Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq BALLI: REQUIEM PËR BILLIE HOLIDAY DHE GJON MILI

Bot. KJ090416p.18-19
Billie Hollidej (Billie Holiday) (1915-1959), me prejardhje afro-amerikane, e lindur me emrin nativ Eleonora Fagan dhe me pseudonimin artistik “Lady Day” është diva dhe një prej ikonave të muzikës xhaz në gjysmën e parë të shek. XX.
Pas një fëmijërie të vështirë e plot peripeci, e frustuar dhe e abandonuar nga kujdesi familjar e shoqëria, madje duke lënë edhe shkollën në moshën 9 vjeçare, ajo u dërgua nga autoritetet në një shkollë katolike “Bariu i Mirë”, ku edhe u pagëzua më 19 Mars 1925. U lirua me kusht pas 9 muajsh, u bashkua me nënën e saj, e cila kishte hapur një restorant “The East Side Grill” e ku, së bashku, punonin me orë të zgjatura e ku ndërpreu përsëri shkollën. E rikthyen përsëri në Shtëpinë e “Bariut të Mirë”. U lirua sërish në Shkurt të vitit 1927. Gjatë kësaj kohe ajo kishte dëgjuar për të parën herë interpretimet e Louis Armstrong dhe Bessie Smith. U nda përsëri nga nëna, e cila vendosi të kërkojë fatin e vet në Harlem, New York. Më 1929 edhe Billie shkon në Harlem ku u ritakua me nënën. Për disa muaj, bashkërisht punuan si prostituta, derisa shtëpia publike u bastis, u mbyll dhe nënë e bijë u dërguan sërish në izolim. Pas disa muajsh pune në një shtëpi korrektimi, ato u liruan, kur Billie ishte vetëm 14 vjeç.
Falë talentit të saj gjenuin vokal e kreativ, gjatë kohës që ishte në Harlem ajo filloi të këndojë në disa klube nate, ku suksesivisht do të fillonte debutimi dhe kariera e saj muzikore dhe do të shpalosej e promovohej reputacioni i saj si këngëtare, improvizuese e kompozitore këngësh kontemporane xhazi. Kjo ndodhte kur ajo ishte vetëm 18 vjeç. Zbuluesi dhe producenti i saj i parë, John Harmmond, pasi e kishte dëgjuar atë të këndonte në një klub të vogël nate në Prill 1933, i ofroi regjistrimin e disa këngëve, i impresionuar nga stili i të kënduarit të saj duke deklaruar: “Të kënduarit e saj pothuajse ndryshuan shijet e mia muzikore dhe jetën time muzikore, sepse ajo ishte këngëtarja e parë femër që kam takuar, e cila aktualisht këndonte si një gjeni improvizues xhazi.” Harmmond e krahasonte Billie-n me Armstrongun dhe thosh se ajo kish një sens të mirë të lirizmit që në moshë të re. “E dëgjova atë dhe nuk u besova veshëve të mi që kisha të bëja me një këngëtare që tingëllonte si një instrumentist, si instrumentalisti më i avancuar që kishte qenë ndonjë herë. Kështu fillova negociatat me Billi-n edhe sepse ajo kishte pasur një karierë të mirë deri atëhere…” Në vitin 1935 ajo luajti rolin episodik të një gruaje të abuzuar nga i dashuri i saj në Pjesën muzikore të shkurtër “Simphony in Black: A raphsody of Negro Life” (“Simfoni në Të Zezë: rapsodi e jetës së Zezakëve”) të Duke Ellington duke kënduar këngën “Saddest Tale” (“Historia më e Trishtuar”).
Gjatë viteve 1935-1938 me të njëjtin producent në stilin e ri “Swing” për tregun jukebox (xhuboks) ajo bashkëpunoi me këngëtarët e famshëm Teddy Wilson (me këngët “What a little Moonlight Can Do”, “Miss Brown to You” (1935) dhe riorkestruan këngët pop “Twenty-Four Hours a day” dhe “Yankee Doodle Went To Town” duke i konvertuar ato në xhaz klasik.
Në fund të viteve ’30 ajo kishte regjistruar rreth 100 inçizime.
Një bashkëpunim tjetër shumë i suksesshëm vokal i Billie Hollidej ishte ai me shoqëruesin tenor saksofonist Lester Young, me të cilin ajo dhe nëna e saj kishin një raport të veçantë miqësor, por edhe pse ai u bë kumbar i emrit artistik “Lady Day”, ashtu sikundër kjo e fundit e pagëzoi atë artistikisht me pseudonimin “Prez”. Gjatë këtyre viteve Billie regjistroi disa interpretime edhe nën emrin e vet. Produksionet e këtyre viteve shënonin një etapë të re improvizuese të orkestrimit dhe ritmit melodik e narrativ evolucionist.
Në vitin 1941 u martua me trombistin Jimmy Monroe dhe u divorcua prej tij më 1947.
Sukseset, prestigji dhe fama e Billie Hollidej vijoi të konsolidohej me praninë, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e saj në disa banda vokaliste të mirënjohura si ajo e Count Basie, që udhëtonte qytet më qytet, ku ajo zgjodhi këngët që e portretizonin atë si një grua të pafat në dashuri, si “I must Have That Man”, “Travellin’ All Alone”, “I Can’t Get Started” dhe “Summertime”, një këngë hit e Holldej për vitin 1936. Billie e gjeti veten në një konkurim direkt me këngëtaren popullore Ella Fitzgerald, me të cilën, më vonë do të bëhej mike. Ato ishin këngëtare të dy grupeve rivale, sidoqoftë gjenialiteti i tyre ishte respektiv, origjinal e autentik. Për këtë arsye, andej nga fundi i viteve ’30 (shek. XX) Holidej u bë një artiste e konsoliduar në industrinë e regjistrimeve. Këngët e saj “What A Little Moonlight can Do” dhe “Easy Living” imitoheshin nga këngëtarë në të gjithë Amerikën dhe u bënë këngë standard xhazi.
Gjatë vitit 1939, krahas koncerteve të zakonshm, ajo u inçizua nga kompania e famshme “Columbia” (me këngët e famshme “God Bless the Child” dhe “Strange Fruit”, e cila konsiderohet si një nga baladat më të suksesëshme të saj, që kish të bënte me linçimin e Afro-amerikanëve në Jug dhe u bë një hit, u konsiderua si kënga e shekullit nga revista Life), nga Kompania “Comodore Records” dhe kompania “Verve” me të njëjtën këngë “Strange Fruit” e cila sipas fjalëve të Billit “u bë disku im më bestseller” dhe mbeti për 20 vjet në repertorin e saj. Më 1942 u regjistrua nga kompania “Capitol Records”, më 1944 nga “Decca Records”, etj.
Në Shtator të vitit 1943, revista “LIFE” shkruante “Ajo zotëron stilin më të veçantë të një këngëtari popullor dhe imitohet nga shumë vokalistë të tjerë” Ajo është në kulmin e pasionit të saj muzikor dhe e angazhuar plotësisht në interpretime, kompozime të shumta e regjistrime të këngëve të saj. Me këtë rast ylli vokal xhaz, Ella Fitzgerald e vlerëson këngën “You Better Go Now” si regjistrimin më të preferuar të Hollidej-it.
Angazhimi kryesor në vitn 1946 ishte filmi i saj madhor ”New Orleans” (Orlinsi i Ri), ku ajo dhe Louis Armstrong patën kontradikta me producentin dhe skenaristin rreth problemit të racizmit dhe protagonizmit të zezakëve në muzikën xhaz, me ç’rast u shkurtuan dhjetra skena, inserte e pamje që binin ndesh me pikpamjet humane të Armstrongu-t dhe Hollidej-t. Ndoshta mund të ishte edhe kjo një prej arsyeve që edhe pse Billie paguheshe mirë, ajo filloi të konsumojë drogë dhe t’i bëjë paratë rrush me të. Kështu ajo u përjashtua nga grupi. Pas kësaj ajo filloi të regjistronte një numër balladash sentimentale të ngadalshme. Gazeta “The New York Herald Tribune” raportonte për një koncert në vitin 1946. ku performanca e saj kishte variacon të pakët në melodi dhe jo ndryshime në ritëm.
Megjithatë, pozicioni komercial i Billie Holidej në vitin 1947 ishte në pikun e saj maksimal duke akumuluar 250,000 dollarë në tre vitet e fundit. Më 1946 ajo fitoi sondazhin e popullaritetit në revistën “Metronome Magazine”.
Por, fatkeqësisht më 1947 ajo u arrestua për posedimin e përdorimin e narkotikëve. U gjykua, u burgos dhe u shtrua në spital. Pas disa muajsh u lirua. Me këtë rast ajo organizoi një koncert të madh në Carnagie Hall më 27 Mars 1948 me një numër rekord shikuesish, ku këndoi 32 këngë. Gjithashtu u organizua një show në Broadway nën titullin “Holiday on Broadway”. U arrestua përsëri më 22 Janar 1949 për përdorim drogash të forta dhe iu ndalua hyrja në klubet e natës ku përdorej alkool, qoftë edhe për koncerte. Kështu reputacini i saj po binte gradualisht. Më 1948 ajo regjistroi këngën “I love You, Porgy” dhe më 1950 u shfaq në filmin e shkurtër të kompanisë Universal-International, “Sugar Chile Robinson, Billie Holiday, Count Basie and His Sextet” me këngët “God Bless Child” dhe “Now, Baby or Never”.
Pas viteve 1950, abuzimi me alkoolin, drogat, shëndeti i saj fizik e mendor po vyshkej dhe kjo ndikoi, veç të tjerash edhe në angazhimin dhe zërin e saj. Atëhere ndërmori një tur në Europë – Suedi,. Gjermani, Hollandë, Paris dhe Zvicër.
Pas kthimit të suksesshëm, ajo përgatiti e botoi librin autobiografik “Lady Sings the Blues” (Zonja Këndon Bluz) më 1956 me ndihmën e shkrimtarit William Duffy, të bazuar në serinë e intervistave të saj, impakti i të cilit ishte pozitiv dhe një lloj rehabilitimi artistik, pas të cilit ajo organizoi dy koncerte në sallën e famshme për artistët e mëdhenj, Carnegie Hall (1956), ku sipas kritikëve ajo u paraqit në formë superiore. “Jo vetëm që ishte e sigurt në shprehje dhe intonacion, por kishte një ngrohtësi shprehëse, një etje të dukshme për të prekur audiencën, zgjuarsi fine, buzëqeshje rrezëlluese në buzët e sytë e saj…, një zë që ishte pothuaj i papërballueshëm, i pastër, thuajse fëminor. Ishte një natë kur Billi ishte kulmi dhe padyshim këngëtarja më e mirë dhe më e nderuar e xhazit që jetonte.”
Në mars 1957 ajo u martua me Louis McKay, një kapo i Mafias, ashtu si edhe shumica e burrave në jetën e saj, abuziv e i dhunshëm, me të cilin e ndau vdekja.
Koncertin e saj të fundit ajo e dha në New York City më 25 Maj 1959.
Ajo ndërroi jetë më 17 Korrik 1959, në moshën 44 vjeçare, në një dhomë spitali të Metropolitan Hospital, e izoluar përgjatë një muaji nga rojat e policisë për shkak të marrëdhënieve me drogat e forta dhe alkoolit, të cilat përfundimisht e shkatërruan dhe i shkaktuan një edemë pulmonare akute e vdekjeprurëse. Edhe pse autodidakte e pa arsim muzikor, edhe pse me një jetë të çrregullt shëndetsore e sociale, Billie Holidej imponoi me protagonizmin e saj artistik e sidomos me talentin e saj improvizues, kompozicional, interpretues e zanor tablonë e muzikës xhaz dhe zhanret e shumta që derivonin prej saj. Ajo këndoi e regjistroi dhjetra e dhjetra këngë, disqe e albume në kompanitë më prestigjoze të kohës dhe mjaft prej tyre mbetën dhe janë ende hite. Billie është futur 6 herë në “Grammy Hall of Fame”, një çmim i madh për këngëtarët me rëndësi historike ose cilësore; në albumin “Grammy Best Historical Album” 4 herë si fituese; ka fituar shumë çmime të mëdha muzikore; për të janë krijuar filma, disqe, koncerte e evente nderimi, përkushtimi e memuaristike; emisione të panumurta televizive në të gjithë kontinentet, etj. që e kanë vendosur atë në panteonin e paqes së përjetshme muzikore të shekullit XX. Në vitin 2000 ajo u vendos në Rock And Roll Hall Of Fame (Hollin e Famës Rok end Roll). Ajo konsiderohet si një nga vokalistet më të mira të xhazit në të githa kohrat dhe është imituar nga shumë performues të tjerë që ndoqën gjurmët e saj. Autobiografia e saj u shndrrua në filmin “Lady Sings the Blues” më 1972 me këngëtaren e famshme Diana Ross në rolin e Billi Hollidej.
Por kujtimi për këtë këngëtare, kompozitore e improvizuese të muzikës xhaz na lidh natyrshëm dhe jo rastësisht me një tjetër gjeni botëror, fotografin shqiptaro-amerikan nga Korça Gjon Mili(1904-1984), veprimtaria artistike fotografike e të cilit njihet në të gjithë planetin, pasi ai është një prej mjeshtrave të përbotshëm që kapërxeu limitet e fotografisë tradicionale “statike” dhe hapi një kapitull të ri në historinë e saj eksperimentale, artistike e komerciale që, në mënyrë sintetike njihet si “periudha stroboskopike”, apo “fotografia në lëvizje” me përdorimin e dritës flash dhe shkrepjeve suksesive me shpejtësi të alternuara, të cilat, në fakt, i hapën fotografisë mundësi krijuese estetike e teknologjike të pakufizuara në lidhje me subjektin dhe mesazhin e tij artistik. Krijimtaria 50 vjeçare e Gjon Milit është aq ekstensive, intensive e kreative sa pinakoteka e tij fotografike përbën mijra e mijra fotografi, ku nuk ka fushë të jetës, veçanërisht asaj sociale, kulturore, artistike, sportive, modës, jetës së natës, madje edhe politikës që ai të mos ketë kontribuar me sukses. Shpesh personalitetin dhe protagonizmin e tij mjeshtëror ai e shfrytëzoi për të bërë të mundur fotografimin e ngjarjeve dhe personazheve të shquar, sidomos në fushën e artit, ashtu si ka vepruar edhe me Billie Holidej. Gjatë viteve ’40 të shekullit të kaluar, motivim për to kanë qenë disa aktivitete artistike të quajtura “Jam Session” (Xhem Sizën). Në këto veprimtari shoqërore informale, që zhvilloheshin gjatë orëve të natës për kënaqësinë e tyre, artistë, muzikantë, banda muzikore, këngëtarë të muzikës xhaz, intelektualë, estetë organizonin takime miqësore, ku interpretonin muzikë, këndonin e improvizonin ritme e këngë, apo prezantonin opinionet e tyre për zhvillimet sociale, veçanërisht të artit në një mjedis plot tym, djersë e ekstazë gëzimi, madje edhe në prani të një audience gazmore. Jam Session përfaqësonte lirinë ekstreme të shprehjes muzikore.
Gjon Mili kishte një studio mjaft të madhe në New York, ku mund të organizoheshin këto takime, por, mbi të gjitha kishte prestigjin, autoritetin dhe legjitimitetin e famës së tij, sikurse edhe të cilësive të karakterit të tij organizues, energjik, aktiv, pasionant, shoqërues e karizmatik, të cilat i përdori me zgjuarsi për organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat, veç të tjerash i shfrytëzoi në kontekst të punës së tij artistike fotografuese e filmike, e prej ku rezultuan disa prej kryeveprave të tij, i psh filmi “Jammin the Blues”, këngë hite të kohës, qindra foto të instrumentistëve, këngëtarëve, bandave orkestrale, kompozitorëve e artistëve të famshëm të asaj kohe. Ato përbëjnë dokumente historike e artistike unikale e qarkullojnë edhe sot në botën e artit muzikor.
E s’kish se si jashtë fototekës së tij të “Jam Session” të mbetej edhe Billie Hollidej, një prej interpretueseve më të famshme të muzikës xhaz të asaj kohe, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ushtrimin e kësaj gjinie muzikore. Nga seria e fotove të tij për Billie Holidej veçojmë katër syresh, të cilat në një kontekst human e artistik mishërojnë rrugën e jetës së dyfishtë ekstreme si njeri e dramave të skajshme personale dhe si një artiste legjendare e muzikës xhaz. Jeta e shkurtër 44 vjeçare ishte e abuzuar dhe abuzive. E gjendur thuajse e abandonuar qysh në fëmijëri, ajo nuk mundi t’i shpëtonte dot oktapodit të shoqërisë perverse të Harlemit, sekserët e së cilës e bënë pre të shfrytëzimit të talentit, por edhe të dobësive të jetës së saj në rrugë të vetmuara tunduese ndaj vesit të alkoolit e drogës, të cilat i morën fatalisht edhe jetën.
Të katër fotot tepër impozante kanë të përbashkët shprehjen e thellësisë meditative dhe përqëndrimin e thellë, të cilat Gjon Mili i ka ilustruar në shkrepje që ai i ka sintetizuar në intuitën e tij si gjendje tipike ekspresive të një virtuozeje, shumica e këngëve të së cilës janë romanca, balada herë lirike e herë të trishta e melodramatike dhe reflektime shpirtërore të një njeriu të deprimuar e të pafat në jetën e saj. Në baladat e dashurisë ajo sfidonte veten me paraqitjen e saj “gazmore”, ndërsa melankolia e saj tek këngët e trishta shprehet tek sytë, buzët, statura dhe gjestikulacioni i kokës apo duarve, sepse ajo, duke interperetuar evokonte në memorje skena nga jeta e saj, pra krahas të kënduarit, ajo luante në një fare mënyre vetveten. Pasi ajo ndërroi jetë, Louis Armstrong është shprehur “Billie vdiq, por jo këngët e saj”
Mjeshtëria e Gjon Milit për të kapur esencën interpretuese të subjektit, sidomos të artistëve (ashtu siç do të bënte edhe me Edith Piaf, Picasso, Sofia Loren, Elizabeth Taylor, Ella Fitzgerald, Silvana Magnano, Alfred Hitchcock, Juliette Greco, Zhan Pol Sartri,etj) do të koincidonte gjithashtu edhe me konstatimin e kritikëve muzikorë se zëri i Billi Hollidej kishte një përputhshmëri të përpiktë me situatën e saj kontraverse psikologjike gjatë interpretimit, tipar ky që e bënte edhe më afektive vokalin e saj duke mbërthyer në makth si me magnet audiencën. Pra, artistët e mëdhenj edhe pse në lloje të ndryshme arti kanë pika e valenca takimi artistik që i përbashkojnë e i evidencojnë edhe më kur bëhet fjalë për autenticitet, origjinalitet e virtuozitet.
Edhe Gjon Mili, si për koincidencë, pati një jetë vetmitare bohemi, pa një vatër familjare dhe, sigurisht, e ndjente deri në tharm situatën humane e shoqërore të Billie Hollidej. Andaj, ndoshta, fotot e tij për të ia kanë shtuar ndjeshmërinë si prej një velloje fluide që e lëkund edhe puhiza më e pandjeshme e shpirtit të tij krijues. Meditimi interpretues nëpërmjet një paraqitjeje impozante, fotozhenike, fisnike, me një shprehje të mimikës së saj herë të një buzëqeshjeje të lirizmit të sforcuar dhe, në të shumtën e rasteve, me një pamje melankolike të plastikës së tipareve faciale, kryesisht shpërveshjes të buzëve, syve të mbyllur e vetullave të kontraktuara, lëvizjes së sinkronizuar të trupit, kokës dhe krahëve në formë dallgëzuese si të një mjellme, por sigurisht me timbrin e saj të thellë, impresionist, magjepsës, të kristaltë, të bruztë si belluz, fllad plot ledha, origjinal të kumbueshëm, emocional, me regjister të gjerë e plot nuanca, variacione e ritme intonimi e improvizimi vokal, por edhe qartësia e shprehjes së përmbajtjes së tekstit i jepnin avantazh Gjon Milit që ai të gjente momentet e shkrepjes në gjendje ideoemocionale që ta fiksonin Billi-n me gjithë vërtetësinë dhe autitenticitetin e saj psikofizik e artistik. Fotot e Gjon Milit, pa tjetër, kanë influencuar në fiksimin e përjetësimin e figurës së Billie Hollidey, sepse ato janë përdorur në impozimin dhe promovimin viziv të figurës së saj në botime e regjistrime të shumta. Ai e njihte mirë dhe ndoshta e parashikonte që ajo nuk do të largohej në kohën e merituar të saj; ajo i përkiste një kohe tjetër të ardhshme, sepse, si shumë talente të mëdhenj, ajo ishte përtej të kuptuarit dhe gjykimit të atëhershëm, si një iluzion. Legjendat janë një gjendje psiqike, jo fizike. Ato lulëzojnë më tepër kur s’janë më biologjikisht. Ky konstatim i përkon edhe Billie Hollidej. Zaten, kjo është një prej arsyeve pse Hollidej mbetet edhe sot një prezencë mitike e madhështisë së saj, qoftë edhe me vëmendjen e kontributin fotografik që mjeshtri ynë Gjon Mili i ka dedikuar asaj si një dëshmi të pashlyeshme për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e artit botëror.
Please follow and like us: