis që lulëzon.
Unë poet, kokëkrisur
Do vij, lisin kur të gjesh
Kurorë me hardhi do bëj
Dhe me lule ta mbush plot.
Me kujdes hidhe hapin
Fushat mbushur lule plotë
Me rubin t’janë lyer flokët
Kij kujdes në çdo orë.
Marie Shllakut
Të lindi nënë lokja në Shkodrën martire
Atje në djepin e e kulturës amtare
Të kojti * me qumësh e gji nënë
Atdheun ta doje tamam si azgane.
U bëre e bukur si zanë e maleve
Vellon kushdo desh të ta hidhte
Po ti mendove për tokën për brigjet
Që vuanin nën zgjedhën serbe.
S’veshe fustane me lule qershie
Rruza, byzylykë, të tjera xhevaire
Veshe uniformën e një luftëtareje
Qylafin në krye me simbol Shqipërie.
Në krahun e njomë hodhe maliherin *
Brezin e stolise me gjerdan fishekësh
Zemrën mbushur me dashuri për atdheun
Për liri e bashkim kombëtar.
Në shkrepa u ngjite siç ngjitet reja
Me shqiponjat atje kuvendoje
Planet e sulmit mbi armiqtë projektoje
Ti Zhan d’Dark, zonjë Kosove.
Luftove si trimëreshat e Arbërit dikur
Si Shote Galica, besnike e mauzerit *
Si Mehemet Shpendi, trim levendi
Si Ded Gjo Luli, e shumë të tjerë…
Qepallat e syve t’i dogji baruti ndër shkrepa
Veshët mësuan melodinë e maliherit
Gishti të zuri kallo nga këmbëza e dyfekut
Mesi t’u rëndua nga gjerdani i fishekëve.
Luftove si sokoleshë për idealin e atdheut
Për liri e bashkim të trojeve etnike
S’le mal pa shkelur, kreshta, lugje, shtigje
Ku këmba e pushtuesit sllav ishte.
Re pabesisht në duart e xhelatëve serbë
Nuk pyetën për moshën e të drejta robërie
Të pushkatuan o bijë e tokës ilire
Kriminelët dushmanë, sllavo-komunistë.
Tradhëtisht të vranë o Laskarina * trime
Të më falësh se dy pikë lotë i qita
Nga zemra jam bir i këtij kombi
Vaditur me gjak, në çdo gur e prag.
E qetë fli Marie, në altarin e trimave
E qetë prehu kryeshenjtore lirie
Zëri yt jehon mbi shkëmbinj e shtigje
Si këmbanë jete, jehonë dashurie.
Kojti: Ushqeu
Maliher: Pushkë gjermane
Mauzer: Pushkë turke e gjatë
Laskarina: Heroinë arvanitase e revolucionit grek.
Pranvera
Motrës sime
E di që është pranverë
Stinë e bukur, plot me dritë
Po unë kam një brengë
Në trup dhe në shpirt.
Dikur kisha një motër
Të vogël dhe të bukur
Dhe unë i mitur isha
Pesë vjeç sa kisha mbushur.
Nëna ime, ndjesë pastë
Ma linte në kujdesje
Sa herë që ajo qante
E tundja në djep dhe qeshte.
Dhe unë ashtu veproja
Nuk di, mirë apo keq
Ku dija unë sëmundje
Me jetë, shpresë apo vdekje.
Kujtoj që ti qaje fort
Se ishe e sëmurë
Po unë axhami isha
Nuk dija nga ato punë.
Të mori babai ynë
Dhe nëna, qoftë në xhenet
Të çuan në spital
Në Tepelenë, në qytet.
Por fati s’ish me ty
Pranvera njëherë vjen
S’kalove dot sëmundjen
Dhe shkove drejt te retë.
Të sollën te pullazja*
Atje ku rrinim vetë
Në Gurrë, në ujë të ftohtë
Atje ku çlodhen retë.
Të kishin veshur bukur
Fustan rozë, me lule shqerka
Se edhe ti ishe si lule
Lule mbete për gjithë jetë.
Të vunë lehtë te banesa
Atje ku do prehesh përjetë
Në krahun tënd një dardhë
Me vello lulesh të pret.
Pranverë ti të quanin
Me dardhën u martove
Ti me vete kishe arkëzën
Dardha të vinte kurorë.
Pranvera, ime motër
Që mbete aty n’zabel
Qëndron zonjushe pranë dardhës
Më mirë për ty do të jetë.
Shpirtin ta di që ka ikur
Shkoi lart bashkë me yjet
Në qiell, në përjetësi
Mes ëngjëjve derë më derë.
Pullaz: Kasolle e lyer me baltë.
Dy fjalë për autorin
Selaudin Reis Guma u lind më 10 Qershor 1951 në Luzat të Tepelenës. Mësimin fillor e kreu vendlindje në shkollën “Nimete Progonati”, ndërsa të mesmen në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë. Studimet e larta i përfundoi me rezultate të larta në 1973 në Fakultetin Xhenjo-Autotransport.
Për 20 vjet punoi në repartin special të Xhenjos. Ka punuar si specialist në ndërtimin e urave tip “Beli” dhe rrugëve dhe urave të varura e ato druri në të gjithë hapësirën e vendit, është njohës i mirë i gjithë relievit shqiptar. Me njohje të gjerë në çdo rreth të Shqipërisë, me miq e dashamirës brenda dhe jashtë atdheut, ai ka marrë mirënjohjen e qindra njerëzve të të gjitha moshave. Shpesh në biseda thuhet “Urat e Selos” sepse anjë prej tyre nuk është rrëzuar dhe të gjitha janë funksionale edhe sot.
Përveç profesionit, një pasion i veçantë ka qenë letërsia dhe ai ka bashkëpunuar me shtypin e asaj kohe dhe ka botuar në gazetat e revistat “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari”, “Hosteni” si dhe në mediat që lindës me ardhjen e demokracisë. Është njohës i disa gjuhëve të huaja, mes të cilave anglisht, frëngjisht, rusisht dhe greqisht. Ka qenë emigrant në Greqi e Francë, por edhe ka vizituar si turist disa vende perëndimore, mes të cilave Italinë, Rumaninë, Bullgarinë, Çekinë, Hungarinë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjen, Malin e Zi, Serbinë, Sllovakinë, Turqinë, Anglinë, etj.
Ka studjuar për një kohë në Budapest të Hungarisë duke mbrojtur anglishten dhe frëngjishten, në kuadër të Shoqatës së Atlantikut të Veriut ku aderon edhe sot.
Ka mbajtur vazhdimisht lidhje me vendlindjen e tij dhe së bashku me dr. Isuf Kalo ka bërë të mundur rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugës së Luzatit. Mban gjithmonë lidhje me shokët e fëmijërisë, mes të cilëve Bashkim e Hysen Shatrafili, Mehmet Çako, Veli Gaxhi, Sefer, Milo e Demir Guma, Aleks Rodi, Hamza Karafili, Qamil Bodeci, Çerçiz Dena, Bektash e Paro Koçi, Platon Kopelli, Mitat dhe Asllan Boni, Muharrem Gjyli, Dasho Kamberi, Hasan e Kasem Xhima, Selfo dhe Selam Muça, Abaz Progonati dhe shumë të tjerë.
Është i martuar me Tatjana Pogaçin nga Plesati i Gjirokastrës dhe kanë dy djem, Sokolin e Marlenin, të dy të martuar. Ky është vëllimi i parë poetik.
Në luftën e Kosovës u aktivizua duke ndihmua e strehuar për tre muaj tre familje nga Peja, Sulejman e Senabije Grabovcki si dhe 14-vjeçarin Memli Besnik Preluci. Së bashku me bashkëfshatarin oficer Hysen Ymeri ndihmoi në përgatitjen e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në atë kohë, bashkë me Besa Çekun dhe gazetarin Asllan Bajrami, ka shkruar mjaft artikuj për “Kosova Press” si dhe në 4 Shkurt 1999, si përfaqësues i partisë “Beslidhja Kombëtare Demokratike e Kosovës” ka përkrahur të gjitha veprimet e UÇK, përfshi edhe marrëveshjen e Rambujesë në Francë.