Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: PËR DOM NDRE ZADEJËN DHE PATËR ANTON HARAPIN

(Kisha e Shën Rrokut, Shirokë, 27 korrik 2022)
Është vërtet emocionuese të marrësh pjesë në përkujtimin e dy meshtarëve, e dy martirëve. Dy njerëz të kishës të cilët janë martirizuar për hir të misionit të tyre. Është emocionuese se i përkujtojmë këtu në një kishë. Në kishën që ka simbolin e saj të lartë, të shenjtë, universal – kryqin. Prej kryqit buron shpëtimi. Më vjen ndër mend titulli i një romani të shkrimtarit Kazanxaqi “Krishti kryqëzohet përsëri”. Në Shqipëri priftërinj të klerit katolik janë kryqëzuar, janë martirizuar si askund tjetër. Vrasjet ndër ne të klerikëve dhe të poetëve janë krime të pashembullta në histori. Po në këtë rast ky është gjak i kryqëzimit, gjak i derdhur për shpëtimin, për çlirimin e njeriut nga e keqja, për çlirimin e shoqërisë prej pushtimit të ligësisë së ngritur në sistem, për çlirimin e vendit nga zaptime të ideologjive shkatërrimtare. Dom Ndre Zadeja, patër Anton Harapi që na mbodhën sot do të thoja se janë dy herë shenjtorë, shenjtorë të kishës, shenjtorë dhe të kulturës. Ishin klerikë e poetë, veprimtarë dhe shkrimtarë.
Do të ndalesha dhe në një aspekt që u përmend nga parafolësit. Këtu të mbledhur në një kishë ka edhe myslimanë. Kujtoj se më 1936 Shkodra ka përcjellë me madhështi eshtrat e dy Jugorëve, të Muço Qullit dhe të Çerçiz Topullit. Fjalimi i famshëm i patër Anton Harapit në këtë ditë mortore të përcjelljes së eshtrave të gazetarit Muço Qulli dhe të luftëtarit të Pavarësinë Çerçiz Topulli do të mbahet mend gjatë. Vërtet ne shqiptarët kemi ndarje në.bazë të religjoneve, por kemi unitet shpirtëror kombëtar si shqiptarë. Dhe këtë bashkim shpirtëror e kanë ngulitur figura të larta si këta që përkujtojmë. Patër Anton Harapi në atë fjalim thoshte: o ju eshtra të Muço Qullit dhe të Çerçiz Topullit kur të shkoni tej për tej Shqipërisë thoni se Shqipëria është një, një dhe prej gjakut të martirëve Shqipëria ringjallet dhe shkon më tej. Është një tekst model i prozës poetike dhe i frymës së zjarrtë patriotike, tekst të cilin Ernest Koliqi e ka përfshirë në librin-antologji “Shkrimtarë shqiptarë”.
Meshtarët tanë, kisha jonë e mbështeste misionin e vetë universal dhe kombëtar në dy kolona: në Fe e në Atdhe…për Atme dhe për fe. Pra ne jemi mbledhur sot te kjo kishë e Shirokës të ndezim qiri për Dom Ndreun dhe Patër Antonin që janë dyfish martirë, janë martirë të kishës dhe janë martirë të kulturës, të kombit shqiptar.
Jam i nderuar që mora pjesë në përkujtimin e tyre.
Please follow and like us: