Miho Gjini: ULLIRI I LOTËVE
“Mplakur,rrënjëdalë,
Përmbi breg mbetur,
Ç’dhimbje fsheh në gji
Që të paska tretur”?!
Vasil Gjivogli
Ky ulli i vjetër shumë, sa Bota, ndodhet akoma atje, në fundin e shtëpive të fshatit Piqeras, ku ndahet mali me detin përkarshi e janë derdhur lotët e vajzave, të grave e të nënave, për të dashurit e tyre që largoheshin në dhera të largëta. Kur hapen e s’mbyllen më plagët e zemrës, kur ndizet malli e dashuria ca më shumë, si edhe brenga, me xhanin brenda që pëlcet! Kurbetlliu ikën e përcjellësi i “gozhduar” aty loton moskthimin, me plagën që sapo hapet trishtueshëm… Ajo që e përcjell kurbetlliun, qan dhe këndon me ligje “fatin e kobshëm”, më së shumti pa zë, sesa me zë, kur flet e ulërin shpirti nga brenda! Ato janë si këngët e vajit, që thuren aty për aty, në kodrinën prej shtufe të Kujthit. E që nuk harrohen dot. Në anën e kundërt, kur kurbeti ka shkuar mbarë, ka shëruar mendje e shpirtëra njerëzorë dhe e ka ngritur lartë kulturën e jetesës së fshatit tonë, që i ngjan përherë një vapori madhështor, që pret edhe ai lundrimin në detrat e gjithë botës, ku ka shkelur “këmba” e piqerasiotit, për dritësimin e jetës së mëtejshme…
Por ja, një mesues si Vasil Gjivogli, disa syresh i mblodhi, i zgjodhi dhe i hodhi në një bllok-fletore të trashë, ujdisur me bashkim fletoresh, prej një të burgosori të Repartit 305 të Borshit në vitin 1978, që më pas transferohet në Burgun e Shën Vasilit. Dhe, në ato fletë të zverdhura nga koha e mëpastajme, poeti fabulist dhe mësuesi i apasionuar, 28-vjeçari i asaj kohe, hodhi në këtë bllok-fletore 50 këngë të Folkut Gojor, ku predominon më tepër “plaga e kurbetiit” midis këngësh të tjera (më të pakta) për dashurinë dhe dertet e shpirtit, pa shpëtuar edhe nga këngët militarizuese, shoqëruar me “dithirambe” për Partine e Udhëheqësin e Partisë e të Shteti. Në atë rreth vicioz ideologjik, që te merrte frymën! Se qe një realitet i imponuar nga Diktatura më e egër e BOTËS.
Dhe më parapëlqeu të zgjidhja ato krijime gojore të piqerasiotëve që kanë autincitetin e vetësisë rrëqethëse midis lamtumirës tragjike dhe shpresës së rikthimit, pra, të të dyja anëve të “medaljes”, ku fshihet edhe shpirti gjenial i bashkëfshatarëve të mi, talenti e largpamësia. Është fjala për ato krijime gojore që mbeten në vetëdijen e njerëzve tanë e që transmetohen nëpër shekuj si “zeje” të shtrenjta zemre. Dhe poeti anonim ndërton këtë dialog të dhimbshëm: “Sot nisem për në kurbet/e dashur, medet-medet!/-Ku veni, o burrat tanë?/Për bukë morët dynjanë!/-Te “ulliri i lotëve” e dashur/ të lashë atje,../kur dolla nga Deti Jon../Sytë zunë e më lotojnë!… Çava dete e çava mal/punova ditë edhe natë/-Punuat kudo argatë/kockat tuaja , ku i latë?!…”. Janë vargje kënge drithëruese, që e kanë “plagën” brenda, si një “vello tragjizmi” që i la vajzat, gratë e nënat, me shami të zezë në kokë, tërë jetën, kur as kockat e mërgimtarëve nuk arritën t’i merrnin nga ato dhera të largëta e të panjohura, ku kishin shkuar… Dhe vajtimi sikur mbetet në përjetësi: “Në kurbet kockat i lamë/për bukë morëm dynjanë/ Vajton nëna për evlanë/dhe fëmija për babanë,/nusja pa burrin pranë…”. Dhe më tej, “panorama e ikjeve” te ULLIRI I LOTËVE, bëhet edhe më tragjike, duke e “nxirë jetën” përgjithmonë, pa dritë e pa shpresë: “U tund mali e u nxi deti/U drodh fëmija nga djepi/Iknë djemtë nga kurbeti…”! Duke e shkretuar jetën edhe për kurbetlliun që drobitet nëpër “udhët e botës”, me brengën e vdekjes në gji: “Kur të vdes të bëhesh qyqe,/Të më qash brigje më brigje,/jo me lotë, por me ligje/Të më qashë mua të zinë/Se për ty prisha shtëpinë…”! Dhe tragjizmi merr përmasa universale e fort të dhimbshme, kur vargjet e këngëve të kurbetit, prekin “telat e shpirtit” nga rrugët e bota e asgjësë, me premtimet e tretura nëpër zemra të vuajtura, për t’i dërguar asaj, të dashurës “një shami të shkruar”, “një mandile a një brez”, apo ndonjë “kartë mbushur me mall”, mbetur atje larg “nëpër gryka, si “shërbëtor i ksenitisë”… Dhe në shpirtin e vajzës së fejuar ngjallet edhe protesta njerëzore e braktisjes! “Im zot me kë më lë mua”,-thërret ajo, për jetën e vetmuar që e pret, për dashurinë e saj të humbur. Ndërsa djali i përvëluar nga malli gjithashtu, i kujton vajzës së tij të dashur, tre vite fejuar me të se, nuk i ka shkruar asnjë letër: “Vallë s’kishe bojë, për të shkruar/Leni, moj e dashur-o/ Në s’kishe të merrje hua…/ Mbaj mënd,ç’kemi biseduar/tek një luadh, tek një ftua/Lena, moj e dashur-o…”. Brenga të pafundme që shndërrohen pa pritur në “plagë të thella”. Edhe erotizmi, sikur “derdhet krua” në këto rreshta kënge, ku dashuria buis, me gjithë thjeshtësinë, vërtetësinë e tragjizmin e vet… “Ç’tregon ky defter i shkretë/shkruar me kalem të zi!../Hallet e gjithë fukarasë!…”, nga dhimbja për nënën e babanë dhe për atë “thëllëzën e malit”, që e thërret nga larg:”O thëllëza, gurë mbi gurë/ bëmë mollë, futëm në gji”,- i thotë mërgimtari të dashurës që e ka lënë atje, “gurë mbi gurë”…,përtej deteve e maleve pa mbarim, ku i ka përplasur “dallga e jetës”, kur nuk mundet as ta harrojë atë, “Gushëbardhën me shënjë”… Dhe të gjitha këto vargje brilante, që “Biri i Piqerasit”, poeti Vasil Gjivogli, i mblodhi me durimin e një argjendari, sikur mbetën varur aty, përjetësisht, nëpër degët e “Ullirit të Lotëve”, në jetë të jetëve…
Piqeras, më 23 korrik 2022.
Please follow and like us: