Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Përgjatë fushës së Korçës…

Përgjatë fushës së Korçës… Ishte hera e parë që e gjeja këtë fushë me një vjeshtê kaq poetike. Befasuese për mua që vija nga larg, ku ndjeja aromën e një toke të dehur me vetveten. Një dëshirë e habitshme të kapte të jetoje një çast nën një qiell të tillë ku e verdha, okra, kishte privilegjin e magjisë. Më pëlqen kjo ngjyrë me gamën dhe kodet e saj për të cilën kisha shkruar dhe në fillimin e një episodi në romanin tim “Origjina e Botës – camera obscura”.
(Fragment)
E enjte në ngjyrë të verdhë…
Këtë ditë të javës Ada e kishte lidhur gjithnjë me ngjyrën e verdhë. Ishte një nga ngjyrat e preferuara të saj, por dhe një ngjyrë dramatike. Një ngjyrë që asnjëherë nuk e linte të ftohtë dhe që gjithnjë i jepte ndjesinë sikur do të ndodhte diçka. Sikur të ishte një ngjyrë ndjellëse, e së papriturës, misterit, i cili fshihej gjithnjë pas atij shkëlqimi marramendës. Kur ishte fëmijë, gjyshja i tregonte përrallën e «Pasqyrës së artë», pasqyrës që mund të plotësonte të gjitha dëshirat. Që atëherë, ajo kishte ëndërruar të kishte në shtëpinë e saj një pasqyrë me një kornizë të rëndë, të artë. Dy vjet më parë, kur kishin hyrë në apartamentin e ri, Fredi ishte habitur me dëshirën e saj për të blerë dhe vendosur një pasqyrë të madhe me një kornizë të rëndë, të artë. Madje disa ditë ishin vërtitur në dyqanet e antikuarëve derisa kishin gjetur një pasqyrë tepër të bukur. Dhe pasqyra u vu. Ajo përshkëndriste kur rrezet e mëngjesit binin mbi të nga dritaret.
Kur kishte filluar studimet për pikturë, profesori u kishte thënë të gjithë nxënësve që t’i thonin se cila ishte ngjyra e tyre e preferuar. Ajo kishte hezituar midis okrës dhe të verdhës, dhe më në fund kishte zgjedhur të verdhën. Pikërisht në lice, ajo zbuloi se e verdha kishte qindra nuanca të shumëllojshme: të afërta me grurin, diellin, me ngjyrën e floririt, etj. Një ditë, profesori, duke u folur për ngjyrat dhe botën kromatike, u kishte thënë se e verdha në antikitet kishte qënë simbol i diellit, dritës, gëzimit dhe ngrohtësisë. U kishte folur për «të verdhën e Napolit», që aq shumë e preferonin piktorët flamandë të shekullit XVII. Më vonë, Ada kishte zbuluar të verdhën e fushave me grurë të Van Gogut, lulet e diellit, «les Tournesols», të pikturuara prej tij. Por në Mesjetë, të verdhën nuk e pëlqenin dhe aq, edhe pse në martesat mbretërore preferohej rroba e verdhë.
– «E verdha është ngjyra e atyre që tradhëtojnë», – i kishte thënë një ditë një shoqe.
– «Po përse? – ishte habitur ajo.
– Sepse e verdha ishte ngjyra e rrobës së Judës!»…
Ajo kishte mbetur një çast e habitur, pa arritur ta kuptonte se ç’lidhje kishte rroba e Judës me ngjyrën. Por pastaj e kuptoi se njerëzit kështu i krijonin preferencat e tyre. Diçka duhej të bëhej shkak. Madje ajo e dinte se në subkoshiencë, edhe ajo kishte diçka që e tërhiqte dhe e largonte njëkohësisht nga ajo ngjyrë. Kujtoi ndarjen e të atit të saj me të ëmën, atë skenë të dhimbshme, kur i ati i saj i kishte rënë me grusht pasqyrës me të gjithë forcën dhe duke shfryrë, si një i plagosur, ishte larguar nga salloni me dorën e përgjakur. Copat e xhamit kishin rënë me zhurmë dhe pastaj gjithçka e kishte mbuluar një heshtje varri. Ajo pasqyrë e artë e sallonit nuk do të vendosej më. Që atëherë, edhe pse e lidhur me një kujtim të hidhur, e arta e pasqyrës i kishte munguar. Do t’i mungonte për një kohë të gjatë…
Please follow and like us: