Albspirit

Media/News/Publishing

Lazër Stani: Njeriu dhe liria e tij

E kam menduar shumë herë me veten: Çfarë më ka bërë njeri të lirë? I kam dhënë përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje në kohë të ndryshme, por gjithnjë duke mbetur të bindja e hershme se njeriu lind me lirinë e tij. Tjetër është vetëdija e lirisë, guximi për ta mbrojtur lirinë tende gjithnjë të kërcënuar. Ne jemi rritur në një kohë të keqe për lirinë, nën një diktaturë nga më të egrat e imagjinueshme. E megjithatë them se kam qenë njeri i lirë. Pikërisht për këtë kam shkruar dhe një tregim me titullin “Idioti udhëton për Amerikë”.
Kërcënimit më të madh të lirisë në rininë time i bëra ballë me idenë e arratisjes.
Në momentet kur qendroja para hartave, unë nuk mund ta kuptoja se përse unë nuk mund ta shkelja një vend, vetëm pse atje jetonte një popull tjetër, i përkiste një shteti tjetër.
Toka është e njeriut, jo e qeverive apo diktatorëve që ngrejnë gardhe, mure të pakalueshme.
Ideja e arratisjes tek unë ka qenë shumë e hershme edhe pse nuk u arratisa kurrë. Ishte një sekret që më sillte ngazëllim, më zbulonte mundësi të pafundme. Ajo më bënte t’i qendoja larg realitetit, të mos i kushtoja asnjë kujdes karrierës time të ardhme në vendin ku jetoja. Jetoja me vetën time dhe për veten time.
Më kujtohet ankthi dhe tundimi i një dite tetori, ndërsa rrija në bregun e këtejmë të Bunës. Në bregun tjetër gjendej një kishë e vjetër, e braktisur më dukej, ndërsa këtej kishat ishin rrafshuar. Mjafton të notoje njëqind metra dhe gjendëshe përtej kufirit, në botën tjetër, të mistershme dhe të panjohur. Pak me tutje mbi bregun e ngritur rrinin duke u ngrohur në diell tre ushtarë, rojtës të kufirit, të qetë, të qeshur, lozanjarë. Dhe ta mendosh se ata djem mund të shndërrohehsin në vrasës të pamëshirshëm, sapo dikush të provonte të hidhej në ujë në tentativë për të mbërritur bregun tjetër, bregun e huaj. Bënte shumë ftohtë, toka rrotull kishte ngrirë. Unë ngrohesha me idenë se një ditë do ta kaloja këtë kufi, gjallë a vdekur.
U ktheva prapë të puna e detyruar, xhveshja e misrit, me një ngazëllim që më kishte pushtuar shpirtin, i ngjashëm me ngazëllimin e dashurisë së parë. Këtë të fshehtë timen e ndava më vonë me mikun tim Noc Dedën (Shtëpinë) dhe për shumë vite, me orë e net të tëra diskutonim idenë tonë të arratisjes, thurnim plane pas planesh, të bindur se nuk kishim rrugë tjetër. Ajo që na ndaloi, pasi morëm diplomat universitare, ishte gjyshi im i sëmurë. I premtova Nocit se kur gjyshi të mos ishte më gjallë, unë do të arratisesha së bashku me të në vjeshtën e parë. E doja aq shumë tim gjysh sa nuk mund ta braktisja në asnjë rrethanë.
Kur ai u nda nga kjo jetë, një vit më vonë miku im u arratis, ndërsa unë mbeta këtu, për të mos u arratisur më kurrë, se kufijtë ranë dhe në një farë mënyre liritë politike u vendosën. Arratisja nuk kishte më kuptim.
Por instinkti i lirisë, kështu po e quaj, nuk funksionon vetëm në një drejtim. Ka plot njerëz jo të lirë në shoqëritë e lira. Unë them se kam qenë dhe jam njeri i lirë, duke paguar për këtë një çmim të vazhdueshëm. Kostoja e lirisë është e rëndë në çdo kohë e në çdo shoqëri, por vetëm ndjesia e lirisë e bën këtë jetë të jetueshme. (Pjesë nga një bisedë me Albana Shalën).

Please follow and like us: