Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË RIT FETAR NË KISHËN E IMPROVIZUAR

Kjo ngjarje fetare, që bëhej në fshatin tonë në jetë të jetëve, sa e pati kohën At Vasil Xhani, po edhe vetë kisha e Piqerasit që u prish nga vandalë anti-kulturë e anti-Krisht, thuajse qe harruar vite të tëra. Me një ripërsëritje të mëvonshme, kur u hap kufiri ynë jugor dhe befas e pamë veten në turmën që vërshoi drejt Greqisë, ku edhe ky rit i shenjtëruar që lidhej me pagëzimet dhe me kurorëzimet, bëhej me përsosmeri, në po ato kisha të madhërishme e me akustikë qiellore që ka vendi Helenë. Por ja, afro 30 vite më parë, edhe në Piqeras, në atë hapësirë midis dy pallateve të “vullnetarëve të Enverit” (me hapje-mbyllje taracash!), tek u sajua edhe “kupola” e një kishëze, me dy muret anësore, me një rradhë ikonash të ruajtura nga plakat e fshatit dhe me një njeri të mirë nga Lukova të “pagëzuar” si prift, pas vendosjes së regjimit demokratik. Ashtu si një dëshirë njerëzore, brenda një riti fetar të hershëm, qysh kur iu bë edhe vetë Jezu Krishtit, kur lindi nga Maria e Shenjtë, si edhe të pagëzuar me ujët e lumit Jordan… Dhe nisi të “marri jetë” dhe këtu në Piqerasin tënë të braktisur edhe nga banorët e saj, po edhe nga vetë PERËNDIA! Këto rreshta i shkruan një ateist si unë, që nuk e quan të “tepërt” festën e ortodoksisë, kur jeta bëhet kaq e varfër, me fare pak festa e gëzime, ndërkohë që ceremoni të këtilla ngjasojnë dhe me festat e hershme pagane, në ngjajshmëri edhe me spektaklet teatrale, si diçka shpirtërore, që transmentojnë gëzimin e jetës…
E kemi fjalën për dy pagëzime të jashtëzakonshme të dy të rinjëve, që pasohet edhe nga martesa e tyre, po në atë ditë! Midis vajzës Fotini Roshi nga Shën Vasili, si edhe të djalit Piqerasiot Aleks Qendro në Kishën e “Shën Thanasit” në vitin 1993, më 26 të shtatorit… Qe një eveniment i veçantë dhe as i bërë e as i dëgjuar më përpara. Festë e vërteë fetare, ku u mblodh i gjithë fshati, i madh e i vogel, ku mbërritën edhe dy autobuza me krushq, si edhe dy vetura me kumbarë prej fshatit Neo Hori nga Amaliadha e Greqisë. Për një meshë sa më dinjitoze, Ksenua,-i ati i djalit,- thirri aty edhe priftin e Çukës Papa Kosta. Në prani edhe të nunit të Fotinisë, Jano Priftin nga Piqerasi. Po realizohej kështu, për të parën herë, pas 26 vitesh që nga prishja e kishës, një Festë Fetare e këtillë!… Kjo ishte edhe dëshira e Kseno Qendrit,-njeri i nderuar, që punonte atëhere, për shumë kohë, në “Postën e Piqersasit”, nganjëherë edhe si mësues në shkollën fillore, kur e lypte nevoja. Po aq i përsosur e njerëzor, me shpirtin e madh, sa dhe dy vëllezërit e tjerë të tij: Illua, moshatar me mua, shoku im i klasës fillore, si edhe Kristua, ëngjëllor, sa edhe vetë Krishti që i kishte marrë dhe emrin!. Tre vëllezër shembëllorë, që nuk i vijnë më këtij fshati, ku është e pamundur që të mos hyje mes tyre edhe “Shejtani i Përroit”!
E mbaj mënd mirë Kseno Qendrin, si burrë të mënçur e të kulturuar, i cili edhe fjalën e kishte të matur. Që dinte të bënte edhe humor! Ai kishte ndjesi fetare, frekuentonte rregullisht Kishën e Fshatit dhe dëshironte që, njerin prej të tre fëmijëve te tij, Aleksin, ta kishte të martuar me kishë. Një ëndërim i hershëm që kishte edhe lezetin e vet, duke sjellur në shtëpi një bekim hyjnor e mbarësi. Pa le të ishte kisha e “re” një sajesë e improvizuar, me ikona të mbledhura nga besimtaret e fshatit e me nje prift fare të ri që dhe zërin e kishte ende te hollë e të paformuar, sikundër qe Papa Leka i Lukovës. Kjo ishte edhe arësyeja që ai do të thërriste nga Kisha e Çukës në Sarandë, edhe priftin e dytë…
Çfarë kishte ndodhur? Aleksi,-një djalë i hijshëm e shtat lartë, të cilit sapo i kishte “dërsitur”edhe mjekëra, ia kishte vënë syrin një vajze nga Shën Vasili,-që atëhere quhej Përparim,-një vajze të hijshme dhe ajo, me tipare të zeshkëta, që ngjante si “e prerë me gërshërë” për këtë bukurosh nga Piqerasi… Atë ditë fund shtatori , kisha e sapo sajuar, me dy priftërinj brenda, u mbush me njerëz të malluar për këtë atmosferë të harruar që nga martesat, me kurorë në kishë, që i bënte dikur Toti i Xhane, para se t’i vinin kazmën kishës, e riteve të saj të shenjta, që sillnin veç kënaqësi e gëzim të papërshkruar, në atë varfëri të tejskajshme që kishim në mjerimin tonë të asaj kohe. Në kishë nuk kishe ku të “hidhje mollën”! U përhap tymi i temjanicës e u ndezën llambadaret e bardha. U vendos qetësia e nisi menjëherë liturgjia e të dy priftërinjëve. U shtrua një çarçaf i bardhë si dëbora dhe u vendos në mes kolivistra nga Naçi i Prifte. E para u pagëzua Fotinia e pas saj edhe Aleksi, në një ceremoni e atmosferë prekëse. Do t’u shënohej kryqi në ballë, nuses me dhëndërin, që do të visheshin me rrobat e tyre më të mia nga brënda Altarit, dhe do të vinte paskëtaj ai çast i shënjtëruar i vedosjes së kurorave të bardha mbi kokat e të lumturuarve… E u bë ajo vërtitje para Altarit, si në vallet hijerënda e nën breshërinë e orizit që hidhej mbi ta. Atmosfera u ndez nga një lumturi e përgjithshme, si e zbritur nga qielli, nën atë kupolë të thjeshtë kishe, pas rrënimit të djeshëm e buzë një jete të lirë që sapo kishte “hapur perdet” e veta… Afro 10 vite më vonë, do të pagëzohej po këtu i biri i këij çifti të mrekullueshm, Lluka Qendri…
Të gjithë këtë histori prekëse, jete e dashurie, përmes një riti fetar, do ma rrëfente Fotinia e veshur në të zeza, 40 ditë si kishte përcjellur nënën e Aleksit, Sofinë, për në “banesën e përjetshme”, po nëpërmjet një ceremonie të tillë liturgjike në kishën e thjeshtë të Piqerasit. Ndërkohë që, në atë periudhë të lemerishme, i zbrisnin me litarë arkivolet, direkt e në gropën e hapur, si gjatë periudhave prehistorike! Tek na shërbente një djalë shtat lartë, i veshur edhe ai në të zeza, Lluka, po ai djalë që u pagëzua po në atë kishëzën ku ata, prindët e tij të shtrenjtë, vunë kurorë. Ai tani studjon fizikë në Universitetin e Athinës, ndërkohë që arsimin e kulturën universitare e ka përfunduar edhe djali i tyre më i madh, Ksenua, që i ka marrë emrin gjyshit të tij, aq të devotshëm, në kseniti… Përbri të dy djemëve të tjerë, i veshur edhe ai me të zeza, qëndron djali më i vogël i tyre, Angjelo. Ata rrinin në këmbë aty, në atë atmosfere kortezie, veshur me kostumin e zi, pas asaj ceremonie të dhimbshme të përcjelles së gjyshes së tyre që e donin aq shumë. Kur e donin dhe e respektonin, duke e përcjellur drejt varrezave të “Shtodhërit”, gjithë banorët e Piqerasit, kudhësjoten e nikoqiren e mençur e po kaq të thjeshtë, bashkëfshatarët e Kseno Qendri Plakut, ikur edhe ai vite të tëra para saj. Në këtë ripërtëritje jete, kur Aleksi me Fotininë e me të tre djemtë, janë duke përballuar edhe emigrimin në dhe të huaj, quajtur ‘Kseniti’ nga vetë vendasit. Por që të gjithë ne vdektarët, jemi mbledhur tashmë këtu, në një verandë të shtëpisë së tyre që ndodhet në fundin e fshatit, jo shumë metra më lart se “Ulliri i Lotëve”, duke pirë kafe pa sheqer, nga ku duket sikur e ke nën këmbët e tua, detin e gjerë, poshtë qiellit të ndezur nga “Java e Gurit” e ditëve të nxehta e të tmerrshme të fundkorrikut dhe nën hijen e rënd të “krahëve gjigande” të një arre të vjetër….
Piqeras, më 27 korrik 2022.
Please follow and like us: