Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Racioni i zagarit

Suksesi i gjahtarit varet në një masë shumë të madhe nga përkushtimi dhe aftësia e zagarit. Detyra e zagarit është që të nxjerrë kafshën që gjuhet në vendin e pozicionin e përshtatshëm. Atëhere gjahtari e vret, e rjep i ha mishin, i thyen koskat dhe i thitt palcën. Me lëkurën e kafshës bën rrobat e tij. Mund të ndodhë që t’i ballsamosë kokën ose pjesë të tjera dhe t’i vendosë si trofe në muret e mbi dyert e tij. Racioni i zagarit vjen nga mishi, gjaku dhe organet e brendshme të kafshës që zagari e solli në pozicionin e vendin ku ajo u bë viktima e gjahtarit.

Që nga dita kur u krijua shteti serb e mori pozitën e gjahtarit kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në planin shtetëror vrasja e shqiptarëve konsiderohej detyrë patriotike. Mbretërit serbë u thoshin ushtarëve të tyre: “Sa më shumë shqiptarë të vrisni e të shpërngulni, aq më të mëdha janë meritat tuaja ndaj atdheut”! Intelektualët më në zë të Serbisë në studimet e tyre “shkencore” planifikonin e vazhdojë të planifikojnë zhdukjen e masakrimit të popullit shqiptar. Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe i shërben më fort se kurrë gjithë sistemi i propagandës së Serbisë, sidomos nga koha që në pushtet ardhi Aleksandër Vuçiçi. Por mbi të gjitha instrumenti më i zellshëm kundër shqiptarëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet Kisha Ortodokse Serbe, e cilla shpall shenjtorë të gjithë ata që vrasin, masakrojnë e shpërngulin shqiptarët. Pas përmbysjes së Komunizmit, sidomos pas fitimit të pavarësisë së Kosovës, populli shqiptar u shpëtoi gjahtarëve serbë. Por fatkeqësisht zagarët e Serbisë mbetën: Si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e kudo në trojet që banojnë shqiptarët. Dhe kemi të bëjmë me zagarë të egër, me zell të pashembullt, me përkushtim ekstrem ndaj padronëve të tyre serbë. Kryezagarët shqiptarë të neo-Millosheviçit, Vuçiç tani kanë zënë pozitat e Kryeministrave në Shqipëri dhe në Malin e Zi dhe po përpiqen me zell të madh ta plotësojnë ëndërrën e “Sërbisë së madhe” të Vuçiçit: Popujt që u çliruan me luftë e me sakrifica nga zgjedha serbe t’i futin përsëri nën këtë zgjedhë. Këta “kryezagarë” të politikës kanë si asistencë zagarë që shërbejnë në sektorin e masmedias e të propagandës, ekonomisë, etj. Është shumë tragjike të shohësh se si në masmedian shqipfolëse në rolin e analistëve vendosen persona tejet të korruptuar të cilët për vite me rradhë në të gjitha komentet e tyre kanë qenë gjithmonë avokatët e projekteve e planeve të Serbisë për Kosovën e për gjithë shqiptarët. Askush nuk e analizon as veprën, e as karakterin e këtyre “analistëve të shquar”. Askush nuk e merr mundimin të analizojë burimin e të adhurave të tyre marramendëse. Dhe populli shqiptar, i mpirë dhe i hipnotizuar nga propaganda zyrtare qëndron pasiv, harron se racioni i bollshëm i këtyre zagarëve të propagandës, si edhe racioni i zagarëve të politikës së Vuçiçit është një parapagim për mishin e për gjakun e vet. Populli thotë: “Ujku qimen e ndërron, po zakonin nuk e harron”! Historia na mëson se kjo është shumë e vërtetë për “Ujkun Serb”.

Le të shohim se sa herë e kanë ndryshuar qimen ujqit serbë këto vitet e fundit. Fillimisht ishin monarkistë fanatikë. Pranuan me zell të plotë rolin e zjarrvënësit për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Dhe kështu i realizuan ëndërrat e tyre: U krijua Jugosllavia që faktikisht ish:Popujt e Ballkanit Perëndimor në dominimin e skllavërinë serbe! Pastaj në pragun e Luftës së Dytë Botërore serbët e ndryshuan qimen, u bënë komunistë po aq të flaktë saç kishin qënë monarkistë fanatikë. Po edhe në petkun e nën parullat e tyre komuniste synimet e tyre për të sunduar të tjerët, e sidomos antishqiptaria, mbeti. Masakrat e krimet vazhduan tashmë nën petkun e parrullat komuniste, shqiptarët tani masakroheshin sepse ishin “armiqtë e Komunizmit”. Po aq të egra vazhduan masakrat e persekutimet e shqiptarëve edhe në kuadrin e Jugosllavisë në petkun e “Vllazërim-Bashkimit”, etj. A jemi aq naivë se “Ujku Serb” do ta harrojë zakonin e tij po u vesh me petkun e ideve të George Soros, apo po na doli me parulla të Bashkimit Evropian e të tregëtisë së lirë? Pardje, në një takim të organizuar nga një nga partitë kryesore politike në Frankfurt, gjatë koktejt pas takimit, në kohën kur hiqen maskat e nuk përdoret më frazeologjia e të qënit “korrekt politikisht” dëgjova, ndërmjet të tjerave, komentin e mëpshtëm: “Rrezik i madh për Evropën nuk janë vetëm Rusia e Serbia, apo dhe klanet e tyre në vendet Ortodokse e tradicionalisht pro-Ruse. Rrezik i madh gjithashtu janë edhe kombet pa kulturë e pa tradita kombëtare. Këto kombe shëndrohen lehtë në jeniçerë dhe zagarë. Le të shohim se kush po lufton më me egërsi në Ukrainë? A nuk janë Çeçenët për të cilët pak vjet më parë protestonim kundër Putinit, i kërkonim të ndalonte masakrat kundër tyre? Sot çeçenët janë ata që masakrojnë më me zell në Ukrainë dhe janë të gatshëm që po ti urdhërojë Putini të na vijnë e të na masakrojnë edhe ne, ne që dje përpiqeshim ti mbronim nga Putini. E njëjta gjë ndodh edhe me shqiptarët: Pak vite më parë luftuam që t’i mbrojmë nga Millosheviçi. Tani ka ardhur në pushtet Vuçiçi, ish ministri i propagandës së Millosheviçit dhe aleatët e tij më të zellshëm, zagarët për realizimin e planeve të tij për zonën e ish Jugosllavisë janë bërë po shqiptarët: Rama e Dritan Abazoviçi. Kur Sërbia të fillojë luftën, sepse gjithë ato armatime nuk i ble kot, a do t’i shohim shqiptarët të luftojnë për Vuçiçin ashtu si po shohim Çeçenët të luftojnë me përkushtim të plotë për Putinin”? Është jetike për shqiptarët të njohin se cilët janë gjahtarët e tyre. Po aq jetike është që të njohim se cilët janë zagarët që u shërbejnë këtyre gjahtarëve. Populli shqiptar e ka provuar egërsinë e mizorinë e gjahtarëve sërbë. Populli shqiptar e di se “Ujku Serb” sido që ta ndryshojë qimen, zakonin nuk e harron! Nuk ka gjë më të turpshme për ne si komb të degjenerojmë deri në atë shkallë sa të bëhemi një komb zagar i politikës së Vuçiçit. Kombi çeçen ishte i izoluar, intelektualët e tij nuk kishin asnjë mundësi të flisnin kundër zagarëve të kombit të tyre. Mundësitë e shqiptarëve, të intelektualëve shqiptarë, janë shumë më të mëdha.

Please follow and like us: