Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam, Kolë Mirakaj

 

 

PERGJEGJET  KOLË  MIRAKAJ:

 

DERI  KUR  NË  SHERBIM  T’ ANMIKUT ?

 

 

LETER  E  HAPËT Z. ABAZ ERMENIT

 

NEW – YORK, QERSHOR  1967.

 

“…Besoj se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqijsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na perkasin, Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit”.

Kolë Mirakaj (1967)

M’a beso z. Abaz Ermeni (dhe ju ndjeksat e tij) se bash po më dhemb zemra që më shternguet t’u ap ketë pergjegje botnisht, pse e dij që polemikat nuk i sjellin asnji dobi çashtjes së dhimbëshme e të vështirë që fati i randë na ka ngarkue të gjithë atyne që e quejnë veten antikomunista e atdhedashës.

Megjithse në ketë leter të hapët më duhet me dokumentue çeshtje të pergjithëshme të zhvillimit historik të ngjarjeve e veprimeve (sado shkurtimisht), pergjegjësinë e këtij dokumenti e ngarkoj mbi veten time, meqë nuk jam këshillue me askend, perposë ndergjegjes sime.

***

U mbushen 22 vjet në ketë mërgim të zi e nuk u mbushet mendjet se  mosbashkimi i grupeve antikomuniste, sulmet kunder forcash të shndoshta kombëtare e sabotimet kundër atyne që dojshin e dijshin me veprue per shpetim t’Atdheut, kjene faktori kryesorë që e sollen kominizmin në fuqi, e jo forca e tyne vetë. Të njajtin veprim që batë në Shqipni, po bani tash 22 vjet edhe në mërgim, pa mujtë të merrni asnji mësim nga e kaluemja. Vazhdoni akoma edhe sot mbas 22 vjetësh që popullin Shqiptar e ka mbulue zija, perpiqeni me denigrue forcat kombëtare antikomuniste, tue sulmue vazhdimisht Blokun Kombëtar Indipendent dhe udhëheqësat e tij, e jo vetem Blokun po kedo që nuk i asht shtrue vullnetit tuej egoist.

Njizetedy vjet kemi heshtë para trillimeve e edhe fyemjesh personale që keni hjedhë kundra nesh paburrnisht, jo pse na ka mungue guximi ose argomentat, por vetem per hir të çeshtjes kombëtare; per të lanë shtekun hapët per bashkim të të gjitha forcavet antikomuniste tue perfshi edhe juve; per bashkim të shpirtnave të Shqiptarëve, pse jemi të vetdijshem se edhe po të zhduket regjimi komunist per nji shkak ose nji tjeter, ka me na u dashtë të perballojmë rreziqet që mund t’i kërcnohen Atdheut nga ndokush tjeter e sidomos Greqia, që ç’ prej 1913-tës e këndej, nuk hjekë dorë nga pretendimet grabitçare mbi Korçën e Gjinokastren.

E qé, edhe ndjesitë e mija n’ atë çeshtje:

E dini mirëfillit se komunizmi më ka tha loçken e zemrës; më ka mbytë në gjak e rroposë gjithçka asht e kandëshme per jeten e njeriut. Megjithkëte, po të jetë që Greqija o kushdotjeter sulmon Shqipninë për të grabitë Tokë shqiptare, unë edhe me Enver Hoxhen kishem me iu vu në dispozicjon, kështu në moshë pleqnijet e i gjymtuem si jam, per mbrojtje t’ integritetit toksor t’ Atdheut, si ushtar i thjeshtë e pa asnji konditë. E pra jam edhe i dënuem me vdekje nga ai regjim.

***

Tash 22 vjet edhe ma parë, na kemi kerkue bashkëpunim e vllaznim; ju perherë keni predikue mëninë e keni veprue per shkatrrim të forcave kombëtare. Këte e dokumenton edhe shtypi i të dy palëve. Kjo mënyrë veprimi e jueja dishmon, se ju dashtë o padashtë, jeni tue i sherbye anmikut të perbashkët KOMUNIZMIT e anmiqëve të tjerë të KOMBIT SHQIPTAR.

Kur tham ju, nuk të drejtohem vetem ty z. Abaz Ermeni, po njisoj edhe udhëheqësave të tjerë të Partisë Agrare Internacionale, që edhe Ty si të ndjemit Mit-hat Frashërin, duen të mbajnë rob të vullnetit të tyne të çaperdisun, me lajka per qellimet e tyne t’errta.

Unë e dij që Ti je antikomunist e nuk t’a mohoj as ndjenjen patriotike, as guximin trimnor, po kishem me të këshillue të shikosh mirë çka ké per-rreth-e-qark. Rueju mos të bini viktimë siç ra i ndjemi Mit-hat Beu!

Sa me paknaqësi e mora vendimin me u pergjegjë njiherë e pergjithnji, e din ndergjegja e ime, por mbasi edhe tash mbas 22 vjet tragjedije të Vendit tonë, po vazhdoni rrugen e shpartallimit të forcave kombëtare me trillime e gënjeshtra që synojnë të fallsifikojnë historinë, ka  ardhë  koha që mërgata antikomuniste dhe  opinjoni  i  pergjithëshëm shqiptar mos të mbeten  perherë tue ndigjue vetëm zanin shtremnues të fakteve, po të ndigjojnë edhe zanin e fakteve, zanin e së vertetës. Per të kjartësue gjithshka, nuk mjafton nji shkrim i kufizuem si kjo leter, po duhet nji liber i cili asht i pergatitun tash 16 vjet (i ruejtun nder tri kopje në vende të ndryshme) e që auktori nuk ka dashtë t’a botojë akoma, per të mos u ba pengim per bashkërendim të forcave kombëtare në një llogore të vetme antikomuniste, me që e verteta e dokumentueme, mund të dilte e hidhun per ndoken, e ndoshta ndonjë IDHULL, mund të rroposet perdhé.

Siç e shifni z. Abaz Ermeni, jam tuej u perpjekë të mbaj stil shkrimi si u ka hije njerzëve të qytetnuem e si lypë burrnija shqiptare me u sjellë ndaj kundershtarit, që luftohet, po njiherit nderohet, e jo me fjalë banale, siç e ka zakon ana e juej.

***

Erdha në Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës mbas 22 vjet mërgim per me fitue buken me djersen time, pse nuk m’a lejonte ndergjegja t’u bije në qafë dashamirëve e atyne që më besojnë t’u hjekë kafshaten e bukës së fëmijëve. Natyrisht, me mundësitë e mija të vogla me u perpjekë edhe me dhanë kontributin tim modest per çeshtjen kombëtare per të cilen nuk kam kursye asnji therori që nga rinija gati fëmijë.

Që se erdha këtu, kam folë vetem fjalen e moderacjonit, fjalen e vllaznimit që synon t’ arrihet në vllaznim e bashkëpunim të Shqiptarëve antikomunista, të Shqiptarëve të vertetë atdhedashtësa. Këte kanë ndigjue nga unë miqë e kundershtarë, pse pa bashkim nuk mund të bahet forcë as morale as materjale, e pa forcë nuk mund të kryejmë misjonin e randë që fati i randë e zhvillimi historik na kanë ngarkue.

Njizetedy vjet mërgim, para se të vijshe këtu jetova si munda n’ Itali, tue fillue nder kampe per refugjatë, mandej nder komunitete fetare per sevapë e mandej me djersen time, kur mujta të gjejë ndonjë punë çfarëdo.

Mbasi kaluen gati tre muej mbas ardhjes time këtu e nuk ndigjova se morët ndonji qendrim ekstremist kundra B.K.I. as kundra meje personalisht o ndokujtë tjeter t’anës s’onë, dhe vizitat miqësore që më bane disa agrarista jo të rendit të dytë dhe hallet vllaznore e kombëtare që dertuem, mendova se edhe Partia Agrare, tashma paska arrijtë në kuptim të nevojës së bashkëpunimit kombëtar me tjerat grupe politike antikomuniste, e kjo më gëzoi mjaft, po edhe na ishim prap gati të harrojmë shpifjet e fyemjet personale e t’u shtrijshim doren vllaznisht edhe juve. Paskem pasë qenë gabue.

Po ka do kohë që CELULA (a si e queni?) e juej këtu në New York, ka fillue një fushatë t’ eger me anë të radios kundra B.K.I. e kryesisht, kundra prof. dr. Ernest Koliqit e meje.

Ku e keni hallin dhe synimin?

Në qoftë se mendoni se me ketë mënyrë i bani sylesha bashkëatdhetarët tuej t’u besojnë se tue denigrue patriotë që patriotizmin e kanë dishmue me therorina eprore e jo me fjalë demagogjike, kështu i sherbehet çashtjes kombëtare e kështu luftohet bolshevizmi, dinje se i nençmoni teper Shqiptarët dhe i fyeni randë, madje ma teper se askend, vetë ndjekësat tuej.

Po të mendoni se me sisteme të tilla ia doli Enver Hoxha, prandej me të tilla sisteme do t’ ua delni edhe ju, aq ma keq. Një pjesë e Shqiptarëve u gënjyen njëherë nga premtime që i sollen mjerimin, po nuk gënjehen ma. Kushdo që ti paraqitet popullit me të atilla sisteme e me mëni kundra vllaznish të gjakut, nuk fiton gja tjeter, veçse perbuzje.

Eh, lum bashkëatdhetari! Keni kalue çdo kufi.

Janë ndigjue disa herë agraristat tuej tuej thanë njerzëve se po nuk jé me Ballin Agrar, nuk jé Shqiptar! Deri në ket cak i keni fanatizue naivët. Në ketë ekstremizem nuk ka arrijtë as komunizmi. Komunizmi, kundershtarët i ka quejtë reaksionarë, anmiqë të popullit e tradhëtarë; por cilësinë Shqiptare nuk ua ka mohue. E ju proklamoheni demokratë antikomunistë, po në anën tjeter vepra e juej pothuej se e shkapercen sistemin komunist n’ ekstremizëm e fatkeqësisht, dashtë e pa dashtë jeni tue i sherbye anmikut të perbashkët, martirizuesit të popullit Shqiptar, komunizmit e njiherit anmiqëve të tjerë të Shqipnisë.

Ti z. Abaz Ermeni dhe ju të tjerët udhëheqësa të Partisë Agrare, e dini mirëfillit se demokracija e ka burimin ték toleranca e respektimi i mendimeve të ndryshme. Në bazë të këtij mendimi askush prej nesh nuk ka të drejtë me gjykue o nençmue tjetrin, por vetem me ba kritiken korrekte, ndertuese. Kjo e drejtë i perket vetem Popullit Shqiptar kur të vehet në gjendje të shprehet lirisht dhe Historisë, mbasi të kenë kalue në jetë tjeter protagonistat e ngjarjeve. Ekstremizma e stilit të sistemit bolshevik që u thotë komunistavet (Lenin-i) “HUDHNJE GENJESHTREN” në qarkullim kundra kundershtarëve; persëritnje dy herë, dhjetë herë, njimijë herë, pse dikur ka per t’ia truellue trutë edhe atij që e din që asht gënjeshter, gati me e besue edhe ai të vertetë. Ky sistem u ka shti në rrugë të gabueme. Të krijoni çfardo lloj gënjeshtrash jo vetem kundra nesh të B.K.I. po kundra kujtdo që nuk i shtrohet kryengurrtësisë s’uej.

Këte verteton qendrimi që keni marrë edhe kundra patriotësh të ndritëshem si Nuredin Vlora, Ali Klisura, Koço Muka etj., udhëheqësa të Ballit Kombëtar që mbasi nuk munden t’ua mbushin menden ju të hiqnit dorë nga rruga rrenimçare, ata nuk ecen ma në rrugen tuej. Derisa u ndatë prej Tyne, mburreshit me naltësinë morale, politike e patriotike të Atyne VETERANËVE dhe jam i sigurtë, se njilloj do të kishi denigrue edhe të ndjemin Mit-hat Frashëri, po t’ mos ia kishit dalë me miklimet t’ueja t’i terratisni mendjen e t’i tharbëtoni zemren.

Sot që Mit-hat Frashëri ka kalue në Jeten e Amshueme, unë perulem para kujtimit të Tij e si biri i nji familje që ka lanë emen të lumnueshem në historinë kombëtare, e si Ai vetë që ishte atdhedashës i pa zhigla, i CILI, po per Atë emen që bante, ndofta ka qenë (e patën kujtue) personaliteti ma i pershtatëshem i kësaj mërgate që në bashkëpunim me të tjera mendje të ndituna do të kishte mundë me bashkue, me vllaznue e udhëheqë persëmbarit këte mërgatë.

Na të B.K.I. ua kemi ofrue ketë mundësi e vetveten në dispozicionin e Tij; pa kushte, mjaftonte që Ai t’ishte Babë i paanëshem. E Ai e çmonte dhe e pranonte këte inisiativë, por mbas takimit me rrethin e Tij e zmbrapte…

Dy heresh e ka thirrë historia në pikëpjekje Mit-hat Beun:

  1. Në Shqipni mbas dorëzimit t’ Italisë, me bashkue të gjithë Shqiptarët në luftë kunder komunizmit, me ia shporrë qafet këte kolonë të pestë të sllavizmit Kombit, per të muejtë me sigurue per kohen që pritej mbrojtjen e Atdheut në pergjithësi, gja që edhe unë personalisht ia pata sugjerue e ofrue në Gusht të 1944-ës. Nji veper e tillë, do t’a kishte shpetue Shqipninë pa ra nder kthetrat e tiranisë komuniste, e ndoshta, edhe Kosoven.
  1. Gjatë viteve 1946 – 49 kur i kerkojshim të marrin Flamurin e Bashkimit, t’na printe! Nder të dy herët ju ekstremistët që dominojshi vullnetin e Tij, e ndaluet pa i dalë në pikëpjekje Historisë! Historia vazhdoi rrugen e vet, e né Shqiptarëve, na la mbrapa në fatin që gjindemi sot. Ky asht shkaku që mërgata Shqiptare gjindet sot në këte gjendje! E ndofta, ky asht edhe shkaku që ç’ prej 1948, kur komunizmi i Shqipnisë i prishun me Jugosllavi e akoma jo i forcuem nga Rusia ishte nder grahma të fundit, po dhe na kishim nji rrezistencë t’armatosun nder Malet e Veriut mirë të organizueme dhe që kishte penetrue në ushtri e deri në polici per kryengritje të pergjithëshme, që po t’i kishim dhanë na të mërguemit pak shpirt’e ndihmë, ka fort gjasë që, ç’ atëherë, komunizmi në Shqipni do t’ ishte permbysë. E ju akoma sot vazhdoni të mburreni per çka i keni ba Bashkimit të Shqiptarëve e vrasjes morale të Mit-hat Frashërit!

(Shih fletoren “Flamuri”, 28 Shkurt 1966, nr. 148 – 151, kolona e gjashtë).

Jeni turrë kunder Mbretit Zog, simbol i sovranitetit të Shqipnisë, tue i ngarkue çfardo të keqje pa i njohë asnjë meritë. E pra, asgja tjeter mos me dashtë me i njohë Atij Mbret të Shqiptarëve në jeten e Tij politike që prej Kongresit të Lushnjes e deri në vdekje, e mandej si kryetar shteti, njerëzit e ndergjegjëshem (ndjekësa o kundershtarë) ashtu edhe historia: Ia njohin që kje Ai që mundi të krijojë nji Shtet Shqiptar me administratë të mbrendëshme politike e diplomaci të jashtëme, të njohun nga gjithë bota dhe rendin publik me qetësi shembullore.

Jeni turrë kunder Ernest Koliqit me mënyra shburrnore e banale çka nji nxanës i dikurshem i Tij si ju, z. Abaz Ermeni, nuk duhej kurrë t’a kishte lejue pse nuk e pranon as burrnia shqiptare, as moraliteti i njerëzëve të qytetnuem. Të tjerë ishnxanësa të Tij, e jo ma ultë me kulturë se z. Yte, dhe me ndjenja patriotike të flakta (si Isuf Luzaj), akoma sot e thërrasin MJESHTER. Ky shkrimtar i kalibrit të madh që në moshen e rinisë me novelat, artikujt e romanet e Tij, asht perpjekë vazhdimisht me vue në dukje (pah) virtytet e nalta të Fisit Shqiptar, tue predikue ruejtjen e tyne e shortimin e të mirave të kulturës moderne mbi cungun e atyne virtyteve e zakoneve të mira, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ ishte mâ Shqiptar. Na nderon edhe sot me personalitetin e Tij të naltë që i sjellë kultura e shqueme edhe para botës së huej dhe prodhon gjithnji e mirë sa askush tjeter per kulturen e letersisë shqiptare.

Asgja tjeter mos të kishte ba Ernest Koliqi per çeshtjen kombëtare, mjafton me e vue në rend të parë të patriotëve vepra e Tij arsimore në pergjithësi e në veçanti, në tokat e çlirueme në PRILLIN FATBARDHË të vitit 1941.

***

Mbas bashkimit të Kosovës dhe të tjerave vise Shqiptare me Atdheun, vinte në rend të parë çeshtja e arsimit nder ata vende ku nen mbretninë e Karagjorgjeviqëve, nuk ishte lejue as ma e ulta shkollë Shqipe. Qeveria e Romës kerkonte me kambëngulje që të ndiqej shembulli i Italisë kur kjo kishte aneksue Alto – Adigj-e (Sud Tirol), pa u kujtue se mes dy rasteve nuk kishte analogji me që Sud Tirolasit ishin Austriakë të gjuhës gjermane, ndersa Kosova e të tjera krahina të lirueme ishin të gjuhës dhe të gjakut Shqiptar.

I deleguemi i qeverisë italiane, ekspert i Ministrisë s’ Arsimit t’ Italisë, kerkonte që të fillohej të vihej Gjuha Shqipe nder ato shkolla nga nji klasë në vit, tue fillue nga e para fillore e nga e para gjimnaz, kështu, vetem në krye të tetë vjetëve mund të shqiptarizoheshin të gjitha klasët. Qeveria e kryesueme nga Shefqet Verlaci e kundershtonte projektin e Romës, por Ai që i dha grushtin kje Ernest Koliqi, që nuk pranoi asnji kompromis, e si pergjegjës i Arsimit i paraqiti Mëkambësit të Mbretit dorëheqjen si protestim. Jacomoni, ndeshet nga njianë me urdhnat e Romës dhe nga tjetra anë me qendrimin pakompromis të Koliqit, të cilit ia refuzon dorëheqjen në formë konfidenciale tue e autorizue Koliqin me gjetë zgjidhjen e pabujëshme. Zgjidhjen e gjet Ernesti tue e ba faktin e krymë.

Mblodhi 250 arsimtarë (nder të cilët ishit edhe disa nga ju agraristët e mavonshem), i dergoi në Tokat e Lirueme, gjoja me mbledhë folklor, por me urdhen taksativ: Me pergatitë hapjen e shkollave në Gjuhën Shqipe per të gjitha klasët, që prej së pares fillore deri tek e tetëta gjimnaz per Shtatorin e atij viti, dhe ashtu u bâ. Fondet e nevojshme i kjene dhanë në tjetër formë nga Mëkambësi i Mbretit dhe nga kryeministri Verlaci. Ishte guximi e mendja e hollë e Ernest Koliqit që realizoi këte veper të madhe kombëtare, që nuk u zhduk as nuk mund të zhduket mâ. Këte e dini mirë edhe ju agraristët po nuk e thoni, kujtoni se errësohet dielli me shoshë.

Dobija e letersisë dhe e kulturës kombëtare u këshillon të gjithë intelektualëve të mblidhen rreth këtij kroni ditunije, e të punoni sëbashkut per kulturë e letersi Shqiptare.

 

Leni hujet (inatet) e ambicjet e vinju punës së mbarë. Me kohë, me mundim e inteligjencë edhe ju mund të baheni kroje të dobishme, gjigante si Ai.

Sot Kosovari nuk mendon si e mendonte shumica me u bashkue me Shqipninë, se atje do të gjente një Turki të vogel, po e ndiejnë se hyjnë në gjiun e NANËS, në gjiun e Atdheut. Kjo shqiptarizem e flaktë që asht ringjallë nder Shqiptarët e robnuem, asht meritë e shkollës Shqipe, e në këte meritë vendin e parë e nxen Prof. Dr. Ernest Koliqi.

E çka nuk keni lanë pa thanë kunder Mustafa Krujës, kunder asaj mendje të ndritun e zemre të pervlueme nga atdhedashunia e cila, e shterngoi të kalonte në mërgim ma shumë se 40 vjet ma të mirat e moshës së Tij, e së fundit në këte mërgim, po mos të kishin kenë puna e së motres së Tij dhe bujaria e Mbretit Zog, do të kishte mbetë me vdekë urijet. E pra, dihet se Mustafa Kruja, të kishte mendue per veten e Tij ka pasë mundësina me e sigurue jetesen dhe ekonominë në shkallen ma të kënaqëshme, por Ai, nuk pat mendue kurrë per vete, po per Shqipninë, t’ i sherbente me çdo therori.

Çka keni thanë e çka keni per të thanë kunder meje? – Se jam fashist, se paskam ardhë këtu me organizue grupin fashist. A e kam mohue ndonjiherë të kaluemen time? – As që kam nder mend t’a mohoj në çfardo rrethanet. E pohova edhe kur kjeshë arrestue në Brescia nga policia italiane, në Maji të 1945-ës, atë kohë kur më vrau nji “fashist” edhe pa proces, që t’i quhej “meritë”, e pohova edhe para oficerit amerikan që ishte i ngarkuem me kontrollue veprimet e policisë dhe pata proven se ata që ishin burra, respektoheshin! Ai porsa i tregova  arsyenat kombëtare, urdhnoi kuestorin të më lironte menjiherë, dhe prej atij çasti më deklaroi nen protekcion të Armatës së V-të; ndersa do t’ ashtuquejtun bashkëpuntorë t’ Aleatëve, ishin të ndrymë me ia dorzue Enver Hoxhës, po të mos ndryshojshin rrethanat; pse nuk kishin dijtë të mbanin perherë nji rrugë qendrimi.

Fjala fashist sot asht krejt pa krypë e kot mendohet se damton kush kend me atë fjalë!

Fashizmi ka kenë nji fenomen historik i kohës së tij e që mbas mendimit tim nuk duhet të kthehet mâ. Këte e perfitoi nji ish-socialist që quhej Benito Mussolini, per të shpetue Atdheun e Tij, pa ra nder kthetrat e anarkisë e të tiranisë bolshevike e që me këte lëvizje, e me ndihmen që i dha nacionalizmit spanjol, shpetoi Europen! Ishte nji fenomen i lindun nga nevojat e kohës.

Në Shqipni, nuk ka pasë as fashizem as antifashizem në kuptimin e fjalës; ka pasë vetem korrente të ndryshme mendimesh, që të gjitha synonin me i sherbye Atdheut.

Na në hijen e fashizmit perpiqeshim të ruejmë e të forcojmë nacionalizmin shqiptar, dhe me atë veprimtari e lealitet nxorem mjaft koncesione në dobi të çeshtjes kombëtare, dhe patme vu bazat per Shqipninë Etnike e sovrane per t’ ardhmen.

Tham se nuk ka pasë fashizen e antifashizem në Shqipni, pse fashizmi tek na nuk erdhi as si lëvizje kulturore – propagandistike – politike, as me lëvizje armësh si n’ Itali e ngjetiu. U proklamue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit, per analogji me Italinë e prap u suprimue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit pa gjetë asnji kundershtim.

Ana e juej bashkëpunuet me neve, me italianë e edhe me komunistë njiherit, në të njajten mënyrë bashkëpunuet me Gjermanët e me Aleatët. Siç pohojmë na të t’onat, pohoni me guxim burrnor edhe ju të tuat!

 

SYNIM’  I  SHTERPËT

 

Per të nda Shqiptarët në fashistë e antifashistë, nder tradhëtarë e superpatriotë, jeni kapë per verigen e kalbët të disa telegrameve të fallsifikuem që u shpallën nga agjensia “Stefani” dhe u botuen nga fletoret italiane njiherit me pushtimin ushtarak të Shqipnisë, se gjoja disa parësi të Shqiptarëve i paskeshin kerkue Duce-s ndihmë, që ta shpetojë Shqipninë nga regjimi i asaj kohë. Ata telegrame ishin të fallsifikueme e qé ku asht prova:

Në Mars të vitit 1940, fillova nji qarkullim fjalimesh që i vazhdova në gjithë Shqipninë, që prej kinema theater MAJESTIK në Korçë, rreth mardhanjeve italo – shqiptare në gjendjen e krijueme nga forcat e rrethanat historike; dhe deklarova:

ASNJI SHQIPTAR nuk e kishte dishrue as ftue pushtimin ushtarak nga Italia, as verbalisht, as me telegrame ose letra. Solla si shembull Kapidanin e Mirditës me veprimin e Tij në ato rrethana, i cili i kje vue në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit me 5.000 burra që pritshin armët per të vrapue në luftë.

Me 15 Mars, Kapidani kje thirrë n’ audiencë nga Mbreti Zog per të bisedue per gjendjen që po shihej e turbulltë me Italinë. N’ atë audiencë Kapidani i dha besen Mbretit se po të ngjiste gja per okupim të Shqipnisë nga Italia, Ai do të vihej në dispozicion me të gjitha fuqitë e Tija, vetem se i duheshin armë.

Në fund të Marsit, Mbreti emnoi Sul Kurtin rrethkomandant në Burrel, me porosi që të rrinte në lidhje telefonike me Kapidanin, per t’i transmetue porositë e Mbretit. Me 5 Mars, Sul Kurti me urdhen të Madhnisë së Tij, lajmëron Kapidanin të mblidhte menjiherë vullnetarët e t’i grumbullonte rreth Rrubikut ku do t’u shkonte armatimi. Menjiherë Kapidani qiti kushtrimin e mblodhi 5.000 burra Mirditas e Thkellas tek Kroji i Sh’ Lleshdrit, dhe me 7 Prill i telegrafoi Madhënisë së Tij, tue lajmërue se ishte i gatshem per luftë dhe kerkonte armët. Pokështu, ju vuna edhe unë në dispozicion me deklaraten që i bana prefektit të Shkodres Javer Hrushidit, porsa ndigjova në radio lajmin e tentativës së zbarkimit italian. Këto i thashë publikisht para elitës dhe popullit të Korçës, si edhe para autoriteteve civile e ushtarake shqiptare e italiane, në atë kohë kur Italia njihej potenca e tetëmiljon bajonetave dhe ishim nen okupacionin ushtarak të saj. E persërita që prej Gjinokastres në Kukës, në të gjitha qendrat kryesore të Shqipnisë. E thashë jo vesh në vesh po të MADHE e botnisht. Me fjalë të tjera i thashë “DUCE GËNJEVE !” Nuk u mjaftova ta them vetem me fjalë që i merr era e treten n’ eter, po i thashë edhe me shkrim që u botue nga Ministria e Kulturës Popullore “DISTAPUR”, fashikulli nr. 3.

Që unë i bana ato deklarata aq të guximëshme per atë kohë, nuk isha i interesuem aso kohe as sot personalisht, pse as emni i Ernest Koliqit as i imi, nuk figurojnë n’ ato telegrame.

Isha i interesuem kombëtarisht per Historinë. E shtoj, se asnji personalitet që ka ba ose ban pjesë në B.K.I. nuk figuron n’ ato telegrame të fallsifikueme, perveç nji BURRI, (që asht në Jeten tjeter), i Cili, me qendrimin e Tij patriotik të atyne ditëve, i pat pergënjeshtrue edhe vetë. Kjo asht e verteta lakuriq e atyne telegrameve. Asnji tjeter akt privat a zyrtar nuk ekziston  i nenshkruem  nga pergjegjësat e asaj kohë, perveç atyne protokolare t’ akordeve e mardhanjeve të karakterit nderkombëtar në mes të dy shteteve.

E kur unë aso kohe N.Sekretar i P.F.SH., pata guximin ti tham botës dhe Duce-s me fjalë e me shkrim çka u tha ma nalt, z. Yte, z. A. Ermeni e të tjerë, ndofta pershpëritëshit fjalë e ndjesi reaksionare kundra gjendjes s’ imponueme Shqipnisë (nënza) siç ishin në zemer të çdo Shqiptari, po n’ anen tjeter, vrapojshi kush po merr trisken e P.F.SH. sa ma parë. E keni vazhdue me veshë këmishen e zezë e të duertrokitni emnin e Duce-s, në mos ma teper, poaq sa unë e Ernest Koliqi.

Keni kalue n’ anen tjeter kur Boshtit filloi t’i rrjedhin kazani, e kur u pa se kazani po shterrej, per të muejtë me nxjerrë veten “puritana” filluet edhe të ndani Kombin në fashista e anti, kolaboracionistë, nen patriotë e tradhëtarë, tue cilësue veten superpatriotë.

Na akuzoni edhe per fashiot që iu vune Flamurit. E di shpirti ynë, e dishmojnë provat që kemi dhanë pastaj sesa plagë e randë ka kenë per neve ajo ditë! E mirë, na nuk mundem t’a ndalonim, e prap ishim na me në krye Mustafa Krujen, Terenc Toçin, Shefqet Verlacin, Ernest Koliqin, Ekrem Libohoven etj., që me takt e guxim e bame Duce-n të terheqin spatat e të na e dorzojnë Flamurin e Skenderbeut.

Pra më tregoni ju “superpatriotët”, ku ishit e çka keni ba atë ditë që ata ia vune spatat Flamurit? Pse nuk doli nji nga ju me i hjedhë Mëkambësit të Mbretit nobare nji vezë skllukë?

Né që na queni fashista, arrijtëm të bindim Duce-n me pranue edhe suprimimin e P.F.SH. dhe zevendsimin e saj me nji Lëvizje thjeshtë shqiptare.

Nuk ka as nuk ka pasë tjeter spjegim z. A. Ermeni, veçse frikën që në nji bashkim të pergjithëshem disa nga rrethi Yt, se mos po mbeteshin në hije e kështu o burra, na e vetem na të perpiqemi të marrim krejt pushtetin (kot t’ imagjinuem), qyshë se keni nda edhe pozitat që nga Kryetari i Republikës e deri tek Nenprefekti, e mandej (në mendjen tuej), me ushtrue Pushtetin absolut per të zhdukë kundershtarët. A nuk zbatoi të njajtin sistem komunizmi?

Dinje se mënyra e veprimit tuej sot i sherben vetem komunizmit: “NDAJ E MBRETNO” dhe se per t’ ardhmen ka per të pasë efektin e kundert t’ asaj që mendoni ju.

Historia cilëson veprimet e faktet dhe jo pallavrat as dëshirat.

Veprimet e faktet peshojnë në damin tuej si n’ Atdhe, ashtu edhe në mërgim.

Po ua kujtoj edhe nji gja me randësi kryesore:

KOMB E SHTET NUK MUND TË THEMELOHEN MBI MËNI (URREJTJE) E RRESHTNA VLLAZNISH, siç mendoni ju dhe komunizmi!

Vetem me therorina të perbashkëta të të gjithë bashkatdhetarëve e vllaznim,

NDERTOHET SHTET E KOMB!

 

KARTAT NË SHESH

Na queni kolaboracionistë me të huejtë, me okupatorin. Nuk e kemi mohue as nuk e kemi nder mend të fshihemi mbas bekimit t’ Argjipeshkvit o të Kryemyftisë së Shkodres, siç po bajnë disa prej jush, se gjoja kishin “bekimin” e Mit-hat Frashërit me bashkëpunue me fashista e me “sabotue”(!), a nuk u duket qesharak ky lloj perligjimi? Na nuk e mohuem bashkëpunimin tonë me Italinë fashiste dhe per rrjedhim me Boshtin Romë – Berlin. Këte bashkëpunim e sollen rrethanat nderkombëtare të kohës e nevojat kombëtare, per të shpetue çka t’ ishte e mundun.

Kolaboracionistë në terminologjinë e ré quhet ai që bashkëpunon me të huejn në vendin e vet. Pra as ju, mos e mohoni pjesen tuej në këte kuptim! Edhe ju bashkëpunuet me të huejn, madje edhe jeni mburrë per atë bashkëpunim, pra kolaboracionistë kemi kenë të dy palët, na pa vullnet, shterngue nga rrethanat e interesi i Atdheut, ndersa ju, me krejt vullnetin e lirë.

Na me Boshtin, ndersa ju me Aleatët, per rrjedhim edhe me Rusinë Sovjetike!

 

FLASIN  FAKTET, DISHMOJNë  VEPRAT!

 

  1. Me 7 Prill 1939, Italia filloi zbarkimin e ushtrisë në kater limane të Shqipnisë. Shqiptarët e lanun në fatin e tyne nga e gjithë Bota e bane detyren që i perkiste nji kombi të vogel. Luftuen sa mundën e do gjak u derdh, sa me i dishmue Botës se Lirinë e mbrojnë me gjak. Nji tjeter shtet 15 miljonësh kishte kapitulue pa pushkë e të shtime, tue pasë edhe nji nder industritë ma moderne t’ Europës. Shqiptarët që u gjendën në ball të luftës, ultimatumin e agresorit e pritën me ata plumba që patën. Burra si Kapidani i Mirditës u vunë në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit, të gatshem me shkue me luftue me trimat e tyne vullnetarë. Koha nuk priti të grumbulloheshin forcat shqiptare. Mbreti, me largpamjen e Tij e gjykoi se nuk ishte koha me shkatrrue Vendin me guerrilje  nder rrethanat e kohës dhe e la Atdheun. Mbrenda tri ditësh ushtria italiane pershkoi Shqipninë anë e mbanë deri nder kufijë të Greqisë e Jugosllavisë. Ushtria italiane nder kufijtë e këtyne fqinjëve kje pritë me të dridhuna po edhe me lule e tjera gjeste miqësie.
  1. Mbas largimit të Mbretit dhe qeverisë nga Tirana, me 8 prill u formue Komiteti Ekzekutiv i kryesuem nga Kryeinspektori i Oborrit Mbretnor, Shkelqësia Xhafer Ypi, e Sekretarët e Pergjithëshem të Ministrive. Ky urdhnoi pushimin e rezistencës e pritjen miqësore të ushtrisë italiane.
  2. Ministri i Punëve të Jashtme t’ Italisë konti Galeazzo Ciano, që me 8 prill kishte ardhë në Tiranë, e në marrveshje me Komitetit Ekzekutiv ishte vendosë me mbledhë nji Asamble në Tiranë me 12 të atij muej. Parësia e krahinave të Shqipnisë bashkë me shumicen e deputetëve të seksionit t’ atëhershem, kishte arrijtë në Tiranë me daten 10 e 11. Vetem perfaqësia e Shkodres ngurroi t’i pergjegjej asaj ftesë, e mbas dy ditë bisedime në shtëpi të Kapidanit të Mirditës mbasi caktoi nji program veprimi, arrijti në Tiranë në mengjes të 12 prillit 1939 e prime nga At Gjergj Fishta, At Anton Harapi e Gjon Marka Gjoni. U ndaluen në hotel Internacional e kerkuen nga delegacionet tjera që të dilshin nga Parlamenti, per të ngulë kambë të gjithë sëbashku siç kishte vendosë dërgata shkodrane, “mos me pranue bashkimin e kunorës, por nji Princ të Shtëpisë Savoja mbret”. Nuk iu pergjegjen thirrjes sonë, me që ato dërgata e kishin pranue kerkesen e Ministrit Ciano. Dërgata shkodrane nuk pranoi të hynte në mbledhje pa u skjarue me perfaqsuesin e Italisë mbi fatin e Shqipnisë. Ngarkuem At Anton Harapin dhe Gjon Markagjonin per këte skjarim e kambëngulje në tezen tonë.

Dy perfaqësuesit tonë u gjetën para fakteve: a. Të gjitha delegacionet tjera kishin pranue formen e UNIONIT pa asnji kundershtim; para vendosmenisë italiane që o do të pranohej bashkimi i kunorëve, ose do t’ ishte diçka ma e randë. Para këtyne faktorëve të pakalueshem të ngarkuemit tonë prap nuk e kishin dhanë fjalen e pranimit e sëbashku me kontin Ciano, e me Jacomonin, erdhën në sallen ku pritshim na të tjerët. At Antoni na shpjegoi të gjithë bisedimin e çeshtjen, tue na vue në dijeni se Shkodra kishte ngelë vetem, pse delegacionet tjera të gjitha e kishin pranue kerkesen e Italisë pa hezitim. Erdhëm në nji kompromis: Konti Ciano, perfaqësues i Italisë, n’ emen të Mbreti Perandor dhe të Duce-s, të bante nji deklaratë publike per ruejtjen e sovranitetit e t’ integritetit të Shtetit Shqiptar, të pacenueshëm në ketë bashkim kunorash.

Ciano e pranoi dhe e bani deklaraten e kerkueme para popullit e perfaqësuesëve të tij të rastit. Këthyeme prap në hotel dhe e stilizuem deklaraten si vijon, të cilen, e lexoi në Parlament ish-antari i Këshillit të Naltë shkelqesa Ndoc Pistulli.

 

DEKLARATA

 

“Mbështetë mbi marrëdhanjet që na perfaqësuesat e krahinës së Shkodres, që para zhdukjes së regjimit zogist patëm me perfaqësuesit e Italisë fashiste, si edhe mbi besen e dhanun prej Ekselencës së Tij Konte Galeazzo Ciano, i cili njiherë privatisht i’ a dha fjalen Princit Mirditës z. Gjonit të Markut, e mandej publikisht edhe para dërgatës shkodrane se: INDIPENDENCA E SHQIPNISË asht e garantueme në mënyren ma absolute, me Flamurin e vet, me Gjuhë, shkolla e zhvillim të tyne, me administratë shtetnore të veten ushtarake e civile, me perfaqësina para shteteve të tjera dhe me gjithçka asht në natyrë të nji Shteti e nji Kombi, me rracë, gjuhë, histori, tradicione e tagre të veta.

Na Perfaqësuesit e krahinës së Shkodres, pranojmë, që Mbreti Perandor i Italisë fashiste, të jetë njiheri edhe Mbreti i Shqiptarëve.”

Ky dokument u nenshkrue prej të gjithë delegacionit të Shkodres me rradhë si vijon:

Kapidan Gjon M. Gjoni, Ndoc Pistulli, Don Mikel Koliqi, Pater Gjergj Fishta, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Daut Gjylbegaj, Zejnel Broja, Asllan Bekteshi, Kolë B. Mirakaj, Zef Boriçi, Shaqir  Omari, Taip Hilmija, Gjyl  Gjylbegu. Në të djathtë  të dokumentit, figuron emni i At Anton Harapit, që ka shkrue dokumentin historik me doren e vet.

Po t’ ishin bashkue me këte qendresë morale edhe perfaqësuesit e krahinave të tjera të Shqipnisë, Italia do t’ ishte mendue shumë para se me shkelë disa nga këta kushte siç i shkeli, e që veprimi i mavonshëm i atyne që i queni tradhëtarë e bani prap Italinë t’ ia këthejë këto të drejta Shqipnisë.

Në nji libret të botuem në Washington në 1951, nga Cost A. Chekrezi, Ai thotë: “Ata që kundershtuan më rrebtësisht vendimin e Duces, ishin krerët katolikë të Shkodres.”

Kostë Chekrezi nuk ka kenë perkrahës i yni, por ka afermue nji të vertetë historike.

4.Na e konsideruem çeshtjen kështu: SHTËPIJA ka marrë zjerm; mbrenda kemi familjen, pasuninë e gjithshka asht e denjë per jeten e njeriut. Kush të jetë burrë duhet të hyjnë në zjarm me shpetue çka të jetë e mundun ose me u djegë edhe vetë. Nuk mujtëm me ndejë me duerkryq tue ba sehirë si disa “superpatriotë” (!). Gjithshka u ba aty, e ma vonë me protokole të karakterit të së Drejtes Nderkombëtare – Shtet me Shtet.

Në këto rrethana shternguese kombëtarisht filloi kolaboracionizmi ynë me Italinë fashiste e per rrjedhim me Boshtin Romë – Berlin, të cilit na të bindun se interesi i Atdheut n’ atë kohë e lypte t’ ishim leal, e ashtu qendruem deri në fund; edhe kur i mbrami ushtar gjerman po lente Shqipninë. I ndejtëm leal pse, mbas mendimit t’im, per të muejtë me ba politikë të dobishme per Kombin duhet me kenë dishka, e per me kenë dishka, duhet me pasë nji forcë.

Kjo forcë o perbahet nga fuqia e armëve, ose nga fuqia morale që vjen nga besnikija, nga lealiteti. Na si popull i vogel e i pa mjete që jemi, nuk mund t’ a mbështesim politiken në forcen e armëve e aq ma pak në demagogjina e dredhina, po vetem në  Forcen Morale.

***

Tani miqë agrarista, duhet pa kolaboracionizmi i juej dhe mandej frytet e këtyne dy kolaboracionizmave, me që edhe ju keni kenë kolaboracionistë me të huejn, dhe frytet e këtyne dy kolaboracionizmave janë:

1.Ju e pranuet gjendjen de facto të imponueme nga rrethanat që u thanë; e pranuet qyshse pa farë hezitimi bashkëpunuet me neve dhe u batë antarë të P.F.SH.

 

Mbajtët nëpunësinë dhe fituet tjera të reja deri në shkallë të ministrave, madje edhe të Ministrit – Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare, po ashtu si unë. E pranoi edhe vetë Mit-hat Frashëri, perderisa lejoi të nipin Hysref Frashërin të bahej Federal i P.F.SH., e Ai vetë (Mit-hati) mori koncesionin monopol  të furnizimit të të gjitha Ministrive me landë të shkresave.

2.Keni fillue me kalue në opozicion kur Boshtit filloi t’i rrëshqasin fati nder frontet e luftës, atëherë kur keni fillue me shty disa të rijë të ndezun në flakë atdhedashunije (po naivë), që të arratisen nder male, ku ju akoma nuk kishit nji udhëheqje të tuejen me i rreshtue në luften nacionale, e kështu perfundojshi të perpimë nga bandat komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit.

  1. Edhe mbasi keni fillue me formue çetat tueja keni vazhdue të bashkëpunoni me neve e me komunista njiherit, e me këta të fundit keni vazhdue me punue deri në mbledhjen e Mukajve e që, mbas asaj mbledhje u shternguen të ndaheni nga ata, me sulmet e drejta kunder jush.
  2. Enver Hoxha, Mehmet Shehu e sa të tjerë i shpetuet disa herë pa mbetë në duertë e autoriteteve qeveritare ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau kur i pat rrethue Reis Agaj në Sevaster, e i shpetoi Skender Muço me shokë, dhe jo vetem këta, po edhe Miladin Popoviqin e Dushan Mugoshen i shpetuet disa herë, dhe patët bashkëpunim e raki me meze me ta, jo vetem njiherë…
  3. Keni ba njifarë bashkëpunimi dredharak me Misjonet ushtarake Aleate (dredharak pse njiheri bashkëpunojshi me italjanë ma parë, e me gjermanë masandej…), pa asnji marrëveshje protokolare konditash per t’ ardhmen e Shqipnisë. Krenët tuej të mbrojtun nga qeveria, rrinin të qetë në kryeqytet e tjera qendra të Shqipnisë, tue ua ngarkue aksionet komunistëve kur keni vazhdue të mbanit pozitat “fashiste e naziste”, tue marrë edhe ndihma të posaçme nga qeveritë e kohës me premtime me luftue komunizmin. Ky lloj bashkëpunimi pa kondita protokolare me të huejtë në terminologjinë e së Drejtes Nderkombëtare, quhet mercenarizem.

Per hirë të së vertetes afermoj se nder ju ka kenë Prof. Isuf Luzaj, që ka ba opozicion që në fillim haptas dhe kje internue në Ventotene. Të tjerët të internuem ma teper kanë kenë në villegjaturë se sa në internim të kuptimit të fjalës, me që ishin të lirë nder qytete të ndryshme të Italisë. Rroga e nëpunësisë u paguhej tanësisht, familjet merrnin ndihmen e jashtzakonëshme e edhe ndihmen si të internuem.

Kemi nji personalitet që rrinte në hotel De Gasperi, në via Colina, në Romë, si i internuem, e perveç ndihmës që merrte nga qeveria italiane per atë cilësi, merrte edhe nga Mëkambësi i Mbretit dymijë fr. Sh. në muej pra, dyfish rrogen e nji Ministri në fuqi!

  1. Nuk ishit të zotët të mbani nji pozitë të caktueme, të ndiqnit nji rrugë të vetme, po kujtuet se politika mund të bahej me akrobacina e demagogjina dhe nuk deshët të parashikoni rreziqet që po i kercënoheshin Kombit, siç i parashikonim na e ua thonim kryetarëve tuej.
  2. Koha provoi se nuk kishit asnji plan per shpetimin e Shqipnisë, sido që të perfundonte ndeshja e gjigantëve, por edhe sabotojshi me veprimet tueja planin që kishim na n’ atë drejtim.
  3. U mundëm nga nji anmik i perbashkët ju e na dhe dolem rrugëve të Botës, tue e lanë Popullin në fatin tragjik të tij, por me nji ndryshim: Na megjithse mundeshim me i shpetue me kohë, i lame me Popullin familjet e loçkat e zemrave tona dhe shumë të tjerë luftarë, per të mbajtë gjallë shpirtin e qindresës, me shpresë se do të vinte nji ditë që të kishim nji bazë të fortë per ndermarrje kryengritjeje per të Shpetue vendin nga tirania bolshevike.

Kjo bazë qendroi deri në Korrik të vitit 1951, tue na pritë neve të mërguemëve.

Ju me perjashtimin tand z. A. Ermeni e të vllazenëve Kazazi, ua dhatë kambëve tue i lanë shokët luftarë në fatin e tyne e që unë “fashisti”(!), i shoqnova nëpër Kalvarin e udhtimit në Jugosllavi, i nxora nga Tragjedia e Vjenës, dhe ua çila rrugen e shpetimit per Itali.

 

  1. Tash 22 vjet mërgim, po sabotoni bashkëpunimin e forcave kombëtare tue u perpjekë me denigrue kedo që nuk u ndjekë juve në rrugen rrenimçare. A ka sherbim ma të çmueshem që mund t’i bahej regjimit komunist? Miljarda me pasë derdhë Enver Hoxha e Mehmet Shehu (siç duket se i kanë derdhë disa pare) nuk ishte dashtë t’ arrijnë me e rrëzue mërgaten antikomuniste në këte shkallë që gjendet sot! Ju ia dolët! Ua dhatë bishtin spatës n’ Atdhé e në mërgim!

***

E tani, më lejoni nji pyetje:

Ku ishit diten e 7 Prillit të Zi? Ku ishit diten e 12 Prillit 1939 ?

Pse nuk doli nji nga ju, që monopolizoni (me fjalë) patriotizmin, t’ia hjedhin gurin atij “BALILOS”, me shprazë ndobare nji fishek qorr atë ditë në sallen e Asamblesë per protestë para tribunës së Kontit Ciano?

 

VEPRIMET  E  FRYTET

E  DY  KOLABORACIONISTëVE

 

NA:

1.Nder ato rrethana që u permendën e dihen, na vepruem me squtësi e guxim sëbashku tue vu shumherë në rrezik personalitetin tonë, e me këte mënyrë shpetuem figuren juridike të Shtetit Shqiptar, që të vazhdonte jeten (nobare formalisht) si Shtet sovran – monarkist.

  1. Patme Qeveri Shqiptare me Parlament që vepronte në bazë të Statutit që M. Tij Victor Emanueli (simbas traditës së Shtëpisë Savoia) ia dha Mbretnisë Shqiptare, siç ia kishte dhanë i ati Mbretnisë Italiane të bashkueme nen skiptren e Tij.
  2. Ruejtem të pacenueme Gjuhën Shqipe jo vetem në Parlament, po në të gjithë administraten e Mbretnisë dhe n’ Arsim që e permirësueme me shtimin e shkollave, me programe kombëtare – edukative, me botime librash që ma perpara mungojshin, sidomos per klasët e nalta të gjimnazeve në Gjuhë Shqipe. Krijueme edhe Institutin e Naltë të Studimeve Shqiptare, drejtimi i të cilit i kje besue mendjes së ndritun të Mustafa Krujës.
  3. Sollëm permirësim ekonomik aq sa Shqipnia nuk e kishte pasë prej shumë e shumë kohe, sa që nga pikpamja ekonomike, Shqipnia kje ba si në ishull lumnije në ngushtica që Lufta i kishte sjellë Europës mbarë, na kishim aq sa kemi shpetue edhe Greqinë pa vdekë urije.
  4. I Bashkueme Atdheut tokët e robnueme, tue realizue të Drejten ma të Shejtë të Kombit mbarë.
  5. Hapem Shkollen Shqipe në Kosovë e të tjera Krahina të Lirueme, shkollë që perveç perparimit e qytetnisë, ka ngjallë edhe ndergjegjen e vetëdijen (koshjente) kombëtare që nuk mund të shuhet kurrma!
  6. Hoqem spatat e fashizmit në Flamur tue e kthye në pastertinë origjinale.
  7. Nxorem mundësinë që pranë legatave e konsullatave italiane, ku Shqipnia kishte interesa, t’ ishin aty diplomatë Shqiptarë per të trajtue ata interesa.
  8. Arrijtëm të ndrrojmë (shkembejmë) Perfaqësi diplomatike edhe me Italinë, në rangun e Legatave, ku ishin akreditue Ernest Koliqi, Perfaqësues i Shqipnisë pranë Qeverisë Italiane, me cilësi Minister Fuqiplotë; dhe Dr. Silenzi, Perfaqësues i Italisë pranë Qeverisë Shqiptare, po me të njajtin Titull si Koliqi.
  9. Kemi nxjerrë pelqimin nga vetë Mussolini me suprimue P.F.SH., dhe me e zevendsue me Lëvizjen “BIR TË SHQIPES”.

***

 

JU:

1.Bashkëpunuet me neve n’ administratë shtetnore dhe në P.F.SH. deri diten që Mussolini kje arrestue në vilen private të Mbretit me 25 Korrik 1943.

  1. Në të njajten kohë e deri në Mbledhjen e Mukajëve, bashkëpunuet edhe me komunistë, tue u dhanë atyne prestigj nacional.
  2. Koha e faktet treguen se per atë lloj bashkëpunimi që patët me agjentët e Aleatëve, nuk kishit asnji marrëveshje protokolare me Aleatët per t’ ardhmen e Shqipnisë mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, asnji plan veprimi per ruejtjen e asaj që ishte fitue nga kolaboracionizmi ynë, sidomos fitimi që solli Prilli fatbardhë i vitit 1941.
  3. Nuk ishit të zotët të mbanit nji qendrim të caktuem e të perherëshem, siç e mbajtem né, po njiherit ishit me neve e me komunistë, me agjentët e Aleatëve, me Italinë e Gjermanë.

Ky sistem akrobacinash, u bani të humbni çdo konsideratë nga të gjitha anët, sa që edhe vetë Aleatët erdhën në perfundim që të perkrahin bandat komuniste ma teper se juve.

  1. Fryti i këtij lloji bashkëpunimi tuej e sabotimi që i bajshit planit të tyne të mbrojtjes me aksione të pafrytëshme, solli realitetin tragjik që po dermishet Populli Shqiptar tash 22 vjet.

***

Këta janë veprimet e faktet dishmuese per të dy palët, të cilat kronika i ka rregjistrue e që Historia ka per t’i gjykue!

Prandej, z. Abaz Ermeni, as Ti as unë nuk kemi mandat, as nuk jemi të cilsuem me gjykue njanitjetrin!

Megjithate, unë personalisht, nuk mohoj atdhedashuninë tuej, as t’ atyne që u ndjekin në mirëbesim. Por jam i bindun, se ju krenëve ua ka terratisë arsyen e tha zemrat lakmia e ARRIVIZMËS.

Si e keni guximin para ndergjegjes suej t’ ua mohoni atdhedashuninë e patriotizmin Atyne që këta virtyte i kanë të zieme në furren e therorivet eprore?

Vetem egoizmi i verbët mund t’ i perligjin vetes nji qendrim të tillë.

***

 

 

APEL NDëRGJEGJEVE  Të  PASTERTA

 

Me gjithë që, tash 22 vjet na keni sulmue paburrnisht me çdo lloj intriget e shpifjet, na të BLOKUT KOMBETAR INDIPENDENT, jemi prap gati per hirë t’ Atdheut t’ iu shtrijmë doren lealisht edhe juve, pse dijmë që pa Bashkim të të gjithë Shqiptarëve nuk mund të bahet forca e nevojshme, dhe pa Vllaznim e therorina të perbashkëta, nuk mund të rindertohet Shtet e Komb!

Po kje se udhëheqësit e Partisë Agrare Internacionale e Blerët nuk doni të hiqni dorë nga rruga që asht vetem në dobi të regjimit gjaksuer komunist, atëherë u baj apel atyne burrave e sidomos djelmoçave që u kanë ndjekë në mirëbesim, të hulumtojnë ndergjegjmënisht me gjetë të verteten e dobisë kombëtare, të terhiqen nga rruga e juej antikombëtare, nga verbënia e juej dhe të kthehen në rrugen kombëtare, në rrugen e Vllaznimit Shqiptar!

Nuk i ftoj të hyjnë në rreshtat e B.K.I., ose të O.L.L., apo të ndonji             grupit politik që nuk asht origjinalisht i tyne. I ftoj të kthehen në BALLIN KOMBËTAR të vertetë, që kerkon  bashkëpunim e vllaznim me të gjithë Shqiptarët, në Ballin që udhëhiqej nga zemrat patriotike si, Nuredin Vlora, Ali Klisyra, Koço Muka, Rasim Babameto, Kolë Tromara, Isuf Luzaj etj.

 

Me këta Burra pata disa herë bashkëfjalime kur isha  Minister i Punëve të Mbrendshme, kur akoma ishim në gjendje po t’ ishim të Bashkuem, t’a shpartallojshim komunizmin, po të kishit ndigjue ju të tjerët (me Mit-hat Frashërin në krye), zanin e këshillat e Tyne, jam i sigurt edhe sot, se Shqipnia nuk do të kishte pësue fatin tragjik që pësoi.

Ata Burra e patën kuptue se të perçamë do të humbëshin të gjithë!

E patën kuptue se po të bashkoheshin forcat nacionaliste me forcat e qeverisë, edhe këta nacionale, jo vetem që do të zhdukshim rrezikun komunist në pak kohë, po të kishim kenë në gjendje me vu në veprim edhe Planin e Mbrojtjes që kishte qeveria, e që ua kishim tregue këtyne Burrave, e fort e mundëshme ishte që Shqipnia, nuk do të kishte pësue as tragjedinë bolshevike, as coptimin e dytë që pësoi.

***

 

 

PLANI  YNë  I  MBROJTJES

 

1.Me u armatosë sa ma teper e me u organizue ushtarakisht, per të perballue me sukses luften e vertetë që parashihnim se do të shperthente kunder Shqipnisë nga ana e fqijëve, në rasë se ushtritë e Boshtit do të shterngoheshin me u terhjekë nga Shqipnia, para mbarimit të Luftës.

  1. Me këte plan, ishte perfshi edhe mbrojtja e Kosovës me të tjerat Vise të lirueme me 1941, që prej Ulqinit deri në Rozhajë, që prej Tetove deri në Diber.
  2. Qeveria merrte pergjegjësinë e veprimit të këtij plani dhe të konseguencave personale ndaj Aleatëve.
  3. Kur vendi të okupohej i tani nga forcat Aleate, qeveria i dorëzonte pushtetin korrentit të mbajtun proaleat.
  4. Per të mbajtë këte korrent proaleat, mendojshim se disa personalitete nacionaliste të deklaroheshin me propagandë perkrahës të kauzes Aleate, por jo, me ba aksione sa me pengue armatimin e planit të tyne. Gjithshka duhej ba në marrëveshje konfidenciale dhe me pelqimin e qeverisë.

***

Se çfarë fryti do t’ epte ky plan, proven e kemi pasë në qendresen që bane kosovarët, tue pasë perkrah vetem nji regjiment të vogel ushtrije të rregullt të komanduem nga Heroi kolonel Fuat Xhaferaj Dibra, që jo vetem ndaloi sulmet e gjithanëshme t’ anmikut, po edhe shpartalloi dy divizione bullgare, tue u marrë edhe topat e që ajo rezistencë u shue vetem me tradhëti të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, që derguen divizionet e tyne, tue i gënjye kosovarët, se ata do të mbeteshin me Shqipni, kështu, mbasi i çarmatosi me besë edhe i masakroi, ua dorzoi ato Tokë Ilirjane – Dardane, Jugosllavisë.

Merret me mend se mbrojtja si mbas planit tonë me 200.000 luftarë, do t’ ishte e pathyeshme nga askush derisa t’ arrinin ushtritë anglo – amerikane, e merret me mend se tue pasë gjetë ato Tokë në dorë të nji ushtrije kombëtare antikomuniste, e vendosun  me vdekë para se me i lëshue në dorë t’ anmikut, se çeshtjen kuptohet se e kishim të fitueme 90%, që mund të zgjidhej paqësisht me Jugosllavinë, me nji plebishit nen kontrollin e Aleatëve.

 

KUSHTET  PER  REALIZIMIN  E  PLANIT

 

  1. Zhdukja e bandave komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit, per t’ mos i pasë thikë mbas shpine.
  2. Organizimi e armatimi i DYQINDMIJË Luftarëve që Shqipnia bashkë me Tokat e Lirueme, i nxirrte nga klasat ushtarake të zgjedhuna. Nji forcë e tillë, do të ishte e mjaftueshme per të mbrojtë kufijtë në Veri, Lindje e Jug, deri t’ arrijshin ushtritë anglo – amerikane, me që ishte parashikue (siç ngjau) se forcat jugosllave në shumicen e tyne, do t’ ishin t’ okupueme me ushtritë gjermane në terheqje nëpër Jugosllavi.
  3. Per armatim e ndihmë organizimi, kishim premtim solemn nga Mussolini, jo vetem me na dhanë të gjithë armatimin e nevojshem, po edhe me na lanë teknikët që do të na nevojiteshin per armët ajrore e artilerinë e randë etj. Po na duhet t’ epshim proven se n’ asnji rasë ato armë nuk do të këtheheshin kunder ushtrisë italiane.

Marrëveshjen per Planin e Mbrojtjes  e pata perfundue unë me Mussolinin, n’ audjencën që pata me Duce-n të Premten e Madhe të vitit 1943, në prani të kater kolegëve të mij Shqiptarë, nder të cilët Hilmi Leka, Hysref Frashëri, Vasil Alarupi, dhe (kujtoj) edhe nji që në këte rasë nuk më kujtohet emni. Ishte pranë edhe shefi i gabinetit të Duce-s, pranë Ministrisë së P. Jashtëme, ambasadori Babuscio Rizzo. Këte takim e di në hollësi edhe Profesor Namik Ressuli, të cilit, si shok që e kishim, ia tregueme po atë ditë.

Per të fillue vumjen në veprim të planit të Mbrojtjes, u vendos n’ atë takim rekrutimi i njizetë batalioneve shetitës, si hap i parë me uniformë të gjendarmerisë Shqiptare dhe me nji shej të ri dallues që do t’ ishte distiktivi  i “Birëve të Shqipes”. Me këta batalione do të bahej spastrimi i bandave komuniste. Këta batalione do të liroheshin t’ armatosun e me divizat ushtarake, mbas gjashtë muej sherbimi, që kështu t’ ishin të gatshëm per çdo rasë nevoje.

Prap do të zevendsoheshin me njizetë batalione tjerë e kështu me rradhë, derisa të plotsohej numuri i parashikuem prej 200.000 vetësh.

N’ atë audjencë Mussolini pranoi perfundimisht edhe kerkesen e bame me kohë nga Mustafa Kruja e të tjerë (që kemi permendë) per suprimimin e P.F.SH., dhe zevendsimin e sajë me “LËVIZJA E BIRËVE TË SHQIPES”.

Këte emen të Lëvizjes së Ré thjeshtë Shqiptare e propozova unë n’ atë audjencë dhe Mussolini komentoi: “Il Movimento degli aquilloti, un nome degno per i figli del aquilla di Skanderbeg”.

 

 

FAKTORëT  E  DESHTIMIT

 

  1. Unë si Minister i Punëve të Mbrendëshme, isha i ngarkuem që t’ a vije në veprim Planin e Mbrojtjes. Nji dekret i Mëkambësit të Mbretit (gjeneral Pariani), më autorizonte me zgjedhë oficerat nga çdo armë si dhe civila, e me i gradue e emnue deri në graden e nenkolonelit.

U sabotova nga të gjitha anët, jo vetem nga t’ ashtuquejtunit kundershtarë të regjimit, po edhe nga vetë personalitetet që ishin të regjimit. Nuk di a asht e vertetë, por lexohet në procesin që u pat dënue nji grup personalitetesh, se i ndjemi Hilmi Leka kishte deklarue n’ atë proces se kryesisht ai me Ekrem Libohoven, kishin sabotue tek Mëkambësi i Mbretit planin tim, të rekrutimit të njizetë batalioneve që u sipërpermenden.

 

 

  1. Vazhdimi i bashkëpunimit të Ballit Kombëtar e i Abaz Kupit me komunistë, me aksionet e tyne, e vinin në dyshim Mëkambësin e Mbretit, se mos edhe nga ata batalione mund të dilte kush nga rradhë per të kalue në rradhët kundershtare.
  2. Arrestimi i Mussolinit me 25 korrik 1943, i pamundun të parashihej, kje shkaku kryesor i falimentimit.

Megjithata sabotime, pata arrijtë që në qershor të regjistroj dymbëdhjetmijë vetë të inkuadruem në 20 batalione nga mosha 21 – 35 vjeçare, bashkë me kuadrot e tyne, dhe pata emnue Komandant të Pergjithshem të tyne kolonel Bilal Nivicen. Pritshim armët tjera dhe të tjera paisje per thirrje, që Mëkambësi i Mbretit i sigesttionuem nga sabotuesit akoma nuk i kerkonte. Nga gjysma e korrikut, mbas nji arsyetimi që i bana Mëkambësit, e vuna para dilemës: O me kerkue armatimin dhe çka ishte e nevojshme, o me pranue dorëhjekjen time. Më premtoi se deri me 15 gusht, do të më ishte dorëzue gjithshka, dhe do të më jepej autorizimi me thirrë edhe njerzit nën armë. Si u pa, Mussolini u arrestue. Italia ndrroi fletë e me 8 Shtator 1943 kapituloi.

  1. Erdhi ushtria gjermane, komandanti i të parave reparte gjenerali Carchanico, më kerkoi bashkëfjalim me anë të të ndjemit major Lek Marashi. Më deklaroi se ushtria gjermane kishte ardhë vetem per nevojat strategjike të Luftës, per të nxanë zbraztinen që lente ushtria italiane në Adriatik, se e konsideronte Shqipninë vend mik e n’ atë kuptim, do të qendronte ushtria gjermane, se nuk do të perzihej në punët e mbrenëdshme dhe më premtoi ndihmen e Tij.

I premtova bashkëpunim per mbajtje të qetësisë me kusht që po të zbarkojnë ushtri anglo – amerikane, forcat shqiptare nuk marrin pjesë në luftim perkrah asnjenes palë, me që Shqipnia deklarohet neutrale. E pranoi edhe këte tezë, mjaft që mbajshim qetësinë mbas frontit. I tregova se per të mbajtë qetësinë pa trazime, duhen zhdukë bandat komuniste, e i tregova planin tim tue i kerkue armatimin që do të merrej nga ushtria italiane. Ma premtoi! I tregova se kjo qeveri duhet të bijnë, por unë gjithnji jam gati me dhanë të gjithë kontributin tim per çka u bisedue.

Mbas dy ditësh erdhi Ministri Neubacher bashkë me Xhafer Deven nga Beogradi.

Kundershtarët ia dolën t’ ua mbushnin mendjen Neubacher-it e Devës, që të rrëzojnë qeverinë tonë dhe ashtu ngjau. Gjeneral Carchanico kje largue menjiherë nga Komanda e Tiranës dhe vendin e Tij e zuni njitjeter gjeneral, që nuk kishte detyrim moral ndaj meje. Jo vetem kaq, po kjeshë lajmue nga njeni nga antarët e Komitetit Ekzekutiv, që u formue nen kryesi të Bedri Pejanit (tregue me besë), se Gjermanët, do të më arrestojshin dhe internojshin në Gjermani si badoljan (!). Kjo më shterngoi të lâ Tiranen menjiherë e në zbardhun të dritës së ditës 13 shtator 1943, bashkë me familje e me 25 djelmoça të vendosun me vdekë, t’ armatosun deri nder dhambë, lashë Tiranen e po atë ditë arrijta në Pukë.

Vetëm në gusht të 1944, munda të kjarohem me Komanden Gjermane. Gjenerali Fitztum dergoi tre oficera të vet n’ Iballe, të më ftonin me besë të shkoi në Tiranë. Shkova!

I bisedova gjeneralit haptas e më kuptoi se nuk ishe ashtu si më kishin paraqitë kundershtarët. I tregova Planin e Mbrojtjes (që atëherë i kishte dalë koha asisojt), e marrëveshjen që pata me gjeneralin Carchanico. U bind n’ argumentët e mija e më premtoi me më dhanë gjithshka ishte e nevojshme, por me konditë që forcat që do të mblidheshin mos të kishin karakter partinash, por vetem kombëtar – ushtarak. Kerkoi Besen nga Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni, Mit-hat Frashëri e timen, që armët tona nuk do të zbrazeshin kunder ushtrisë gjermane në asnji rasë.

***

Porsa  dola nga audjenca e gjeneralit, (kje edhe këtu prezent major Lek Marashi), shkova menjiherë tek Ministri i Arsimit shkelqesa Koço Muka dhe i kerkova të më bante nji pikpjekje me Mit-hat Frashërin. Pikpjekja u ba po atë ditë në shtëpi të Koços.

Biseduem me Mit-hat Frashërin në prani të Koço Mukës situaten kritike të vendit.

I tregova fillë per fillë bisedimin me gjenaral Fitztum-in, premtimet dhe kushtet e Tija.

I thashë se Shkodra me Malësina të Veriut, do t’ishin gati me iu pergjegjë nji thirrjes së Tij. Këte ma kishin sigurue Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni e në pergjithësi Krenët e Maleve, dhe jo ma pak se 12.000 luftarë do të dilnin vetem nga krahina e Shkodres. I pelqej puna ime e u deklarue i gatëshem me marrë atë barrë, por m’u lut t’ ia propozojshe Mehdi Beut që t’ a merrte inisjativen si Kryetar i Regjencës e se perkrah Tij do t’ ishte edhe vetë Mit-hat Frashëri. “Po kje se Mehdi Beu nuk e merr inisjativen, atëherë – tha – e marr unë!”

Të nesermen u paraqita tek Kryetari i Regjencës, që më pranoi menjiherë e me shumë njerëzi. I shpjegova gjithshkafen si Mit-hat Beut. Pranoi të ftojnë në Tiranë Krenët e Malësive, me perjashtim të Gjonit M. Gjonit e të Sylçe Beg Bushatit. Pa këta dy Burra nuk bahej gja, e kështu nuk mbetem dakord me Mehdi Beun.

Iu drejtova prap Mit-hat Beut, po nuk e gjeta në enthuzjazmin e fjalët e ditës së parë. Edhe kjo ndermarrje u ba të deshtojë nga i ndjemi Mit-hat Frashëri në Tiranë, dhe nga nji tjeter personalitet në Shkoder, që nuk ishte i Ballit Kombëtar.

Per hir të së vertetes Historike, pohoj e dishmoj se në mbledhjen e “Besëlidhjes së Shkodres” që kje në shtëpi të Hafiz Ali Krajës, kur u referova rreth bisedimeve të Tiranës siç më kishin kerkue dy perfaqësuesit e Ballit Kombëtar: Lec Kurti e Omer Ruzhdija, n’ emen të Ballit të krahinës së Shkodres, u deklaruen të gatshem me qitë kushtrimin sëbashku pa karakter partishë, ashtusi kishte vu konditë gjenerali Fitztum, edhe po t’ishte se Komiteti Qendror i Ballit, nuk do t’ epte pelqimin. Kjé njitjeter personalitet që nuk hoqi dorë nga karakteri partiak i cili, deklaroi se ana e tij kishte vendosë të dilte ilegal që atë natë, e megjithkëte, pretendonte t’ i dergojshin pjesen e armëve, ushqim etj., që do të merreshin nga Gjermanët.

Ata ilegalë të deklaruem kunder Gjermanëve, dhe me marrë armët nga Gjermanët!

 

 

 

PSE  I  QENDRUEM  LEAL  BOSHTIT ?

 

  1. Pse prej boshtit kishim premtim e siguri me pasë Shqipninë Indipendente nder Kufijtë e vertetë të sajë Etnikë. Ky premtim filloi të bahet realitet me bashkimin e Kosovës e të tjerave Krahina, që iu bashkuen Shtetit Shqiptar në vitin 1941, i forcuem edhe nga koncesionet që rradhë mbas rradhet po na i lëshonte Mussolini, në bazë të kerkesave të deklaratës së Shkodres, të datës 12 Prill 1939.
  2. Këto premtime nuk i epshin Aleatët dhe nuk mund të priteshin prej tyne, me që ishin aleatë me Jugosllavinë e Greqinë; per ma teper, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, shkelqesa Antony Eden, kishte deklarue zyrtarisht në Dhomen e Komuneve që me 1942: “Mbas kësaj Luftë me fitoren Aleate, Shqipnisë do t’ i njihet indipendenca e integriteti toksor nder kufijtë e 1913-ës, me nji rektifikim në kufijtë e Jugut.” Kjo per neve, do të thonte me ua lëshue Korçën e Gjinokastren Greqisë, pa të cilat nuk do të kishte mâ kuptim nji Shtet Shqiptar.

 

Donte të thonte që patjeter, duhej t’ i lëshonim Jugosllavisë Kosoven e të tjerat Krahina të Lirueme në Prillin e vitit 1941. Né, nuk mund të tradhëtojshim këto pjesë të shejte t’ Atdheut. Perveç kësaj, (e që vertetonte angazhimet e marruna nga Anglia në dam të Shqipnisë) ishte edhe fakti që Aleatët nuk pranonin formimin e nji Qeverije Shqiptare në mërgim nen Mbreti Zog, siç kishin veprue per të tjerat kombësi t’ okupueme nga ushtritë e Boshtit.

Me u vue në sherbim t’ agjentave Aleatë kunder Boshtit nder të tilla kondita, neve na dukej se i vejshim thiken me doren tonë NANËS !

  1. Bindja e nevojës së lealitetit ndaj Boshtit ishte forcue në mënyrë të posaçme, mbasi patëm shti në dorë planin e gjeneralit serb DRAGUTIN MIHAJLOVIÇ (Drazha), aso kohe Komandant i Pergjithshëm i Çetnikëve në Jugosllavi, e Minister i Luftës në Qeverinë e M. Tij Pjetri II, me qender në London. N’ atë plan e në urdhënat per zbatimin e tij ai i epte udhëzime komandantëve të reparteve çetnike, që në diten që do të caktohej të marrshonin mbi Kosovë e Metohi dhe Sanxhak, të shfaroseshin çka ishte Shqiptarë e muslimanë. Të marrshonin edhe mbi Shkoder dhe t’ okuponin edhe portin e Shën Gjinit e që do t’ i aneksoheshin Jugosllavisë së ré.

Që Shqiptarët e Tokave të robnueme nuk u shfarosën, kjé fati që nuk fitoi Mihajloviçi!

 

 

DREJTë  ALEATëVE

 

Na nuk bame akte anmiqësie veprimit kunder Aleatëve. Nuk i ndoqem me i kapë as vra misionet e tyne ushtarake që u zbritën në Shqipni per të ba turbullime në dobi të kauzes Aleate. Këte mund t’ a vertetojë majori i atëherëshem i RAF-it NEELL, që e shpetova pa ra në dorë të Gjermanëve në Truen të Pukës e që dy herë e pata mysafir per bisedime (kerkue nga Ai), por që perfunduen pa marrëveshtje bashkëpunimi, me që unë refuzova ofertat per perfitime personale, tue i kerkue kondita kombëtare që nuk kjé në gjendje të m’i apin.

Sot rrethanat historike kanë ndryshue, e me që politika nuk asht demagogji, po realitet, me ato fuqi Aleate t’ atëherëshme, na do t’ ishim leal e besnikë siç ishim me Boshtin, mbasi edhe ata si na Shqiptarët janë antikomunistë, po kjé se na sigurohen të Drejtat që i perkasin KOMBIT SHQIPTAR !

***

Ju z. Abaz Ermeni, per ma shumë se njizetë vjet, jeni krenue me fjalë dhe shtyp se keni vra ushtarë italianë e gjermanë, tue i dhjetëfishue numurat. Harroni se ata ushtarë nuk mund të konsideroheshin fashista e nazista, po Bijtë e dy popujve per miqësinë e të cilëve, Shqipnia ka pasë perherë nevojë e ka per të pasë, e se ju me ata kapadailleqe, i fyeni ata popuj.

Turkia na pat okupue e na mbajti në robni e errësinë per gati pesë shekuj, prandej e kishim anmike, por mbas vjetit 1912, kanë ndryshue rrethanat historike edhe me Turki. Sot Turkia e Ré e perkrahë Pavarsinë e Shqipnisë, prandej asht n’ interesin kombëtar të perpiqemi t’ a kemi mike e jo t’ a fyejmë vazhdimisht siç bani ju.

***

Kemi ba na e ju çka na ka marrë mendja se ishte e dobishme per çeshtjen kombëtare. Mirë o keq, dishka koha e ka tregue e Historia ka me dhanë verdiktin perfundimtar. Por mos harroni se dishka e randë ka ngja! Shqipnia u rrenue! Kush e ka fajin? Pergjegjen ka me e dhanë vetem ndergjegja e Shqiptarëve dhe Historia! Nji gja do t’ a kishit per detyrë: Nobare mos u perpiqni me i ba gjithkendin anmik të Shqipnisë!

Pa më thoni: Mbasi Lufta mbaroi si mbaroi me rrjedhimet e sajë fatzeza  per vendin tonë,  çfarë dobije i del Shqipnisë  per t’ ardhmen  me  u  tregue anmiqë kunder Italisë e Gjermanisë, me vazhdue tue perbuzë e denigrue Turkinë? E që këta janë sot të vetmit popuj që bajnë pjesë në aleancë me Ameriken në Paktin e Atlantikut! A e dini se në Paktin e Atlantikut asht edhe dikush anmik i Shqipnisë, e se Shqipnia zyrtare (jo Populli) asht anmike e kolegëve të atij Pakti; prandej, sot kemi nevojë per miqë mbrenda Paktit!

Mos harroni se sot Italia asht Shteti ma i interesuem per ruejtjen e Pavarsisë e integritetit të Shqipnisë! Ju kujtoj deklaraten e de Gasperit! Ju njoftoj se kur kishin në rrezik Triesten me ia dorëzue Aleatët Jugosllavisë, dhe Shqipnia me u perpi si republikë autonome nga Jugosllavia, Shtatmadhoria Italiane i pat thanë Qeverisë së vet: “Po të jetë se Italia nuk mundet sot të mbrojë njiherit Triesten e Shqipninë, lè të lëshojnë Triesten, po n’ asnji mënyrë me lanë të zhduket Pavarësia e Shqipnisë.

Edhe Gjermanët kanë interesë të jetë shteti Shqiptar i pavarun në Ballkan, per të balancue influencën serbe. Perveç kësaj, ata kanë tregue perherë simpathi të posaçme per Popullin Shqiptar, sa që shkecëtarë albanologë na kanë quejtë “Herrenvolk” (Popull zotnishë), jo per pasuni e qytetnim modern po per karakter e traditë Fisnike, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ ishte mâ SHQIPTAR !

 

Unë shtoj, e Besoj, se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqijsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na perkasin, Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.

 

New–York, Qreshor, 1967.                                  Kolë Mirakaj

 

 

 

Shenim: Ky material nuk ka asnjë ndryshim nga origjinali.

Mbrenda kllapave janë shenimet e Autorit.

U kopjue besnikisht nga Fritz Radovani.

Melbourne, Shtator, 2012.

 

Studimi i këtij materiali historik duhet të vlejë per njohjen e së vertetes!

       Botimi nuk duhet të ketë asnjë ndryshim prej origjinalit.

       Me respekt, Fritz Radovani.

       Melbourne, Shkurt 2013.

Please follow and like us: