Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti botohet në Kamerun
Libri në gjuhën franceze titullohet “Les souvenirs en vers” dhe është përkthyer nga Gaya Esau
Doli nga shtypi përmbledhja me poezi e autores shqiptare “Les souvenirs en vers” (Kujtimet në vargje) nën logon e shtëpisë botuese “Glory Editions” në Yaoundé në Kamerun. Në të gjen poezi që i kushtohen bukurive të natyrës si dhe mallit për atdheun, ndjesive të emigrantit, jetës së vrullshme dhe frenetike që nuk të lë kohë të përqendrohesh e të dëgjosh zërin e shpirtit. Në këtë rendje, autorja përpiqet të gjejë të bukurën në natyrë, por mbi të gjitha njërëzoren, ndjenjat e vërteta dhe jo të shtirura në një teatër njerëzor. Ashtu siç shprehet në një nga poezitë me titull “Rreziku” bota e sotme kërcënohet nga një rrezik i madh që nuk është bomba atomike, por vetmia dhe mungesa e dashurisë.
Vargjet përcjellin dëshirën, mallin për të folur gjuhën shqipe, ëmbëlsinë që të lënë në buzë fjalët e saj pikërisht në një vend të huaj. Autorja përcjell me natyrshmëri ndjenjat njerëzore të përjetuara në vetën e parë. Përkthimi i poezive nga anglishtja në frengjisht është bërë nga përkthyesi dhe poeti Gaya Esau. Dy kopje të librit do të jenë pjesë e Bibliotekës Kombëtare “Peuples Noirs” në Kamerun.
Së fundi, Irma Kurti botoi gjithashtu dy libra nën logon e shtëpisë botuese “Ukiyoto Publishing” në Kanada: “Love, you don’t know” (I dashur, ti nuk e di) dhe “A leaf falls” (Bie një gjethe), libër i përkthyer në anglisht me poezi dhe aforizma të poetes së madhe italiane Grazia Deledda.