SHBA dhe Shqipëria shënojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, uroi sot popullin shqiptar në 100- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike për miqësinë jetëgjatë midis dy vendeve.
Në një video mesazh dërguar në veprimtarinë festive të këtij përvjetori në Tiranë, Presidenti Biden theksoi se Shqipëria dhe SHBA janë sot aleatë në NATO dhe partnerë që punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Europë dhe në mbarë botën, duke përfshirë edhe punën e përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “SHBA do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Shqipërisë, ndërsa ju çoni përpara punën për të forcuar institucionet demokratike, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar sundimin e ligjit dhe përfunduar rrugëtimin tuaj për anëtarësimin në Bashkimin Europian” – theksoi presidenti Biden. Ai shtoi se Shqipëria ka dhënë gjithashtu një kontribut kritik në mbështetjen e nevojave humanitare dhe të sigurisë për popullin ukrainas, i cili mbron vendin kundër luftës brutale të Rusisë.
Zoti Biden vlerësoi edhe mikpritjen e popullit shqiptar në strehimin e mijëra afganëve gjatë vitit të kaluar. “SHBA mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, dhe u krijua një miqësi e përhershme midis dy popujve, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë, të cilat nuk u thyen kurrë, edhe kur populli i Shqipërisë i qëndroi dekadave në diktaturë” – theksoi presidenti amerikan Biden.
Në veprimtarinë festive me rastin e 100- vjetorit të marrëdënieve Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se Shqipëria qëndron krah për krah partnerit strategjik, SHBA, duke bashkëpunuar në fusha me rëndësi jetike.
Ai shtoi se, falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. “Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit” – deklaroi presidenti Begaj.
Ai tha se SHBA-të janë pjesë e aspiratave të kombit shqiptar dhe garantë të arritjeve të tij, me reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit.
Ndërsa kryeministri Edi Rama pohoi se Shqipëria dhe SHBA janë në një marrëdhënie të pazëvendësueshme strategjike. Ai theksoi se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit. “Shtetet e Bashkuara në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre, sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë ku pa zërin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë vit kur Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Uilson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte” – deklaroi zoti Rama.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim, publikoi gjatë fjalës së saj, krahas mesazhit të presidentit Biden, edhe një mesazh urimi nga familja George W. Bush dhe Laura Bush, presidenti i parë amerikan, që ka vizituar Shqipërinë. Ata uruan popullin shqiptar për arritjet në integrimin europian dhe vlerësuan lart miqësinë e veçantë shqiptaro-amerikane, që patën rastin ta provonin gjatë vizitës në Shqipëri, prej së cilës, thanë se ruanin mbresa dhe kujtime shumë të bukura.
Ambasadorja Kim theksoi se miqësia shqiptaro-amerikane është një miqësi e vërtetë dhe e pandryshuar, e ruajtur me kujdes dhe sakrifica nga vet popujt, pavarësisht përpjekjeve të mëdha për ta zhdukur atë. “SHBA kurrë nuk kanë hequr dorë nga besimi tek Shqipëria sovrane dhe e pavarur, tek miqësia jonë. Jemi krenarë që ndihmuam Shqipërinë të rrëzonte komunizmin në 1991, dhe më vonë të anëtarësohej në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit, si dhe në reformat demokratike” – tha ambasadorja Kim.
Në veprimtarinë e organizuar bashkarisht me ambasadën amerikane, ministrja e punëve të jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, theksoi se “Shqipëria është sot një realitet krejt tjetër nga ai i 100 vjetëve më parë apo nga ai realitet i dhimbshëm që gjeti Sekretari James Baker 30 vjet më parë kur rilindi kjo marrëdhënie e shkëputur në mes për interesa të një regjimi diktatorial. “Ne jemi sot një vend që jep një kontribut real për sigurinë, stabilitetin e paqen në rajon, por edhe më gjerë, pasi Shqipëria në Këshillin e Sigurimit po jep sot një kontribut real në adresimin e çështjeve madhore që shqetësojnë sigurinë e paqen në botë, ku padyshim do të veçoja rolin tonë në dosjen e Ukrainës ku jemi bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha ministrja Xhaçka.
Shqipëria dhe SHBA kanë ndërtuar një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm strategjik në dekadat e fundit, pas rrëzimit të regjimit komunist. Ato kanë ngritur një bashkëpunim të fortë në shumë fusha, si siguria, diplomacia e ushtria, ndërsa marrëdhëniet ekonomike po zgjerohen përherë e më shumë.