Albspirit

Media/News/Publishing

Dorëhiqet kreu i Shërbimit informativ në Greqi pas skandalit të përgjimeve

Kreu i shërbimit informativ të Greqisë dhe sekretari i përgjithshëm i zyrës së kryeministrit kanë dhënë dorëheqjen, pas akuzave për përdorim të paligjshëm të sistemit të përgjimit kundër një gazetari dhe ndaj kreut të një partie opozitare.

Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar Panagiotis Kontoleon dhe Grigoris Dimitriadis, sekretar i përgjithshëm i zyrës së kryeministrit, dorëzuan të premten, më 5 gusht dorëheqjen e tyre, e cila u pranua.

Javën e kaluar, kreu i partisë opozitare socialiste të Greqisë, PASOK, Nikos Androulakis, paraqiti një ankesë në Gjykatën e Lartë të vendit duke thënë se kishte pasur një përpjekje për të hakeruar celularin e tij me sistemin e përgjimeve “Predator”.

Ai tha se u informua mbi këtë përpjekje nga shërbimi i sigurisë kibernetike të Parlamentit Evropian disa ditë përpara se të paraqiste ankesën e tij më 26 korrik.

Kryeministri Mitsotakis pritet që ditën e hënë të mbajë një konferencë për mediat në lidhje me këtë çështje.

Please follow and like us: