Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Demolli: In memoriam, Stavri Shkurti

 
KALENDARI HISTORIK
STAVRI SHKURTI – ARTIST I POPULLIT
5 GUSHT 1927 – 5 GUSHT 2022.
NJERIU I MIRË QË HYRI NË JETË
PËRMES TEATRIT DHE FILMIT
DHE MBETI PËRJETËSISHT
BASHKË ME EKRANIN
DHE FJALËN ARTISTIKE,
QË I NGJISTE, SI ME ZAMKË.
Ndodh, si në përvjetorët e lindjes së një artisti me emër edhe me Stavri Shkurtin, që e kujtojmë sot me respekt e mirënjohje në 95 – vjetorin e tij të lindjes: përmes urës lidhëse që ai ndërtoi në mënyrë të veçantë, si pikë takimi përmes skenës dhe ekranit, me të tjerët dhe botën shqiptare, duke ecur në udhën e bukur e të vështirë të artit.
U nis para gati një shekulli, duke e zbuluar veten dhe dashurinë për artin një ditë si aktor dhe ia doli, pa humbur rrugën dhe pa u vonuar, me dhjetra role të spikatur në teatër e kinematografi.
Rrugë të cilën, do ta përshkonte sërrish nga e para po të ishte gjallë.
Stavri Shkurti hynte në kastën e aktorëve, që shkëlqente në teatër dhe kinema. Stili i veçantë vetiak, e folura skenike me atë zë gurgullues dhe plastika plot energji në shprehjen e ndjenjave dhe emocioneve në rolet që interpretonte e bënin të papërsëritshëm nga premiera në premierë e nga filmi në film. Aq sa pa mbaruar xhirimet për njërin, trokiste dera në shtëpi për tjetrin nga Kinostudio “Shqipëria e Re” – filma përmes të cilëve brezi i ri që nuk mundi ta shohë në skenë, mund ta njohë sot përmes ekranit se cili ishte artisti Stavri Shkurti.
Si aktor protogonist me dhjetra role në Teatrin Historik “A.Z.Çajupi” të Korçës prej themelimit të tij e në kinematografinë shqiptare, ku u pagëzua, si aktor i ekranit të madh qysh në filmin e parë të saj – “Tana”, në vitin 1958, duke lënë vulën, me veprën e tij në skenë dhe ekran.
Ishte mjaft serioz në jetë dhe njerëzit që e takonin në bulevard pas shfaqjeve të estradës dhe komedive, e kishin të vështirë të vinin buzën në gaz, si me Pandi Raidhin (Artist i Popullit) dhe aktorë të tjerë të teatrit korçar dhe, pyesnin veten, ku e gjente gjithë atë humor në skenë.
Stavri Shkurti e filloi karrierën, si aktor në estradë, në premierat e së cilës luajti thuajse një dekadë, për t”u bërë një aktor komik, që thyheshe porta e teatrit, për ta dëgjuar në paroditë e luajtura me kolegët e tij Aleko Prodani dhe Vaskë Çeçe.
E vështronte drejt për drejt thellë në sy spektatorin nga skena dhe gjente mënyrën, detajet në çdo mizansenë për ta kënaqur atë.
Vetëm nga salla e kishte shijuar Shekspirin në Pragë, si student, ku zbuloi se dashuria e tij e parë dhe e vetme ishte teatri. Të bëhej aktor. Por për t”ia arritur kësaj, duhej një biletë tjetër: Jo për të parë teatër, por për të arritur te ai. Dhe siç thonë mjeshtrat e skenës, nuk mund të arrish pa kaluar përmes Shekspirit, i cili është jo vetëm simbol i teatrit, por provë dhe sprovë për çdo aktor.
Dhe çasti për ta provuar veten erdhi me një nga komeditë e pa vdekshme të Korifeut të pa arritshëm shekullor – “Nata e dymbëdhjetë”, nën regjinë e të Madhit Pirro Mani.
Kështu Stavri Shkurti u poq edhe si aktor i komedisë dhe ndikimi i tij mbi publikun ishte i madh. E jo vetëm mbi të, por edhe mbi pushtetin e kohës.
Kështu përshembull Sekretari i parë i rrethit të Korçës pas viteve 70 – të – E. Halili, një shkodran që u ngjiti korçarëve, me “liberlizmin” e tij në jetën qytetare, pas shfaqjesh të suksesëshme të teatrit dhe estradës thoshte: “Me një art të tillë cilësor e një fitore të javës, në futboll të “Skënderbeut” e kam moralin e popullit të Korçës lart”.
Por sprova për Stavrin e aktorë të tjerë të Korçës ishte shfaqja e komedisë “Zonja nga qyteti” të autorit R. Pulaha, me rolin e sekretarit të partisë, para publikut dhe të vetë Sekretarit të Parë Komitetit Qendror Enver Hoxhës, si spektator në sallë, ( korrik 1976), i cili gjatë pushimeve klimaterike të verës në Poradec, hidhej ndonjë natë edhe nga Korça, për të dëgjuar Korin “Lyra” dhe kujtuar jetën mondane të Liceut francez, si ish- student e pedagog i tij, në vitet “30 – të, të shekulit që lamë pas.
Shfaqja filloi, por të gjithë ishim të kontraktuar, më shumë nga përgjegjësia se sa nga emocioni, tregonte Stavri më pas. Kush mund të harronte që pak vite më parë teatri ynë ishte anatemuar nga vetë shoku Enver, me shfaqjen e dramës “Njollat e murme”. Por më e keqja ishte se nuk po qeshte dhe vetë ai, megjithëse po ndiqte me interes dialogjet tona në skenë. Mbase për këtë edhe publikut i kishte vajtur goja shtrembër…
U bëra xhind pas kuintave dhe kur më ardhi radha të dilja, në skenë i shfryva Xha Batos së Pandi Raidhit, sikur ta kish fajin ai, që nuk po ndizej motori. Aq u desh, Pandi “doli nga faza” bashkë me Dhorkën – e pa përsëritëshme në rolin e një Zonje tipike korçare, në këtë komedi, e cila ishte strumbullari i saj dhe Kreu i sallës dhe i vendit, nuk mundi ta mbajë të qeshurën me zë të lartë, që theu heshtjen dhe ilariteti përmbyti gjithë spektatorët, që nuk mund ta përmbanin veten, me gjithë masat e larta të sigurisë rreth e rrotull.
Natyrisht shtypi i kohës shkrojti me gërma të mëdha për shfaqjen dhe vlerësimin që i bëri Udhëheqësi asaj dhe protogonistëve, por në jetën e Stavrit dhe aktorëve të tjerë nuk ndryshoi asgjë “pas emulacionit”, veç asaj që rrallë kish figura madhore të pushtetit të kohës që të mos ia ngrinin telefonin, si të kërkonin lavdinë e munguar tek… anonimët.
Por jo dhe disa nga kolegët e tij dhe drejtoria e teatrit, u shpreh bashkëshortia e tij Florika – gardiobiere e teatrit, kur u ndodhëm me do shkrimtarë e ndonjë aktor, si Andrea Pepi, në shtëpinë e tij, me rastin e 10 – vjetorit të ndarjes nga jeta – 5 gusht 2006.
Ashtu si ndodh edhe sot, që ata që drejtojnë pushtetin dhe kulturën e artin e duan atë të mos i ngrerë pyetje nga skena për të përditëshmen atij, por aktorë e autorë të përfshihen si dikur, si “ndihmës besnikë të partisë”, në stafet elektorale të saj.
Nuk mund të mos e shprehja këtë pas prononcimit në statusin e vet të drejtorit të filialit të RTSH Korçë gazetarit Muharem Meko, me aktorin Andrea Pepi, që përkujtimi i 95 – vjetorit të lindjes të veprës skenike të një aktori të tillë të shquar si Stavri Shkurti – Artist i Popullit, përbën detyrim.
“U nisëm mjaft të rinj nga Shqipëria në Pragë pas çlirimit të vendit, për t”u bërë artistë, shkruan ish – regjisori i Korçës, Gjirokatrës dhe Pogradecit Tomi Mato, në kujtimet e tij “Pragë të mora me vete”, por vetëm Stavri Shkurti, arriti të bëhet edhe inxhinier edhe artist”.
Hapa e tij të para, ishin hapa të para të vetë teatrit historik të Korçës, por njëherazi edhe kinematografisë shqiptare, e cila e kishte atelie të dytë Korçën bashkë me teatrin dhe jo pak nga aktorët e saj të mrrekullueshëm, siç ishte dhe Stavri Shkurti.
Dhe nuk kish si të mos bëhej i tillë, në një qytet të emancipuar, ku u lind si sot në 5 gusht 1927, mes një tradite të pasur që kishin krijuar shoqëritë kulturore patriotike korçare, ku Korça Plakë i mëkonte bijtë e saj më së pari me humanizëm e dashuri për njeriun, ashtu siç ishte dhe Stavri – i shoqërisë, i miqve dhe të njohurve të tij vetëm nëpërmjet skenës dhe ekranit, që e kishin nder e kënaqësi të uleshin e të pinin një kafe me aktorin.
Vitet e para, me porosi dhe të partisë aktorët e teatrit në Korçë, mbanin kapele Republike, për të dalluar nga punëtorët e zakonshëm, por më pas me “revolucionarizimin e jetës së vendit”, vetëm Njëshit i mbeti kapela e tillë dhe shpesh aktorëve, u duhej të luanin në skenë edhe me këpucët e tyre të mballosura.
Por spektatori vlerësonte lojën e artistëve, më shumë se veshjen dhe dekorin e skenës, (ku sot në sajë të zhvillimit elektronik të teknikave është bërë një revolucion i vërtetë dhe teatri po i merr kinematografisë diçka), që dukej veçanërisht në drama e komedi të repertorit klasik, të cilat zinin vend njëherë në vit dhe në repertorin e teatrove.
Stavri Shkurti bashkë me aktorë të njohur të brezit të tij, që e filluan nga hiçi teatrin e kinematografinë shqiptare, bënë aq sa mundën, duke u lënë vend talentit dhe mundësive të jashtëzakonshme që ka brezi i sotëm, për t”i çuar ato më tej,përpos të tjerave si misionarë të gjuhës shqipe, duke ua përcjellë atë të pastër e të bukur siç është bashkëatdhetarëve të tyre, kudo që punojnë e jetojnë.
Dikur aktorë të tillë ofronin shpirtin nga dashuria për teatrin dhe publikun, sot aktorët e rinj e kanë bërë apotheozë fitimin edhe pse shumë syresh janë rrogtarë të mirëshpërblyer, duke ofruar ndjenja dhe emocion për publikun vetëm në këmbim të parasë dhe, si zanatçinj të skenës e jo artistë të saj.
Stavri Shkurti ishte i veçantë jo vetëm si aktor, por edhe si njeri. Mbi të gjitha ishte i lindur shpirt madh dhe vërtet i ngjiste fjala artistike në skenë dhe në ekran, siç i thosh edhe Violeta Manushi, në rolin e “Zonjës” që më pas u bë film, “si me zamkë”. Mbase për këtë dhe regjsorët e kinematografisë i besonin role “pozitvë”, aq sa do të velej edhe vetë nga gjithë ai “pozitivitet” dhe vetëm në vitin 1990, do të luante një rol “negativ” – Fajdexhiun te filmi “Vitet e pritjes”, i cili është edhe filmi i tij i fundit, para se të ndahej nga jeta në 5 gusht 1998, në Selanik, ku kishte emigruar me familjen dhe dy djemtë.
Megjithatë mbeti në memorien e të gjithëve njeriu i mirë dhe aktori i madh, që të magjepste me fjalën e tij edhe, kur në thelb mund të mos ishe dakord me ato që thoshte si “Sala i komedisë” në rol.Veçanërisht në një kohë të vështirë, si ajo që lamë pas. Dhe jeta e shpërbleu me një sukses jo të vogël nga skena dhe ekrani, për të cilin sot në këtë përvjetor thuajse shekullor të lindjes, e kujtojmë plot mirënjohje dhe respekt.
Please follow and like us: