Korrupsioni në Ballkanin Perëndimor shqetëson kongresin amerikan
Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.
Projekligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit.
Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.
Po kështu synohet nxitja e partneritetin universitar, inkurajohet angazhimi i Korpusit të Paqes në rajon, krijimi i një iniciative për udhëheqësi rinore në Ballkan dhe si kërkohet nga Korporata Financiare për Zhvillim që të hapë një zyrë të shpallur më parë në rajon.
Zonja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill Kosovën, Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, mes shqetësimeve rreth ndikimit të konfliktit në Ukrainë, në Ballkanin Perëndimor. Vizita e tyre kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes Uashingtonit dhe Ballkanit Perëndimor, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen.
Senatori Wicker tha se projektligji “do të dërgonte një sinjal të fortë dypartiak, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur diplomacinë në rajon”.
Po kështu senatorët Dick Durbin, Thom Tillis, Chris Van Hollen, Ben Cardin e Chris Murphy janë mbështetës të këtij projektligji.
Për senatorin Tillis, në një kohë kur Rusia vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët e NATO-s, rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës.
Senatori Ben Cardin, Kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit, tha se “në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj drejt qeverisjes demokratike, që nga fundi i luftrave në ish-Jugosllavi, përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje, kërcënojnë të gërryejnë këtë përparim.
“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë në Ballkanin Perëndimor. Ky projektligj dypartiak do të çojë përpara stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër korrupsionit duke krijuar programe që inkurajojnë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Senatorët amerikanë e shohin projektligjin si një mundësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e mundësive ekonomike si dhe mbështetje për përpjekjet për të çuar përpara demokracinë dhe çrrënjosur korrupsionin./ Zëri i Amerikës