Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam, Don Vlash Muçaj!

 

 

 

Ishte e shkrueme në murin e WC së burgut: “Unë, Don Vlash Muçaj, këtu, me 22 Korrik, piva urinen teme për mos me vdekë prej etjet”. (1946)

 

Shumë kohë ka me kalue per me mërrijtë njeriu me i besue të gjitha ata, se shka asht shkrue nga dora e prangueme nder këta vende të pabesueshme…

E pra, Ky djalë asht le në Krujen e Gjergj Kastriotit, në Mallkuq në 1892. Kur misionari At Pazi po largohej nga Mallkuqi, Vlashi ishte 10 vjeç. Askush nuk do të mujte me marrë me mend se Ai djalë, do t’i kushtohej me aq zell e pasion Seminarit Jezuitve të Shkodres dhe, do të kryente të naltat n’ Itali.

Atje Vashi u Shugurue meshtar dhe menjëherë u kthye n’ Atdhe. Kujtohet per perkushtimin e Tij Shpirtnor, mbasi në 1924 atje hapi shkollen e Selitës.

Nga viti 1922 – 1946, Don Vlashi ka sherbye në Selitë per një çerek shekulli.

Kur Don Mikel Lezhaj u keqsue nga shndeti, atje nder ata fshate sherbente Don Vlash Muçaj, që ka lanë pershtypjen ma të mirë nder ato krahina.

Ishte viti 1946, kur Don Vlash Muçaj arrestohet me akuzat e njohuna që aso kohe nuk i banin ma askujt pershtypje: “I ka qendrue besnik besës së Shejtë të Shqiptarit!” I fillon torturat si të gjithë të tjerët. E masakrojnë si pak nga ata që ishin të veshun me veladon e zhgun, dhe i pranguem torturohet aqsa torturat mizore në vitin 1963, Don Vlash Muçajn e zhdukun nga kjo jetë.

Asht e vështirë me e kuptue dhe me u bindë se “Kleriku Katolik Shqiptar, kur ka fillue sherbimin fetar, Ai kishte dhe detyrimin e pandamë atdhetar.”

Dashunia per Popullin e Tij ishte e lidhun pikrisht me brezin e rij, per të cilin Kleriku porsa mërrinte në një fshat, mendonte hapjen e shkollave. E po ti shtrohemi një studimi per këte çeshtje, do të gjejmë një galeri pafund të shkollave ma të vjetra që ka studjue At Donat Kurti O.F.M. Ata studime sot janë themeli i vertetë i arsimit dhe i kulturës sonë shqiptare. Fatmirsisht të gjitha botimet nga Shoqnia “Bashkimi” në Shkoder, saktësojnë jo vetem në mënyrë shkencore themelin e betonuem të atyne shkollave, po edhe sot Ata shkolla, mbesin të padiskutueshme dhe të pakundershtueshme per Atë brez kulturor e arsimor që i kanë dhanë Atdheut tonë Shqipnisë. Sot duhet të rikujtojmë jo vetem shkollat e Tyne në Shkoder, po edhe ambjentet e tyne rrethuese, teatrot e para, orkestrat e para, fushat e para sportive, piktorët dhe arkitektët e mëdhaj e deri tek Profesorët e perjetshëm, që u brumosën dhe i lane aq shumë thesare Atdheut, sa mbas aq shumë të vramish dhe të pushkatuemish, Shkodra edhe sot vazhdohet me u luftue per zhdukje dhe per shfarosje, nga qeveritarët aktual vrastarë, tiranë e kriminela të pashoq!

Rueni sahatat me diell! Rueni se shumë shpejtë do t’ orientoheni me ata! Të gjithë sahatat e Kishave të Shkodres ku janë, pse nuk i ktheni në Shkoder?!

Zamakët e Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut nuk shuhen kurrma!

Melbourne, 28 Korrik 2022.                                 

Please follow and like us: