Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: TE MILI I BITRE

Dikur, ecje nëpër fshat dhe plakat, pa e kthyer fare kokën nga ana jote, pyesnin “nga vete Jeto”? Dhe përgjigjia jepej kuturum e me vështrimin nga qielli “ja, këndeja rrotull”! Se jeta bëhej e mbyllur… Ndërsa tani pyesin më ndryshe: “nga vete, Zotrote”? Dhe përgjigjia është në majë të buzës “te Mili i Bitre”!
Kështu flitet tani në Piqerasin tonë, kur motet ndërrojnë përdite dhe njerëzia që ka mbetur aty, e di fort mirë se nga vete: Nga Emiljano Bitri, në qendër të fshatit, ku mund të pish një kafe të mirë ekrpes në katin e katërt të binasë së tij, që të “të vejë kafeja në zemër”,-sikundër thuhet e të shoç me filxhan në dorë, edhe detin edhe malin. Po edhe të rrinjtë këtu duan të venë në mbrëmje, sidomos në behar, kur mblidhen nga ana e anës e Mili ua hap bokset deri në fund sa të lebetiten, jo më ata pak banorë që kanë mbetur këtu, po dhe çakejtë poshtë, nga përroi i Hoxhe, nëse ka mbetur ndonjë syresh edhe atje. Edhe për të kërcyer me ritmet e kohës, këtu mundeshin, si në “Diskot” perndimore… Dy-tre vit më parë, kur këtu erdhën (për vizitë e krryer mallin), piqerasiotët e Villa Badessas italiane, vetëm “te Mili i Bitre” ua kishte ënda të rrinin, ta pinin kafenë e mëngjesit e të sodisnin më shumë atë anë të detit, nga ku kishin ikur prej këndej të parët e tyre!… E duket sikur njeriu “merr krahë” të futuroj hapësirave e t’u shpëtojë streseve e halleve të përditshmërisë që kurrë s’mbarojnë. Po edhe të vdekurve, këtu, te Mili i Bitre, u bëhet përcjellja e fundit, me “drekën e lamtumirës”, në katin e tretë gjatë dimrit e në të katërtin kur vjen vera, ndrequr për këtë punë kortezie… Gjithçka e ndërtuar dhe e ujdisur me merak nga duart e këtij njeriu shtatlartë e energjik, që e la i pari emigrimin 13 vjeçar në dhe te huaj, ngaqë e kuptoi i pari se këtu bëhej paraja më mirë se sa të shtroje betonin në urrat e “ATIQI ODHOS”, apo të mblidhje ullinjtë e agrumet në perivolet greke! Kur ato, thaheshin përditë në vendlindjen e tij!. Se rastisi përsëri që Piqerasi po braktisej nga “forca e gjallë” e rinisë të këtij tipi, sikundër qe Emiljano Bitri, të cilin nuk e zinte gjumi andeja, karshi Akropolit, me statujat e kollonatat elegante, që mbanin “arkitrarët” e Zeusit mbi shkëmbinjtë gjigandë të Atikës Homerike…
Diti ç’bëri! Unë Piqerasioti Miho Gjini, që s’kisha dalur kurrë nga “pragu”, që kisha parë edhe “shtëpinë pa qira”(?!) dhe që, kur u ndërruan motet e erdhi tjetër kohë, vajta e pashë shtatë ishuj në Detin Egje, si edhe shtatë kryeqytete të “Botës Mbarë” dhe që, nuk rehatohem dot më mirë se këtu në Piqeras, tek Mili i Bitre do të veja, nga ku të krijohet bindja se je diku, më mirë, se sa mbi një kullë, si ajo e Dubait, nga ku sheh gjithë shkretëtirën e Saharasë, apo si tek CN Tower në Toronto të Kanadasë, nga ku sheh vetëm majat e grandaçelave që “çajnë qiellin” e avionet që fluturojnë nën këmbët e tua! Pra, mua më pëlqen më shumë të jem këtu, “te Mili i Bitre”, që të shoh gjithë ngushticën e Korfuzit, si edhe gjithë hapësirën, që nga Llogoraja e këndej, m’atan Lukovës e më tutje “Hundës së Hundecovës”, duke patur nëpër këmbë ngatërruar edhe të vogëlin e Milit, Ernestin si era,”rrodhan” fare! Mirëpo tani, ai është kaq i qetë e kureshtar… Se i shqyen sytë nga një ekran i vogël i Dronit që komandon kameramani i TVSH-ës, Edgar Veshi, për të filmuar nga lartë të gjithë Piqerasin, që nga Manastiri i Kremesovës në majë të malit e gjerë poshtë Bunecit e më përtej, nga Lokali i Nikollaqit në Lapardha. Mrekullohet i vogëli i Milit, po mrekullohem edhe unë që e shoh fshatin tim të bukur shumë, si në “pëllëmbë të dorës”, që nga lartësitë qiellore dhe që më ngjan edhe më i bukur akoma se panoramat e rrëfyera, përmes syrit, në ato shtatë ishuj të Egjeut e në shtatë vende të botës, ku më shkeli këmba! Pa asnjë egzaltim. Edhe pse gjithçka e kam shprehur në figura letrare hiperbolike. Ngaqë kështu më dalin nga shpirti, sa herë qe vërtitem nga ana e anës e përsëri këtu vij! Ndryshe nuk do të vinin këtu, më së shumti, pjesa më e madhe e atyre 200 turistëve nga bota  që e thonë shqip, se “këtu është Parajsa” dhe se do venë edhe “Te Mili i Bitre”! Që t’u qetësohet shpirti nga lodhja e andrallat….
Ndërkohë, vetë Mili e solli kafen ekpres, aty ku jam i ulur me gazetaren televizive, Bona Zhupa,Fterrioten. Ajo është e pezmatuar akoma nga regjistrimi që bëri te veranda e shtëpisë sime, pak më përteja “kullës” së Emiljano Bitrit, te “Kroi i Gjine”, e prekur prej asaj drame me nuanca tragjizmi që kisha hequr e që ajo po i dëgjonte për herë të parë, pa më ndërprerë asnjëherë. Por tani ajo ishte më e qetë, tek rrufiste kafenë, përbri një tavoline, ku një çift i ri të dashuruarish po hanin petulla me mjalt. Mili u ulë pranë nesh dhe unë mora kurajën që t’i rikujtoja shtëpinë elbasanase që bëri këtu fillimisht i ati, Ceni i Bitre, me zhavor nga përroi i katunishtës që ai, i biri, do ta shndërronte në një pallat, së bashku me të sa ishte gjallë. Se, nganjëhere “syri i keq” nuk të lë të gëzosh e të ecësh me kohën, apo me dëshirat e tua… Pikërisht, kur binaja katër katëshe kishte hedhur shtat, Arsen Bitri i mundimeve, tek po kontrollonte çisternën e ujit i ngatërrohen këmbët nëpër sulina dhe rrëzohet që nga kati i sipërm, ndërkohë që i biri Emiljano po rropatej atje tejë greqisë të krrente paranë “nga dheu”. Qe pragu i Pashkës së madhe atëhere e Emiljano, pa e ditur, do të vinte , si t’i thoshte “një zë nga lartë”… E do të gjente “gjëmën e madhe” në atë ngrehinë që e ëndërronin me babanë. Por Ceni i Bitre do të jept shpirt, pa vajtur ende në Spitalin e Sarandës. Emilianua atëhere nuk qe më shumë se 30 vjeç. I rritur tok me hallet që e zunë, po edhe me dhimbjen e një djali, pa baba tashmë, qe i detyruar të merrte “përsëri” udhët e kurbetit” edhe ai, nga “Ulliri i Lotëve”,-përcjellur nga e ëma e brengosur,- e do të kthehej një vit më mbapa, më 2006-ën, për ta përfunduar veprën e te atit e të nënës së tij, Venos Niviciotes,-gruas trime e të papërtuar. Që atëhere e angazhonin edhe ndër punët e pushtetit të atëhershëm, si grua energjike e me influencë me shoqet e saj të fshatit Piqeras… Kur e thërrisnin parreshtur edhe nëpër mbledhjet e “Frontit” të tyre të vullnetarizmit “pa bereqet”, sikur të qenë të pakta rropatjet e tyre në male e nëpër brigje, për të hapur taraca, sipas porosive që la Çu En Lai, pasi u prishëm me rusët! Në atë “periudhë kafshërie”, kur Venua e Bitre, ngarkohej me litare e vente edhe për dru …
“Hë de, merru edhe ti me punët e pushtetit,-i thoshte ajo të birit Emiljano, kur truri i tij “rrihte” në të tjera drejtime jete, pas atij aksidenti tragjik, që u ndodhi! Sikur të mos mjaftonte varfëria, shfrytëzimi i egër,-gjer në “rrjepje të lëkurës”, “ngecja e jetës”, si edhe ajo amulli e tranzicionit nga pushteti i diktaturës në pushtetin e ri demokratik. Pikërisht atëhere kur Venua e Bitre, bashkë me të birin në krahë e me të bijën, duhej të përballonte hem gjëmën, hem ngritjen e jetës… Dhe ndodhi ajo që quhet “rritje para kohe”, që djali i shkathët Emiljano Bitri të “shtronte kurizin” në punërat më të rënda që kishte Greku aty ku vajti emigranti i ri nga Piqerasi, i papërtuar edhe ky, i fortë e kurajoz, si i ati dhe e ëma. Gjersa bëhet edhe kryepuntor e sipërmarës (“ergollavo” në autostradat, stadiumet e Arenat e Lojrave Olimpike) të Athinës…
Dhe vjen një ditë, kur Mili i Bitre, do ta ndjente se duhej të qe, në ato vite të vështira, pranë nënës së tij, si në një detyrë të shenjtëruar. Në të njëjtën kohë, i duhej të përballonte edhe sfidat e periudhës tranzitore të sistemit të ri shoqëror, të cilat ndjeheshin ca më serioze e më të mëdha, sidomos në ndërtimet. Veçanërisht në bizneset që hapeshin, në atë konkurencë të hatashme, kur dhe në fshatin tonë të vogël gëluan menjëhere kafenetë, mini- marketet, tre hotelet e para të vendasve nën ullishtet e agrumet, buzë lumit të Bunecit, si dhe “Baret” prej kashte, më poshtë, anës detit. Edhe pse qenë ndaluar (?!) të jepeshin tapitë e pronave e banorët vërtiteshin nëpër zyra me ca “çertifikata” nëpër duar!… Gjithsesi po ndryshonte “harta” e Piqerasit! Po tek Mili i Bitre se ç’kishte diçka plus: arkitekturën spontane, në njerin prej vendeve më piktoreske, në qendër të fshatit, buzë rrugës, ku hapet panorama më e dukshme e më magjepsëse e fshatit…
Piqerasiotët e Villa Badessas, po këtu e zgjodhën vendpushimin e tyre, midis Manastirit të Kremesovës dhe limanit të Bunecit, nga ku u “varën mëtëposhtë”, tre shekuj më parë, të 18 familjet tona dhe u nisën drejtë viseve italiane. Natën me hënë, në një udhëtim përmes detit, si në legjendat e lashta… Unë ulem tani me ta e kuvendoj me Kryetarin e Komunës së Roscanës, me njerin prej gazetarëve të tyre dhe me Giancarlo Ranallin, si piqerasioti me piqerasiotin, me po atë “mall të përvëluar”, sikundër edhe atje, në lokalet e kështjellat e tyre të hershme. E bëra mik këtë njeri, piqerasiotin e hershëm të Gjonajve. Aq më tepër se ata ishin mërgimtarët e parë nga “Ulliri i Lotëve”, që “hapën udhën detare” të një mase të madhe njerëzish , drejt vendeve të lira. Unë e Emiljani ishim nga të fundit ikanakë që u larguam për pak kohë dhe pastaj mbetëm atje tutje, që ta “ndreqnim jetën tonë të pandreqshme”!… Ndofta, prandaj edhe vijmë këtu, tek Mili i Bitre, si te njeri nga ata, që me vajtje-ardhjen e tij, sikur e ndreqi për mbarë jetën e katandinë… Ngaqë Emiljano Bitrin e mori më për mbarë “kurbeti”: pas fatkeqësive që sollën motet e para, “shkrepën” edhe ditë me diell! “Tak-Fak” dhe u kthye! Duke patur tashmë në krahun e vetë edhe Donikën Dibrane, “pa të cilën ,-thotë ai nuk do ta kishte këtë ecje suksesi. E që them, nganjëherë se i “trembem pikërisht edhe suksesit”, ngaqë i duhet t’i bëjmë ballë, ecurisë së gjithanshme të të gjithë vëndit, po edhe përballjes me vërshimet e reja turistike në fshatin tënë, me “baticat e zbaticat”, tamam si të ishin “dallgë deti”, kur asgjë nuk është e sigurt, as uji e as dritat. E tjetëri, kur të vjen tek dera yte, i kërkon të gjitha standartet që ka bota”… Tani vështrimi i tij është, sa i qetë, po edhe aq i lëvizshëm, që “nuk e mban dot as vendi” , siç i thonë: hop aty e hop këtu, sa në sallën me njerëz, aq edhe në guzhinë, lartë e poshtë hotelit, restorantit e Barit, hem si punonjës e hem si drejtues, me energjinë e shkathtësinë e një djaloshi, edhe pse motet kanë bërë punën e tyre, në zbardhjen e flokëve… Të pronarit Emiljano…
Gazetarja televizive Bona, kamaremani Erald Veshi dhe unë piqerasioti Miho Gjini qetësohemi këtu, bashkë me të vogëlin 8 vjeçar të Milit, që i ndrisin sytë. Ëndërrimi vetiak, për të bërë diçka që të mbetet e të vlejë për njerëzit e imponuan Emiljano Bitrin që “mati forcat” e vetvetes, të punonte ato 13 vite në Greqi, për ta përfunduar ëndrrën e të atit e të së ëmës. Po edhe të dy fëmijët e parë tij, si Arseni 23 vjeçar, ashtu edhe vajza 17 vjeçare, “hapën krahët” që t’i dalin ZOT vetes së tyre! Për ta çuar edhe më tej ëndrrën e gjyshi Arsenit e të atit e tyre, Emiljano Bitrit. Se JETA VAZHDON dhe ëndrrat realizohen, kur do njeriu!
Piqeras, më 25 korrik 2022.
Please follow and like us: