Vangjush Saro: Rama ra, koha për zgjedhje të parakohshme
Rama ra. Kush ngrihet?
Rama ra. Jo pse iku ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj; jo pse shkoi edhe ish-ministri Gjiknuri; jo pse kishte shkuar më parë Tahiri; jo pse theu qafën m’andej Beqja; jo pse u kap keq zëvendësministrja e brendshme. Edi Rama kishte rënë kaherë, qëkur i mori partinë Rexhep Meidanit me një “fazë të tretë” te pesëmbëdhjetëkatëshi… (Kjo më kujton vitin e largët kur ekipi i Skënderbeut të Korçës, i drejtuar nga Aleko Pilika, ishte një skuadër e frikshme, që mundte ekipet e kryeqytetit në kryeqytet dhe fitoi Kampionatin Kombëtar të futbollit, por befas hileqarët e Tiranës shpikën një “fazë të tretë” dhe aty përmbysën gjithçka.) Kështu edhe z. Rama, organizoi një si puç dhe erdhi në krye të Partisë e të klanit që do të merrte në dorë fatet e vendit për disa mandate.
Rama ra. Në të vërtetë, ai kishte rënë kur Tirana u mbush me kulla (flitet se pastrohen para) duke e pështyrë veten dhe gjetjen e tij të mëparshme “Kthim në identitet”. Ju kujtohet, mo? Çfarë karagjozësh! Ai ra kur vendi u zhyt me kanabis, kur administrata dhe policia ndihmonin “çunat” të jepnin e të merrnin të sigurt me “mallin” e tyre. Ai ra kur plasi skandali i inceneratorëve. Ra kur bëhej copash për atë që quhet Shengen Ballkanik, duke shtyrë tutje Kosovën, ndërkohë që kishte rënë edhe më parë apo do të binte me siguri duke shitur Portin e Durrësit, Butrintin…
Rama ra, e çfarë të rënë, kur pranoi që një sërë ektremistë të mohonin kontributin e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, kinse për të bërë njëlloj “paqeje” me nacionalistët. (Kush ia kërkoi? Vjen koha dhe njerëzit, ekspertët thonë fjalën e tyre e vendojnë për tema të rëndësishme ku, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, jemi disi të vonuar.) Ai ra gjithaq duke ngarkuar e lënë në detyrë njerëz të cilët i luante dhe i luan si të ishin marioneta, duke zeruar çdolloj pavarësie të institucioneve dhe çdo autoritet ekspertësh të vërtetë.
Më në fund, Rama ra sërish kur administrata e tij sajoi puçin më të fundit politik, atë kundër ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta. (Sot u kujtuan për “dosjen” e tij?) Edhe atë nuk mund ta vlerësoj dot e, nuk di në mund të shpëtojë nga aferat e veta; asnjë nga këta që janë sot dhe ende në politikë, nuk ka vëmendjen time… Gjithsesi, këtu u shpik një histori pa histori, ashtu siç shpiken armiq të paqenë, por edhe heronj e disidentë të paqenë, ashtu siç dhunohen emrat e atyre që sakrifikuan veten e familjet dhe që, në shumë raste, u vranë për së dyti nga regjimi i shkuar. Në të vërtetë, në të gjitha aspektet, vendi është bërë një mish-mash dhe aq.
Duke përcjellë me trishtim pyetjen “Kush ngrihet?” – një problem tjetër, që një Zot e di si do të bëhet – tash mund të themi se është koha për zgjedhje të parakohshme.