Albspirit

Media/News/Publishing

Amnisitia fiskale, parajsa e cila të korruptuarit, kontrabandistët, kriminelët i vesh me petkun e ligjit!

Silvana Begaj
Me gjithë respektin për cilindo ekspert ekonomie që kemi në vendin tonë, me gjithë respektin për këdo që ka parë efekte pozitive nga Amnistia Fiskale, me gjithë respektin për ata që e propozuan dhe e votojnë, më duhet të them se:
Amnistia Fiskale nuk do të atdhesojë të ardhurat monetare të emigrantëve, pasi ju e dini mirë se një emigrant shqiptar nuk mund të mbajë poshtë jastëkut 2 milionë euro të fituara nga një punë e pastër.
Ka shumë biznesmenë shqiptarë të cilët kanë arritur një ekonomi të mirë në emigrim, me punë të ndershme dhe të deklaruar dhe s’kanë nevojë për Amnistinë Fiskale të transferojnë të ardhurat e tyre në vendlindje.
Ka dhe shqiptarë që punojnë me djersë ”në të zezë” për arsye dokumentacioni dhe nuk mund t’i deklarojnë të ardhurat, por ju siguroj me bindje se ata nuk flenë me 2 milionë euro poshtë jastëkut.
Por, edhe nëse supozojmë se ekziston një emigrant që në mënyrë të ndershme ka arritur të kursejë një sasi relativisht të lartë parash, por nuk ka mundur t’i deklarojë në shtetin ku punon, si do të bëhet transferimi i tyre në Shqipëri?
Në pikat kufitare nëse ke më shumë se 10 mijë euro cash sekuestrohen menjëherë. Transfertat bankare nëse nuk deklaron burimin sekuestrohen. Transfertat me agjenci transfertash si moneygram, western union etj. kanë një limit.
Pra, logjika të çon që paratë për amnisti janë në Shqipëri ose në parajsat fiskale dhe thjesht do bëhen të ligjshme.
Duke e falenderuar përzemërsisht kryeministrin e vendit që hodhi sytë dhe nga ne të larguarit, dua ta informojë që nuk janë këto kërkesat dhe nevojat që ne kemi. Nevojat tona janë të tjera dhe janë injoruar sistematikisht nga pushteti luaj dhe i paraardhësve tuaj.
Atëherë për kë është Amnistia Fiskale?
Ne e dimë mirë se me punë të ndershme, por qoftë dhe me “vjedhje” të vogla faturash nuk bëhen dot 2 milionë euro bashkë.
Amnistia Fiskale po bëhet për të legjitimuar vjedhjet korruptive dhe masive që po bëhen nga vetë ju që po “mendoni” për emigrantët sot.
Ai ligj që të dënon, ai ligj të shpëton! Kjo është ajo që ju po ndiqni! Por, ne nuk jemi aq të verbër sa na mendoni!
Në një vend ku korrupsioni po rritet me hapa të llahtarshëm, ku krimi po vret në mes të ditës dhe po në mes të ditës ikin në drejtim të paditur, ku popullsia po pakësohet nga largimet masive, ku popullsia po varfërohet dhe biznesve të vogla dhe të ndershme po iu merret fryma, ku shtetasve shqiptarë po iu shkelen të drejtat nëpër botë dhe nuk dinë ku të trokasin, më vjen shumë çudi që po merr prioritet pikërisht Amnistia Fiskale.
Cili mekanizëm do të bëjë përzgjedhjen se cilat janë para nga krimi dhe cilat janë para të ndershme? Si mund ta kontrolloni ju që ato nuk janë paratë e korrupsionit dhe thjesht po regjistrohen në emrin e kushëririt të dytë të një X politikani?
Por, supozojmë se kjo është kaq e pastër sa duket atëherë, mos u kujtoni për ne emigrantët vetëm të na përdorni për të mbushur arkat që i boshatisni më shpejt se mbushen!
Me gjithë respektin, z. kryeministër, ju jeni një politikan në detyrë për t’i shërbyer vendit dhe popullit tuaj, nuk jeni zot i këtij vendi e ju nuk mund të veproni dot sikur shteti është prona juaj!
Please follow and like us: