Epigrame nga Viron Kona
Mbretërit
Mbretërit fitojnë,
mbretërit bëjnë histori,
popujt vriten, sakrifikohen,
mbretërit mbulohen me lavdi!
Vendin e minjve
Prite të iknin ata, që ti të flisje,
duket, s`guxove, s`përballeshe dot,
kur “ikën macja, minjtë hedhin valle”,
vendin e minjve e zure ti sot!
Tregoje veten!
Sukseset e tjetrit të zemërojnë,
po bluan përbrenda si një mulli,
duket mulliri yt s`bluan grurë,
por egjër sterrë të zi.
Tregoje veten në fushë të hapur,
t`i bëj të tuat, tjetri bën të tijat,
është koha dhe populli që ndan
grurin safi prej egjrave t`këqija.
…………
1. Egjër, barishte e egër një vjeçare që rritet zakonisht në arat me grurë.
2. Safi, i papërzier me diçka tjetër.
Skulptori
Krijon buste dhe shtatore,
ca me porosi, ca me zemër,
të parat janë vetëm numra,
të dytat e bëjnë me emër.
Ironi
Kush vjedh shumë e bën zullum,
asgjë s`i bëjnë, veç e përflasin,
kush vjedh pak, një copë bukë,
e demaskojnë, në burg e rrasin…!”
Politikanët
Janë tipa që kanë “lindur” për burra shteti,
shfaqin veten si heronj dhe udhëheqin parti,
ndërrojnë pushtetin me radhë dhe me lezet,
fronin ku ulen e kanë me vulë dhe me tapi!
Dikushi dhe askushi
Para-prapa i rrije kur ai ishte “dikushi”,
sapo ra nga froni, the: është “askushi”.
Vetëm “pullë poste”, të shkoj kjo jetë,
përherë e maskove fytyrën e vërtetë.
Pa pamje, pa fytyrë,pa formë e karakter,
duket se “askushi”, je ti more i mjerë!
……………
- Iu bë “pullë poste”, i ngjitet pas dikujt dhe s`i shqitet deri sa të mbaroj punë.