Albspirit

Media/News/Publishing

Lajla Përnaska: Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin është nevojë e shoqërisë

Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin, është nevojë e shoqërisë, jo problem personal.
Ne që kemi jetuar një pjesë të jetës sonë në sistemin e diktaturës, kemi pasur rastin dhe të njohim “30 lekësha”, ( ose Kaleca quheshin), që shkatërronin jetë e karriera njerëzish, madje që nga familjarë e miq të tyre , në interes të karrierës e përfitimeve personale, ne paaftësi të plotë për të bërë nje karrierë të ndershme e profesionale.
Aq shumë ish ngulitur në psiqikën e kohës spiunlliku dhe rreziku i tij, sa që , që nga fëmijëria ime e hershme, kujtoj porosinë e vazhdueshme të gjyshërve të mi: “Kujdes bijë, mos fol, se edhe muret kanë veshë”!
Turp e skandal i madh, që s’do e falë hisoria, që “dosjexhit’ e ish-sigurimit, penetruan politikën e institucionet e brishta të “shtetit të ri demokratik”, duke bllokuar me çdo formë, zbardhjen e së vërtetës.
Edhe rasti I Rezolutës 1481 (2006), që ne votuam në Këshillin e Europës, mbi “Nevojën e dënimit Ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, nuk u shtrytëzua për të mbyllur kapitullin tone kombëtar me të.
Eshtë emergjencë sot, spastrimi përfundimtar i kategorisë së ish-sigurimsave nga politika dhe drejtimi institucional shtetëror, në çdo nivel, që derivon prej tij.
Jo vetëm verifikimi i pastërtisë së figurës për 140 deputetë të parlamentit të Shqipërisë dhe institucioneve në varësi.
Por duhet dhe për prindërit e gjyshërit e tyre zbardhja e dosjeve, pasi një shtet demokratik, s’mund të jetë peng as për ish- sigurimsat, as bijtë, apo mbesat e tyre.
Lloji i karrierave politike të katapultave të shpejta e të sigurta, duke ardhur nga hiçi, e me kontribut “0” publiko-politik, mund të kenë pikëpyetjet e veta, lidhur, ose jo edhe me këtë çështje.
Vetëm e vërteta heq çdo hije dyshimi dhe bën këdo të lirë.
Mbart në një shumicë absolute vlera pastërtie e ndershmërie kjo shoqëri, për ta drejtuar atë dhe Shtetin Modern Euro-Atlantik shqiptar.
31 korrik 2022.
Please follow and like us: