Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Fedhon Meksi vjen me librin e ri “RRËNJËT TONA”

Fragment                                   

 

RRËNJËT TONA, NJË KOMB NUK KA TË ARDHME PA PASUR RRËNJË OSE KUR IA PRESIN ATO

Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Të gjithë atdhetarët shqiptarë, që kanë jetuar gjatë viteve 1757-1878, edhe kur i kanë vrarë ose helmuar për ta është thurur dhe ende thuret një propagandë e hapur me shpifje dhe trillime jo vetëm nga jashtë, por fatkeqësisht edhe nga brenda vendit. Skënder Luarasi (1900-1982), i biri i dëshmorit Petro Nini Luarasi, dëshmon se gjatë shek. XIX janë vrarë ose helmuar 20 mësues, autorë abetaresh dhe lëvrues të gjuhës shqipe. Është e sigurtë se ata që vrisnin dje, sipas një regjie të hershme janë po ata që sot baltosin dhe trillojnë për  shqiptarët që i janë dedikuar çështjes kombëtare.

Trimin Mahmud pashë Bushatin, që i mposhti hordhitë anadollake sa herë e sulmonin, ia kanë falur harresës. Nuk gjendet në Shkodër një rrugë që të quhet Mahmud pashë Bushati ose asllani i Shkodrës dhe Skënderbeu i ri, sikurse e njihnin të gjithë shqiptarët e kohës.

Ali pashë Tepelena është sulmuar më shumë nga gjithë të tjerët, por duke vazhduar kronologjikisht nuk mund të thuhet se është kursyer dr. Vangjel Meksi,  mjeku i tij dhe shqipëruesi i “Dhiatës së Re”. Sapo ndërroi jetë (1823), emri i tij u hoq nga ballina e librit të shenjtë që ai e kishte shqipëruar 20 vjet para rumunëve dhe 5 vjet para bullgarëve.

Në vitin 1846, Patrikana dhe Porta e Lartë helmuan Naum Bredhi-Veqilharxhin, i pari ndër shqiptarët dhe të huajt që tregoi lashtësinë e kombit shqiptar dhe përparësinë e kombit mbi fetë si bazë e harmonisë fetare, një fenomen specifik i popullit shqiptar. Kanë kaluar 200 vite dhe në ndonjë libër të ditëve tona vazhdon të shpifet “trashë-trashë” edhe për Naumin, dëshmorin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Vetëm për nga letërnjoftimi janë shqiptarë ata që baltosën figurën e atdhetarëve Vangjel Zhapa dhe Anastas Byku. Kurse për dr. Apostol Meksin, etnologu i parë shqiptar, ishte zgjedhur një tjetër mënyrë baltosjeje, ajo e harresës.

Duke filluar nga mesi i shek. XIX, atdhetarët shqiptarë, intelektualë, por edhe studentë, filluan të mbledhin prova direkt nga populli, që të dëshmonin se etnografikisht shqiptarët ndryshonin nga popujt e tjerë. Kanë kaluar 200 vjet, por gjimnazistëve të Zosimeas, Apostol Meksit dhe Kostandin Kristoforidhit u mohohet vërtetësia e përrallave e gjëegjëzave që mblidhnin kudo në Shqipëri.

Shqiptarët nuk duhet t’i falin as edhe ata që kanë mbajtur të fshehur shkollën e Labovës së Madhe me foshnjore, fillore, qytetëse dhe dy klasë gjimnaz, ku mësohej edhe gjuha shqipe me abetaren “Grammë për shqiptarët” e Anastas Bykut nga Lekli (1861).

Tashmë është provuar se përparimi i një kombi varet ngushtësisht prej programeve mësimore dhe teksteve shkollore që u vihen në përdorim, veçanërisht nxënësve të sistemit parauniversitar. At Zef Pllumi përsëriste se: “Programet dhe tekstet shkollore janë ato që ose e naltojnë dhe e çojnë përpara kulturën dhe njerëzit e saj, ose e shëmbin dhe i varosin ato”. Veçse, programet mësimore dhe tekstet e  “Historisë së Popullit Shqiptarë” të shek. XVIII-XIX, duke filluar prej arsimit parauniversitar, duhet të përmirësohen dhe të plotësohen. Nga ana tjetër, nxënësit e shkollave parauniversitare, si kudo në botë, njohuritë bazë për historinë e popullit të tyre duhet t’i marrin qysh në fëmijëri nga prindërit e tyre, të cilët, për fat të keq, edhe ata kanë pasur mësues historie zakonisht pa interesa të veçanta për atë lëndë.

Mësimi i mangët i Historisë së popullit shqiptar në shkollat e mesme që mjaftohet vetëm me Skënderbeun, pa u thelluar me Mehmet e Mahmud Pashë Bushatin dhe Ali pashë Tepelenën, për të vazhduar të paktën me Naum Bredhi Veqilharxhin, dr. Vangjel Meksin,  Evstrat Vithkuqarin, dr. Jan Velarain,  Haxhi Shehretin, Vangjel  Zhapën, Athanas  Paskalin, Anastas Bykun, Apostol Meksin, Kostandin Kristoforidhin, De Radën, Panajot Kupitori, Anastas Kullurioti etj., që janë edhe ata rrënjët tona, është një “krim patriotik” dhe një nga faktorët e ftohjes së të rinjve shqiptarë me atdheun dhe të parët e tyre, dhe si pasojë me emigrimin masiv që po rritet në mënyrë galopante.

Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti  Skënderbeu, pa dyshim është më i madhi ndër shqiptarët e djeshëm dhe të sotëm. Por të rinjtë e sotëm sigurisht që mund  të zgjedhin për të pasur si model edhe një tjetër për krah  Skënderbeut, ndoshta një ose më shumë nga ata që u paraqitën më sipër, ose të tjerë që u dalluan gjatë Lidhjes së Prizrenit, ngritjes së flamurit, ose në luftën fitimtare të  Vlorës, si edhe në luftën kundër pushtuesve nazi-fashist dhe veglave të tyre.

Por këta trima shqiptarë fillimisht duhen që të njihen nga të rinjtë e sotëm, pasi t’ja ua paraqesim në librat e tyre të historisë, në të cilët duhet të vendosen  disa raporte të tjera e të llogjikshme midis kapitujve, ndoshta edhe të shtohen disa të tjerë për periudha të caktuara të historisë së popullit shqiptar me aktivitet të dëndur patriotik.

Kurse, qëllimi i librave që kam shkruar deri më sot dhe veçanërisht i librit që po lexoni, është që të paraqes të vërtetat e jetës dhe veprës së patriotë shqiptarë, dhe veçanërisht të evidentojë baltosjet, shpifjet dhe trillimet mbi ta dhe më në fund të armatos lexuesit shqiptarë me fakte dhe argumente të reja ose të pa paraqitura me qëllim, disa prej të cilëve nuk mësohen në shkolla, ose mësohen pjesërisht dhe në ndonjë rast edhe me gabime.

 

Please follow and like us: