Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Manual i kryeministrit se kur duhet të protestohet

Ka ardhur momenti që Kryeministri të hartojë një manual të rasteve kur media dhe njerëzia në përgjithësi, kanë të drejtë të protestojnë ndaj aksh ngjarjeje kriminale dhe kur jo. Po ngatërrohemi shpesh dhe po i biem në qafë pa të drejtë.
Edhe kur polici vrau Klodian Rashën, gabuam po njësoj.
“Si paska faj shteti kur një polic i papërgjegjshëm vret një të ri të pafajshëm?” – ishte pyetja që na la pa përgjigje atëherë. E drejtë! U ngutëm shumë. Kishim parë ato protestat e amerikanëve ne dhe o burra! Gjasme amerikanë ne… Hajde hajde!
Mbaj mend që na bërtiti në një video- mesazh, qepaze na bëri! Çfarë nuk na tha atëherë…Ulëm kokat si të dhjerë dhe kërkuam falje. Ishim ngatërruar. Mendonim se një njeri me uniformë përfaqëson shtetin… Broçkulla. Ai përfaqëson thjesht vetveten….Na ngatërroi më keq kur pranoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm. Meqë nuk përfaqëson shtetin krimineli me uniformë pse jep dorëheqje Minsitri i Brendshëm? Po ata të Amerikës pse e dogjën Amerikën për policin vrasës? Ja kështu u nagtërruam atë kohë. Ai na bërtiti por nuk na sqaroi se ku gabuam…
Pastaj erdhën këto rastet e Saimir Tahirit, Lefter Kokës, Alqi Bllakos… Ne prapë u ngatërruam. Menduam se kur futet në burg një Ministër i Brendshëm si trafikant droge përgjegjësi ka edhe ai që e përzgjodhi dhe na e shiti si Ministrin më të mirë të historisë së Shqipërisë. Apo Terin e ngratë dhe Alqin si shalqi. Ne menduam se dikush u ka dhënë urdhër atyre. Përfituesit e inceneratorëve janë në kërkim si hajdutë të parave shtetërore, Teri dhe Alqi si bashkëpunëtorë por paratë tona shkojnë çdo ditë në kontot e Mërtir Gugalles. Por Kryeministri na sqaroi se Teri dhe Alqi janë bashkëpunëtorë të shkëlqyer të tij por kaq… Kjo vlen edhe për Ahmetajn, Beqajn etj etj.
Pastaj gabuam prapë për Lalë Kastratin. Ai i shkreti pagoi 70 milionë Euro kinezëve për Aeroportin kur i kishin mbetë veç 6 vjet në përdorim! Mua smë dilte llogaria. Ishim në fazë pandemie dhe fitimet kishin rënë. Për 6 vjet Lalë Kastrati nuk nxirrte as paratë që u dha kinezëve…Por një muaj më vonë Qeveria i dha edhe 13 vjet të tjera në përdorim! Fap, me një të rënë të lapsit ju i shtuat 200 milionë fitimet e Lalës. Unë shkruajta atëherë por askush tjetër. Dikush më tha ç’të duhet. Vërtetë, ç’më duhej mua?!!! Rri si gjithë të tjerët. Unë u kruajta edhe me lagjen e Çetit te Liqeni Artificial. Medemek pse ikën pemët. Dokrra ambientaliste që pengojnë kapitalizmin…
Pastaj erdhëm tek këto kontenjerët e Banakingut. Në Portin e Durrësit u zhdukën 49 arka me banane në kontenier. Një gazetar i kronikës pretendonte se në të njëjtën ditë janë futur 2.2 tonë kokainë për 48 orë. E tha publikisht në televizion. Unë mendoja se gazetari do futej në burg për dëshmi të rreme. Por jo. Jeta vazhdon. Vlera e kësaj sasie sipas ekspertëve të kokainës vlen rreth 100 milionë Euro. Nejse, për këtë e mora vesh se nuk duhet të ndihet njeri.
Para ca ditësh ra shteti digjital i Shqipërisë në duart e hakerave ndërkombëtarë. Qindra milionë Euro buxhetore të shpenzuara për mbrojtjen nga hakerimi, përmes tenderave sekretë, shkuan për lesh. Kur filluam të themi ndonjë gjë na treguan se “këto ndodhin në gjithë botën” dhe mos e bënim të madhe. Zërat e liga thonin edhe se duhej të paguanim miliona euro për të shpëtuar nderin por ato u përgenjeshtruan me neveri nga Kryeministri. U ndjemë shumë fajtorë ato ditë… Sikur i kishim vjedhë ne ato të dhëna. Carlo shpjegoi se hija e zezë e Sali Berishës është pas tyre…
Lëre pastaj këto vrasjet ditën për diell në autostrada kombëtare 30 km larg Tiranës! 4 të rinj tek të 30-at humbën jetën në to. Idiotësira! Me këto siç na e ke shpjeguar vetë ti nuk ka punë shteti. Kokat hëngshin. Shteti ka për detyrë të krijojë kushte të favorshme për shtimin e ngjarjeve të tilla sa më shumë që të pakësohen kriminelët. Me thënë të drejtën, në këtë drejtim puna është për tu lavdëruar. Ore, fundja kanë edhe kosto burgjet….Ndërsa kështu tak-fap kryen punë. Edhe robtë nuk po terrrorizohen më, janë ambientuar tashmë…Kalojnë afër, bëjnë fotografi, video dhe i postojnë në tik tok apo instagram si ekzotikë mesdhetare…Do vijë koha të kemi edhe turizëm horror, ka njerëz bota që kërkojnë të kenë eksperienca vrasjesh live. Duhet një strategji për këtë punë…
Derisa erdhëm tek kjo vrasja e djeshme. Edhe dje menduam se ish Kryekomisari i Himarës dhe shefi i policisë së Elbasanit përfaqëson shtetin. Mendjelehtësi totale! Ore vetveten vetëm vetveten! Ajo ishte aksident, të tillë ndodhin në tërë botën na tha kazani, hila, brizida. Ne duhet të ulim kokën, të qajmë pa shumë dënesë dhe të pajtohemi me fatkeqësinë që na ra në kokë. Na e the prapë, për të qintën herë: “Nuk ka faj shteti!” Kur të lexova e kuptova gabimin. Vetëm se, që të mos gabojmë më, zahmet e ke, bëj një rregullore kur populli, media apo opozita ka të drejtë të ankohet kundrejt qeverisë, lëpirësve dhe servilëve të saj dhe kur jo. Duke lexuar mbase do të jemi korrekt me rregullat e naltmadhnisë.
Please follow and like us: