Odise Kote: Erdhën fëmijët e verës nga larg…
Erdhën fëmijët e verës dhe mbushën muzgun e harruar plot me britma,
Fëmijët e verës, e qeshura e bukur e tokës që dhe errësirën e natës zbardhi.
E ngjyen me të kaltër të thellë qiellin dhe me pejza fëmijërie,
Hypur sipër dyerve të ciflosura, gërryer nga lambadhi.
Muret e shtëpive e kishin ruajtur ende të verdhën e diellit,
Dhe ata vizatuan mistere dhe ëndrra të çuditshme nëpër pemë bashtinash.
Çikrikët e puseve lëshuan litarët në rrëfenja me xhinde e pandehma,
në kodrat përballë kokojkat e djegura, ngjanin me xixëllonja të lira.
Rrodhet e gjëmbaçët në heshtje presin ikjet për pushtimet e ardhshme,
Vetmitë dhe braktisjet të paduruara numërojnë ditët e pushimeve nga vrimat.
Fëmijët e verës, e qeshura e bukur e tokës që dhe errësirën e natës zbardhi.
E mbushin ende muzgun e harruar të mëhallës plot me britma…