Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam, Don Prek Nikçi!

 

 

 

Don Prek Nikçi, (1921 – 1974)

 

Asht le në Gurz të Durrësit me 2 Nandor 1921, prej familjes së Gjonit dhe të Lena Nikçit. Në pragun e mbylljes së kuvendeve të Shkodres, i kerkon Imz. Vinçenc Prennushit, me vazhdue rrugen e meshtarisë, dhe në vitin 1946 shugurohet meshtar në Tiranë. Caktohet me sherbim në Rrëshen. Aso kohe ka mosmarrveshje me Don Ndoc Sahatçinë dhe Don Ndere Lufin. Në 1952 e transferojnë prap sepse Don Preka kishte hapë dy zyre, një fetare dhe një tjeter shtetnore, gja që ishte në kundershtim me ligjet kishtare, mbasi një klerik kryesisht duhet marrë me problemet e Fesë. Per këte çeshtje edhe pse flet haptas Don Ndre Lufi, mendimet e Tija i bijnë ndesh kryeministrit Mehmet Shehu, mbasi vendimet e kishës nuk ka sesi me i pranue M.Shehu.

Don Ndre Lufi per kambnguljen e Tij dënohet me disa vite burg mateper.

Ajo që bjen në sy të publikut asht se Don Prek Nikçi, krejt jashta kohës ra haptas në pikpamje socialiste, dhe gati pranohej me vështirsi një dishka si kjo, edhe nga publiku ku ai sherbente si klerik katolik.

Veprimet e Don Prekës ishin të papranueshme edhe per arsye se aso kohe edhe mosmarrveshjet e Klerit Katolik, sa vinin e acaroheshin me shtetin komunist, që as ai nuk kje aspak i knaqun mesa kishte ba deri atëherë.

Asht 1967 kur diktatori tiran Ever Hoxha, shpallë botnisht “Revolucionin Ideologjik e Kultural të vitit 1967”, Revolucion i tipit kinez.

Gjithkah mbledhje të PPSh, të BRPSh, organizatave profesionale, të grues dhe të çdo skute ku strukej kjoftë edhe një komunist, i cili do të tregonte publikisht “solidarizimin” e vet dhe të kolektivit, me “mbylljen e të gjitha objekteve të kultit”, ku përfshiheshin Kishat, Xhamijat, kuvendet dhe deri tek të gjitha ndertesat ku kishte banue kjoftë edhe një pensionist i smurë.

Ky “Revolucion” përfshinte çdo person të çdo besimi mbrenda Shqipnisë!

Ishin ba mbledhje të klerikve pranë Komiteteve Ekzekutive të Rretheve, qyteteve e fshatrave, per njohjen e vendimeve të reja të këtij “Revolucioni” dhe, do të vazhdonin deri në pafundsi hapjet e atyne vendimeve që, do të realizonin “Shqipninë komuniste ateiste”të tipit kinez 1967, i vetmi në Botë!

Viti 1967 ishte viti ma i ngarkuemi me aktivitete antifetare në Shkoder.

Organizohet një mbledhje me shkrimtarë, artista, piktorë e skulptorë të gjithë Shkodres, në Shtëpinë e Kulturës nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv i Rrethit Bilal Parruca. Tema ishte e dijtun prej të gjithve: “Feja në Shkoder”.

Tema vertetë ishte e dijtun, po mbledhja ishte krejt e papritun per të gjithë!

Bilal Parruca e hapë mbledhjen me një ngjarje në zyren e vet, ku kishte thirrë një prej aktivistave ma të njoftun, i cili gjithëherë ishte tregue edhe i gatshem me i sherbye pushtetit ashtusi ndonjëtjeter i besimit mysliman apo ortodoks, kjoftë per probleme të randsishme e jo shumë të publikueme.

Bilali kerkon nga Don Prek Nikçi, pjesmarrjen nder mbledhje që kishin ndermend me organizue ato ditë në Shkoder, per mbylljen e Kishave të Shkodres, tue fillue nga Kathedralia e Madhe, ku ishin vendosë Flet-rrufetë dhe pritej dorzimi i çilsave nga Imzot Çoba ose Sekretari Don Mark Hasi.

Krejt papritmas Don Preka kundershton kerkesen e Bilalit, tue deklarue haptas: “Deri sot këtu, unë kam kenë me ju, tue mendue se keni mendim per një tjeter perfundim, po në kjoftëse keni mërijtë këtu, dhe kerkoni me i mbyllë Kishat Katolike perfundimisht, këtu perfundimisht ndahem edhe unë me ju! Nuk mund të pranoj kurrsesi me marrë përsiper një turp po, por dhe një mëkat të tillë të pashlyeshëm kunder besimit, Kishës e besimtarve!”

Qendrimi i Don Prekës jo vetem ishte i papritun, po per shumicen e atyne që ishim në mbledhje, kje gati edhe i pabesueshem, ndonse fjala e Bilalit ishte e kjartë dhe shumë e saktë në lidhje me qendrimin e Tij të vendosun.

Mbasi Don Preka ka dalë nga mbledhja, nuk asht pa në Shkoder, po ka ikë dhe asht vendosë pranë kushrinjve të vet në Fushë Krujë, ku mbas pak ditësh ka fillue edhe punen në fabriken e çimentos, si puntor aty.

Në 1974, me 15 Mars u hap fjala se Don Preka, u dogj në kazanin e çimentos e humbi jeten pergjithmonë, ndonse e verteta e asaj vdekje nuk dihet as sot.

E hodhen të tjerët Don Preken, apo kje aksident? – Asgja s’asht e sigurt!

Dihet e sigurtë që Don Prek Nikçi, nuk e mbylli jeten me turp ashtusi, edhe mund të ngjante sikur të aktivizohej në mbylljen e Kishave Katolike.

Ai mujti me përballue momentin ma delikat tue kundershtue njollosjen e vet me mbylljen e Kishave. Mos pjesmarrja e Tij nder ato mbledhje turpi dhe qendrimi burrnor në çastet e fundit, e rreshtojnë klerikun e njoftun Don Prek Nikçi, nder Martirët e Kishës Katolike ku akti i fundit, e rreshton Perjetsisht si, Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.

Melbourne, 4 Gusht 2022.

 

Please follow and like us: