Albspirit

Media/News/Publishing

Eneida Jaçaj: Dialogu Kosovë-Serbi në rrezik

Dialogu Kosovë-Serbi në rrezik, minishengeni ballkanik sjell konflikt rajonal, bashkëpunimi ekonomik mes shteteve shqiptare, në ngërç

 

 

 

Dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila u dakordësua në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, duket se është kthyer 23 vite mbrapa në kohë. Sulmet në Veri të Kosovës tregojnë edhe një herë se Serbia nuk është e gatshme të përmbushë pikat e marrëveshjes, e cila do të sillte siguri dhe stabilitet në rajon, dhe, gjithashtu, nuk do të pengonte as integrimin e dy shteteve në Bashkimin Europian, OKB dhe NATO. Siç është bërë e ditur, serbët në Veri të Kosovës, më 31 korrik, vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. SHBA dhe BE, dy garantet e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, ndërmjetësuan dialogun me shumë pika, për të çuar në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet dhe mosmarrëveshjet e kohëve të vjetra, e më pas, dialogu të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia.

Por, dialogu Kosovë-Serbi, në këto dy vite, ka kaluar nëpër sulme dhe akuza të dyanshme, se asnjëra nga palët nuk është e gatshme që të shkohet në një kompromis të përbashkët. E gjitha kjo është një lojë dhe farsë e Serbisë, e cila, jo vetëm që nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen bilaterale, që do të sillte një përfitim të madh për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, por nuk ka ndërmend ta njohë juridikisht as Pavarësinë e Kosovës. Për Pavarësinë e Kosovës dhanë jetën dhe gjakun djem të rinj, që u shuan në lule të rinisë për liri, ndërsa Serbia duhet të japë llogari për të gjitha ato masakra mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. Për të gjitha krimet serbe ndaj popullsisë kosovare, duhet të mbahet një gjyq si ai i Nurembergut, për krimet e nazizmit, ku të gjithë ata që janë fajtorë për genocidin ndaj popullit të Kosovës, të japin llogari. Sulmet e Serbisë ndaj Veriut të Kosovës marrin spunto edhe nga lufta e Carit të Kremlinit ndaj Ukrainës, ku Rusia është deklaruar gjithmonë në krah të Serbisë. Pas sulmit në Kosovë, Rusia ka deklaruar mbështetjen e saj të plotë për Serbinë, duke këmbëngulur se të drejtat e serbëve duhet të respektohen. Megjithatë, Serbia e ka të qartë mësimin se NATO do të ndërhyjë brenda 24 orësh nëse i shpall sërish luftë Kosovës, ashtu siç veproi 23 vite më parë.

 

Minishengeni ballkanik

 

“Ballkani i Hapur” apo i ashtuquajturi minishengeni ballkanik, është një tjetër çështje që i shton akoma më shumë shkëndija zjarrit, duke mbajtur të ndezur konfliktin në Ballkan. Kryeministri Edi Rama është shumë i ftohtë ndaj mosmarrëveshjeve apo sulmeve që vinë nga Serbia në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk dëshiron të cënojë marrëveshjen me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiç, për Ballkanin e Hapur. Në këto kushte ku gjendet Ballkani, minishengeni nuk do të mund të realizohet, projekt i cili favorizon Serbinë, por edhe Rusinë, aleaten e saj shpirtërore, por edhe vendet e tjera fqinje. Dua të rikujtoj për fakte se, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër, në vitin 2019, një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin.

Kështu, Serbisë nuk i intereson njohja e Kosovës, ndërsa Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme të realizohet ky projekt. Por bashkëpunim ekonomik rajonal pa Kosovën, nuk mund të ketë. Një projekt i tillë, me Serbinë në mes, duhet të rishikohet nga ekspertë të ekonomisë botërore, pasi, me shumë gjasa, më shumë do të shtojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor sesa do të rregullojë punë. Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është përgjegjëse për disa masakra e genocide ndaj popullit të Kosovës dhe ende nuk e njeh si shtet të pavarur?! Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është aleate me simotrën e saj Rusinë, e cila po kryhen të njëjta krime ndaj Ukrainës?! Dihet që Serbia me anë të këtij projekti synon të dalë në det; ky është një pretendim i saj që në kohën kur Austro-Hungaria ia prishi planet. Nga kjo do të përfitonte edhe Rusia, e cila prej kohësh e ka dëshiruar zgjerimin dhe ndikimin e saj në Ballkan, për arsye të përfitimit ekonomik, gjë që do të sillte edhe reagimin e SHBA, e cila është faktori dhe shteti me superfuqinë më të madhe në botë.

 

Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën

 

Shqipërisë dhe Kosovës do t’u interesonte më shumë një bashkëpunim ekonomik rajonal me njëra-tjetrën, sesa projekti i minishengenit ballkanik. Nga Ballkani i Hapur do të përfitonin vetëm vendet fqinje, pasi Shqipëria eksporton vetëm lëndën e parë, pra është një shtet që nuk prodhon, i cili do të bëhej treg mallrash në favor të shteteve të tjera. Kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, duhet të zotohen dhe ta marrin seriozisht bashkëpunimin ekonomik, për t’u fuqizuar mes vetes, dhe jo të fuqizojnë të tjerët. Që kur u investua në Rrugën e Kombit, u pa se kjo do të ndikonte në progresin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga viti 2014, kur Shqipëria dhe Kosova zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët, ku u nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, Shqipëria dhe Kosova janë përballur me konflikte dhe barriera tregtare.

Paradoksi është se kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare. Në vend që të thellohet bashkëpunimi ekonomik, në mënyrë që të mos përfitojnë fqinjët nga mosmarrëveshjet, por të zhvillohemi aq sa mundemi në aspektin ekonomik me njëri-tjetrin, tregojmë edhe njëherë se nuk jemi të aftë të shkojmë mirë mes vetes. Këtu më vinë në mendje fjalët e të madhit Faik Konica: Heshtni, shtrohuni, bashkohuni! Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit”. Shpresojmë që dy shtetet shqiptare të reflektojnë, dhe të bashkëpunojnë mes vetes!

 

Please follow and like us: