Serbia e ‘Ballkanit të hapur” po luan me zjarr përsëri
Grindjet me Kosovën, afërsia me Moskën dhe fërkimet me Brukselin janë kursi normal i Beogradit.
Nga Amanda Coakley, korrespondente ndërkombëtare me seli në Vienë
Të dielën, kur u rritën tensionet ndërmjet shteteve ballkanike, Kosovës e Serbisë, Kosovës dhe Serbisë, frika nga ndonjë dhunë serioze nxiti një reagim të fortë të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
“Misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR) po e monitoron nga afër situatën dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, thuhej në një deklaratë të lëshuar me nxitim. Shkas për tensione ishin mosmarrëveshjet mes dy vendeve për masat e reciprocitetit të vendosura nga Kosova për targat e automjeteve dhe kartat e identitetit, lëvizje këto që Serbia dhe serbët etnikë që jetojnë në Kosovë i konsiderojnë si provokim, sepse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pa kaluar shumë kohë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me retorikën e tij standard, shënjestroi liderët e Kosovës. “Ne po lutemi për paqe dhe do të kërkojmë paqe, por nuk do të ketë dorëzim. Serbia do të fitojë”, tha ai, në një konferencë shtypi.
Situata u qetësua në fillim të javës, pas ndërhyrjes së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili arriti ta bindë Prishtinën të shtynte për 30 ditë zbatimin e masave, me qëllim që të shmangen keqkuptimet. Por, incidenti e ndezi alarmin në kryeqytetet perëndimore, të cilat janë të ndjeshme ndaj kërcënimeve me dhunë rajonale pas invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës fqinje, në fund të muajit shkurt. (Në vitin 1998 Serbia e nisi luftën me separatistët kosovarë, e cila e nxiti ndërhyrjen e NATO-s dhe krijimin e shtetit të ri të Kosovës).
Gjuha e ashpër e Vuçiqit tërhoqi vëmendjen edhe për qëndrimin kurioz të Serbisë ndaj luftës së Rusisë. Të dielën, në fjalimin e tij, lideri serb e akuzoi Kosovën se po e përdor situatën e vështirë në Ukrainë për të realizuar interesat e veta, duke e krahasuar veten e tij me një version të vogël të presidentit rus Vladimir Putin, kurse liderin e Kosovës me një version të vogël të ukrainasit Volodymyr Zelensky.
“Putini i madh e urdhëroi Putinin e vogël, kështu që Zelensky i ri në formën e Albin Kurtit (kryeministri i Kosovës) do ta shpëtojë dikë dhe do të luftojë kundër hegjemonisë së madhe serbe”, tha Vuçiq.
Që nga fillimi i invazionit të Putinit, Vuçiqi ka ecur nëpër një vijë të hollë të ndarjes midis mbështetjes së dënimit perëndimor të agresionit ushtarak të Moskës në Ukrainë dhe kujdesit që marrëdhëniet e Serbisë me Kremlinin të mos marrin një goditje të pakthyeshme. Serbia dhe Bjellorusia janë dy vendet e vetme evropiane që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë (ndonëse Hungaria ka bërë çmos që të pengojë çdo reagim të Bashkimit Evropian ndaj konfliktit). Për më tepër, Beogradi e ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte për në Rusi, pavarësisht ndalesës së BE-së për avionët rusë. Për zemërimin e liderëve perëndimorë, në muajin maj, Vuçiqi nënshkroi një marrëveshje tre-vjeçare për furnizim me gaz rus, marrëveshje kjo që u bë direkt me Putinin përmes telefonit. Nga ana tjetër, Beogradi ka theksuar se Serbia e mbështet sovranitetin e Ukrainës.
Vuçiq, ashtu sikurse Viktor Orban i Hungarisë, thotë se ai është udhëheqës i një vendi të vogël dhe duhet t’i plotësojë nevojat e popullit serb, duke përfshirë vazhdimin e mbështetjes te Rusia për furnizimet me energjinë e nevojshme.
“Ne duhet të mbijetojmë dhe duhet të veprojmë në mënyrë racionale”, ka thënë ai.
Por një pjesë e përgjigjes së Serbisë i ka rrënjët edhe në histori. Para Luftës së Parë Botërore, Serbia ishte aq shumë në orbitën e Moskës sa u bë shkak i drejtpërdrejtë i luftës midis perandorive ruse, austro-hungareze dhe gjermane. Gjatë Luftës së Ftohtë, Jugosllavia e dominuar nga Serbia luajti një rol të madh gjeopolitik – një rol që u shua së bashku me Jugosllavinë, në fillim të viteve 1990. Por, kujtimet nuk u zhdukën.
“Jugosllavia, pjesa më e madhe e së cilës ishte Serbia, kishte rol më të madh se sa kishte peshë gjatë Luftës së Ftohtë”, tha Ivan Vejvoda nga IWM, një institut për studime të avancuara me qendër në Vjenë. “Në fund të viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960, qeveria jugosllave e bashkëthemeloi Lëvizjen e të Painkuadruarve, zërin e tretë midis Perëndimit dhe Lindjes. Më pas, shkoi shpejt drejt shpërbërjes së Jugosllavisë – disa vende ende mendonin se ishin disi të fuqishme,” shtoi ai. “Në njëfarë kuptimi, Serbia e ka sindromën e mungesës së gjymtyrëve kur bëhet fjalë për aftësinë e balansimit të Lindjes dhe Perëndimit”.
Serbia thotë se ende është në kërkim të anëtarësimit në BE, ku e ka statusin e vendit kandidat që nga viti 2009. Por, Beogradi sheh gracka kudo, në Perëndim, në Jug dhe në Lindje. BE-ja dëshiron që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës, gjë që Beogradi e refuzon. Në muajin qershor, kur kancelari gjerman Olaf Scholz e vizitoi Serbinë, Vuçiqi e talli për komentet e tij mbi njohjen e Kosovës nga Serbia. “Ne nuk reagojmë ndaj presioneve”, tha presidenti serb në një reagim të menjëhershëm.
Rusia duhet të ishte garantuesja e tij, por Beogradi gjen arsye për shqetësim edhe atje, sidomos për shkak të vetos së Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Çështja e Kosovës i ka vënë serbët në vorbull që kur bomba e parë ruse e goditi tokën ukrainase, këtë pranverë. Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në muajin prill, Putin e krahasoi pretendimin e Rusisë ndaj Gadishullit të Krimesë të Ukrainës (të cilin e aneksoi ilegalisht më 2014) me lëvizjet e kosovarëve për pavarësi. “I vetmi ndryshim midis dy rasteve është se në Kosovë vendimi për shpalljen e pavarësisë u mor nga parlamenti, ndërsa Krimeja dhe Sevastopoli e bënë këtë me një referendum [rajonal]”, tha Putin. Ndonëse ambasadori rus në Serbi e tërhoqi më vonë këtë deklaratë, duke thënë se qëndrimi i Moskës për Kosovën nuk kishte ndryshuar, incidenti i tronditi mediat e kontrolluara nga shteti serb, të cilat i quajtën komentet e Putinit si thikë pas shpine.
Tani, Rusia duket se është kthyer përsëri në bordin e anijes. Të dielën, Moska mbajti qëndrim të ashpër ndaj tensioneve rajonale dhe Prishtinës i bëri thirrje “të ndalojë provokimin dhe të respektojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.
Udhëheqësit aktualë të Rusisë dhe Serbisë e ndajnë jo vetëm afinitetin historik, por edhe vizionin e shtetësisë që promovon tendenca të forta nacionaliste, tha Aleksandra Tomaniq, drejtoreshë ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin.
“Kjo është shumë më shumë se Serbia është dorë e zgjatur e Rusisë. Në fakt, ajo që ne kemi këtu është se Serbia dhe Rusia e kanë të njëjtin botëkuptim,” tha ajo. “Për qeverinë aktuale, anëtarësimi i Serbisë në BE është diçka si një martesë e detyrueshme, kurse thirrjet për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për njohje reciproke me Kosovën nuk priten mirë”.
Kina vështron gjatë gjithë kohës nga prapavija. Serbia ka qenë përfituesi më i madh i investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor, me rreth 61 projekte aktive në vend. “Miqësia e çelikut” mes dy vendeve pritet të sjellë një marrëveshje të tregtisë së lirë para fundit të këtij viti, një lëvizje që do ta bënte Serbinë vendin e tretë evropian që e siguron një marrëveshje të tillë me Kinën, pas Zvicrës dhe Islandës.
Meqenëse Beogradi gjendet nën presionin e BE-së që të vendosë sanksione, kurse Rusia që të mbajë dyert hapur, Pekini po bëhet edhe më i rëndësishëm. “Vitet e fundit, Kina është bërë për Serbinë partner dominues jashtë botës perëndimore. Ajo me të vërtetë e ka zëvendësuar Rusinë si partner numër një në lindje”, tha Vuk Vuksanoviq nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë. “Serbia nuk dëshiron t’i vendosë vezët në një shportë të vetme, kështu që e gjithë kjo është një manovër taktike, ndërsa Kina ka qenë pjesë e këtij ekuacioni, sidomos sepse nuk e njeh Kosovën”.
Alarmi i së dielës ishte një tregues për Brukselin se njohja e Kosovës nga Serbia mbetet një perspektivë e largët dhe se dora e zezë e Rusisë në rajon nuk është zhdukur. Ai nxjerr në pah edhe efektet e valëzuara të agresionit të Rusisë derisa i ndan shtetet rebele të BE-së dhe ato që do t’u bashkoheshin radhëve të tyre me konsensusin e Brukselit.
Por, derisa Vuçiqi përpiqet të ecë nëpër litarin e hollë diplomatik, kjo shërben edhe si paralajmërim se ndonjëherë ndodhin rënie, sado e madhe të jetë forca balancuese.