Albspirit

Media/News/Publishing

FERID MURADI, DJALI I SHQIPTARIT NGA LLAKAVICA E GOSTIVARIT

FERID MURADI, DJALI I SHQIPTARIT NGA LLAKAVICA E GOSTIVARIT,  SIMBOLI I TALENTIT, PUNËS, PËRKUSHTIMIT DHE DËSHIRËS PËR T’I SHËRBYER NJERËZIMIT

Nga Hysen Kobellari

“Është me rëndësi që të ketë arsim cilësor, në mënyrë që vendi të zhvillohet ekonomikisht dhe të bëhet konkurrues. Gjithashtu e rëndësishme është që atyre, të cilët shkojnë jashtë për të studiuar, t’u krijohen kushte për të shërbyer në vendin e vet, sepse secili, në fund të fundit, më së shumti ka nevojë të punojë për atdheun e vet”

Dr. Ferid Murati,

(Nga fjala e mbajtur gjatë marrjes së Dekoratës “Qytetar Nderi i Kosovës”)

Doktor Ferid Murati është studiues shqiptaro-amerikan i mjekësisë dhe farmakologjisë me famë botërore, fitues i çmimit Nobel për mjekësi e fiziologji në vitin 1998. Ai është Doktor Nderi i Shkencave në disa Universitete të botës, por edhe në Universitetet e Tetovës, Tiranës, etj. Spitali i Përgjithshëm i Gostivarit mban emrin e tij të ndruar. Doktor Feridi është bir i shqiptarit Xhabir Murat Ejupit nga Llakavica e Gostivarit, i cili emigroi që në rini nëpër botë dhe rriti e edukoi fëmijë me veti të larta intelektuale e njerëzore, shembull për të rinjtë e të gjitha brezave…

Arritja më e rëndësishme në veprimtarinë e tij shkencore dhe hulumtuese është marrja e Çmimit Nobël për mjekësi dhe fiziologji në vitin 1998 për zbulimin lidhur me zbatimin e oksidit nitrik si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular, por jo vetëm kaq; kërkimet e tij shkencore vetjake, por edhe pjesëmarrja aktive në grupe kërkimore shkencëtarësh nga e gjithë bota, janë kontribute të vyera në dobi të shkencës dhe përmirësimit të jetës njerëzore përgjithësisht. Dr. Feridi ka laboratorët e tij nëpër botë; në Azi kërkuesit janë në rrugën e zbulimit të medikamenteve për sëmundje të pashërueshme deri tani, për disa lloje të kancerit; ai ishte në grupin e kërkuesve që zbuluan Viagra-n…

Rrënjët- nga toka e babait të tij…

Në Llakavicë të Gostivarit, në vitin 1892 u lind Xhabir Murat Ejupi, babai i Feridit, më i madhi prej katër fëmijëve të familjes së njohur myslimane. Prindërit e tij ishin besimtarë dhe fëmijët e tyre u bënë të tillë. Banorët e trevës së Gostivarit dallohen për inteligjencë të lindur, guximtarë, që e marrin rrezikun në sy, shumëtë dëshiruar për punë, barinj e bujq të mirë, por edhe ndërtues e gjellëbërës të talentuar …

Ekonomia e dobët e familjes Ejupi mbahej kryesisht me blegtori dhe me atë pak bujqësi të zhvilluar në tokën e tyre të paktë. Bagëtia kullosnin pyjeve, ndërsa buka sigurohej në kopshte sipërfaqesh të kufizuara. Nëna e Xhabirit u nda nga kjo jetë kur djaloshi ishte vetëm 13 vjeç. I mbetur jetim, ai u përpoq të gjente një punë me të ardhura më të mëdha; provoi ndërtimtarinë, pastaj u bë sheqerxhi dhe pasi u largua nga vendlindje, udhëtoi nëpër vende të ndryshmet të Ballkanit duke shitur ëmbëlsira. Ndërkohë, përveç shqipes dhe maqedonishtes, që i mësoi shumë shpejt, ai kishte njohuri të mira edhe në gjuhët turke e arabe, pasi pati kujtesë të fortë dhe zell për të nxënë në përgjithësi. Kur ndërroi jetë në vitin 1976, i begatuar me pasuri e fëmijë të hajrit, buzën në iman, në moshën 84 vjeçare, fliste mirë 7-8 gjuhë të botës…

Nga Europa- drejt Amerikës së mundësive të pafund përparimi …

Xhabiri sapo kishte kaluar të 20-tat, kur u gjend me punë në Austri në mes të një grupi të rinjsh entusiaztë e me dëshirë për mësim, punë e përparim. Pëlqente shumë makinat e reja, që zbukuronin asokohe rrugët e Europës. Mësoi shumë shpejt të udhëtonte me automobil duke qënë vetë në timon, pasion të cilin nuk e harroi gjithë jetën. Si grup shoqëror të rinjsh vendosën të emigronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të joshur nga reklamat, filmat, thashethemet për mundësitë e mëdha të pasurimit në “Botën e Re” …

Pasi hoqën një rrugë plot peripeci e mundime, arritën në Ellis Island, në gusht të vitit 1913. Oficeri i emigracionit i kërkoi të deklaronte emrin Xhabirit, por ngaqë nuk i shqiptonte dot saktë gjeneralitetet shkroi në dokumenta emrin John Murad dhe kështu i vulosi dokumentat e tij. Kaloi fillimisht nëpër punë të mundimshme duke punuar me orar të zgjatur në mullinj çeliku, në miniera e fabrika në Cleveland dhe Detroit, bëri një dorë të mirë dollarë dhe shkoi nëÇikago, ku kishte disa miq e të njohur shqiptarë. Pëlqente të bënte punën e shoferit, por nuk i bënte naze çdo lloj pune që i dilte përpara…

Matresa e Xhabirit dhe lindja e fëmijëve …

Xhabir Murati punoi për shumë vite në qytete të ndryshmet të Amerikës, ku të gjente punët më me leverdi, duke dalë përfundimisht nga varfëria, derisa në moshën 39 vjeçare ishte bërë me shtëpi e biznes të vogël; u martua me Henrietta Josephine Bowman, e cila kishte lindur më 1918 në Alton, Illinois, në një familje zanatçinjsh me shumë fëmijë. Mundimet dhe varfëria në fëmini dhe mungesa e arsimimit zyrtar të prindërve të vet, u bënë mësime të vyera për ta, që pasardhësit e tyre me doemos të arsimoheshin për së mbari dhe të hynin në radhën e inteligjencës së merituar amerikane. Feridi që lindi i pari (1936), u bë siç e din gjithë bota, po edhe vëllezërit e tij John Abderrahman(1938) dhe Turhan Allen(1944) u bënë përkatësisht njëri mjek dentist i njohur, stomatolog dhe tjetri profesor i antropologjisë, me gradëdoktor shkencash të fituar.Vini re se si edhe në emrat e djemve të vet në Amerikë, Xhabir beu u përpoq të ruante rrënjët e familjes islame prej nga ata rridhnin !

Ata u rritën në një apartament me katër dhoma, prapa restorantit të prindërve …

Puna – simbol i suksesit të djemve të emigrantit …

Ferid Murati u lind në 14 shtator 1936 në banesën e vogël e të ngrohtë, pronë e  familjes, mbi një furrë buke nëWhiting, Indiana. Banesa e përbashkët dhe biznesi i kombinuar me furrë buke, bujtinë nevojtarësh, restorant, kafene, etj., ndikuan fuqishëm në ardhmërinë e shkencëtarit të ardhshëm dhe vëllezërve të tij. Fëmijët, ashtu si edhe prindërit e tyre ishin mjaft të lidhur me punën në biznes, duke punuar me orë të tëra në të gjitha llojet e punëve ku e lypte nevoja si larje pjatash e enësh, pastrim lokali, bukëpjekës, kamarier, banakier, shërbime për të moshuarit në nevojë, etj. Prindërit patën punuar 15-16 orë në ditë para se të përkëmbeshin djemtë, ndërsa nëna e re, si flutur gjente kohë që të kujdesej edhe për fëmijët, midis njërës punë dhe tjetrës që e priste…

Siç tregon edhe vetë shkencëtari, në lokalin e tyre vinin njerëz të shtresave të ndryshmet sociale, që nga punëtorë të thjeshtë, teknikë e inxhinierë, bankierë e biznesmenë, deri tek profesorë e mjekë me emër; restoranti kishte 28 ulëse dhe Feridi i ri vuri në provë disa herë kujtesën e vet duke memorizuar porositë dhe çmimet, i regjistronte shifrat në kokë, pastaj arkëtonte tek kasa shumën e secilit mysafir. Familja kishte në pronësi ndërtesën që kishte dy apartamente të vogla, restorantin, po edhe 21 dhoma gjumi në katin e sipërm ku banonin njerëz me qira të arsyeshme, shpesh të moshuar e me të ardhura të pakta. Nëna e Feridit kujdesej shpesh për ta, ua përgatiste ushqimin e ngrohtë sipas dëshirës kur ishin të sëmurë; nga ajo dhe nga gjyshja e dhembshur Bowman djaloshi mësoi ç’është dashuria për njerëzit dhe bujaria për ta, gjë e cila ndikoi në zgjedhjen e karrierës së tij në mjekësi. Nga babai mësoi disa aftësi e të fshehta për mbarëvajtjen e biznesit, si dhe disa teknika për riparimin e shpejtë e efikas të pajisjeve të shumta që prisheshin shpesh në atë ndërtesë të vjetër që kishin.

Nga mjekësia – drejt majave të shkencës…

Që kur ishte 12 vjeç Ferid Murati dëshironte të bëhej mjek. Kur përfundoi klasën e tetë, nxënsve iu kërkua të zgjidhnin tre degë ku dëshironin të thellonin njohuritë; Feridi zgjodhi të bëhej mjek, mësues, farmacist, pasi më 1948-ën farmakologjia klinike nuk ishte pjesë e disiplinës sëmjekësisë. Të treja dëshirat e tij u realizuan me sukses në jetë, sepse në fund të fundit njeriu ështëçfarë ai dëshiron …

Shkolla e mesme pati qënë relativisht e lehtë për Feridin; në fillim ai pati rezultate të mira, cilësia e notave pastaj u rrit ndjeshëm, derisa ai u bë student i shkëlqyer. Disa prej mësuesve të tij ishin klientë të restorantit, ndërsa Ronald Delismon ishte shoku i tij i ngushtë që nga koha e kopshtit, I cili u bë inxhinier aeronautike. Më 1950-ën pati një propozim për të aplikuar në Universitetin e Çikagos, por ishte në vitin e fundit të së mesmes dhe nuk mund ta braktiste atë. Pastaj aplikoi me sukses për një bursë në Univ. DePauw në Greencastle, Indiana, një institucion i vogël dhe shkoi atje nga 1954-58, ku studio paramjekësi dhe degë të dytë kimi. Ndërkohë, në verë punonte si ndihmëskamarier dhe punë të tjera, për të mbuluar vetë shpenzimet e veta. Në pranverën e vitit 1957 Feridi shkoi me pushime në Fort Lauderdale, Florida, ku u njoh me Carol Ann Leopold, nga Sain Louis, me të cilën u martua më 21 qershor 1958, pas diplomimit në shkollën e përbashkët, ku gruaja studionte për anglisht, dhe spanjisht për t’u bërë mësuese …

Nga kjo martësë u linden 4 vajza, nga të cilat dy binjake, ndërkohë që djali i parë u lind më 1967, kur mjeku mbaroi praktikën. Feridi ndoqi gjithashtu Fakultetin e Mjekësisë në Univ. e Washingëtonit, në St.Louis, më 1958 në Fakultetin e Farmakologjisë. Më vonë ai u bë pjesë e grupeve të kërkuesve shkencorë, të cilët punuan me pasion e përkushtimnë fushën e prodhimit të ilaçeve shëruese, pasi zbuluan shkaqet e sëmundjeve dhe makanizmin e veprimit të kimikateve në organizmin e prekur të njeriut. Spitalet dhe Laboratori u bënë shtëpia e tij e dytë.

Dhe historia vazhdon…

Doktor Ferid Murati ka qënë për herë të parë më 1999 në vendlindjen e babait të tij, në Gostivar të Maqedonisë dhe e ka vizituar këtë vend 5-6 herë. Nipi i tij Ferid Muaremi u specializua për një vit e gjysëm në laboratorin e tij në USA, pastaj i përfundoi studimet për mjekësi në Tiranë. Nobelisti është i gatshëm të ndihmojë shqiptarët të studiojnë e punojnë pranë tij dhe ka bashkëpunim të frytshëm me Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni.

Please follow and like us: