Vuçiqi po e kërcënon Kosovën me luftë, si Millosheviçi/Psikopati iu premton fitore
Idriz Morina
Këshilli Kombëtar i Sigurisë bëri mirë që u mblodh dhe e shqyrtoi situatën, rreziqet e mundshme për ndonjë protestë të dhunshme apo akte të tjera dhune të paralajmëruara dhe nxitura nga Serbia dhe nga grupet kriminale ndërkombëtare serbe që veprojnë në Kosovë, si ato të Zvonko Veselinoviçit dhe Millan Radojçiqit.
Luftënxitja nga Serbia
Kërcënimin ndaj paqes e ka bërë hapur presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, duke e paraqitur Serbinë si një vend me fuqi të jashtëzakonshme, dhe se nëse Kosova nuk i bindet kësaj, do të përballet me luftë.
“Nëse nuk duan ta ruajnë paqen, po ju them – Serbia do të fitojë”, ka thënë Vuçiq për mediat në Serbi.
Nuk është ky kërcënimi i parë i bërë prej kohësh, përkundrazi, pas një periudhe të shkurtër kohore. Ai edhe para pak ditësh e kërcënoi Kosovën, nëse institucionet tona nuk heqin dorë nga zbatimi i rendit kushtetues, duke kërkuar që t’i nënshtrohen institucioneve dhe akteve të shtetit serb.
Në fund të muajit qershor, po për çështjen e hyrjes në Kosovë pa letërnjoftime të Serbisë, por me ‘letra’, siç ua bën Serbia shqiptarëve, që hyjnë në Serbi, dhe për ndalimin e qarkullimit të serbëve të Kosovës me targa të Serbisë, Vuçiqi qe kërcënuar me forcë shkatërrimtare për Kosovën: “Përgjigjja jonë do të jetë e matur, por vdekjeprurëse dhe e vërtetë”.
Pra, ai e ka shfaqur në vazhdimësi, si edhe në këtë rast karakterin e tij të sëmurë, të psikopatit, madje me kërcënime nganjëherë që i tejkalojnë edhe kërcënimet e Milosheviçit, veçmas në kontekst të kohës. Atëherë Kosova ishte me autonomi dhe më pas e okupuar, ndërsa tani e çliruar dhe e pavarur.
Po ashtu vetëm pak ditë para asaj deklarate, po në muajin qershor, Vuçiqi kishte kërcënuar me luftë nëse bllokohet iniciativa “Ballkani i hapur”. Pra, duke e zbuluar se sa ka rëndësi për Serbinë ky projekt, dhe strategjinë ‘emergjente’ të këtij shteti.
Pra, duke qenë një nismë e këtij karakteri për Serbinë është e qartë, që ai është një projekt me zanafillë serbe dhe i zhvilluar si i tillë, për të arritur qëllime hegjemone dhe serbomëdha.
Provokimi për inicim konflikti
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të shtunën ju ka kërkuar të ashtuquajturve përfaqësuesve serbëve në veri të Kosovës, që të fillojnë ta formojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe, pavarësisht që nuk ka marrëveshje lidhur me këtë çështje.
Kjo është një nga thirrjet e para, pas shumë vitesh, që zbulon skenarin serb, se në çfarë mënyre Serbia synon ta dezintegrojë veriun nga Kosova.
Po ashtu ky kërcënim u bë edhe me qëllim, siç e zbuloi vet Petroviç, si kundërpërgjigje ndaj Kosovës, e cila ka vendosur që nga nesër, ta fillojë zbatimin e vendimeve të qeverisë për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.
Vetëm pasi lufta në Ukrainë për Rusinë shkoi shumë keq karshi skenarit të saj, për ta pushtuar tërë vendin fqinjë, dhe filluan të pësojnë humbje të mëdha ushtarake, Serbia filloi të tërhiqet nga retorika e luftës.
Por, si duket kjo retorikë po riushqehet me shfaqjen e skenarëve të reja të errëta, se mbi të gjitha do të ketë një recesion thuaja në gjithë Perëndimin dhe rrjedhimisht një krizë ekonomike, që mund të nxisë pakënaqësi të mëdha në Europë, pastaj se një konflikt i ri i armatosur mund të shpërthejë në lindje, si pasojë e ekspansionit kinez, deri tek skenari i përfshirjes ushtarake të SHBA-së me Kinën për Tajvanin.
Serbia është e vetëdijshme se në një luftë frontale me Kosovën në rrethanat aktuale, as që mund ta mendojë, por do të përpiqet të krijojë konflikt duke i bërë ‘mish për top’ serbët në veri të Kosovës dhe përgjithësisht serbët e pakët që i kanë mbetur besnik dhe jetojnë në zonat tjera të vendit.
Një luftë do të nënkuptonte zbrazjen e veriut nga serbët sepse nuk do të ishin të gatshme ta përballonin barrën e luftës me fuqinë goditëse gjithnjë e në rritje të Kosovës, me fillimin e përshpejtimit të armatimit gjithnjë e më të mirë të FSK-së për goditjen precize të caqeve tokësore, pavarësisht llojit të armatimit, ndërsa ajo nuk do të guxonte të ndërmerrte në asnjë mënyrë sulme nga ajri, me aeroplan.
Armatosja me dron, Javellin dhe armë të tjera të manipulueshme lehtë dhe shumë efikase, e ka përmirësuar dukshëm raportin e sigurisë së Kosovës.
Në anën tjetër Kosova duhet të përshpejtojë, investimet në armatime të tilla efikase, por edhe në mbrojtje antiraketore, si Iron Dome, të cilat krijojnë siguri të lartë dhe mbrojtje nga sulmet raketore.