Sadik Bejko: NGJALLJA E DOSJES SË VDEKUR
Nga fletoreja “Shënimet…”
NGJALLJA E DOSJES SË VDEKUR
Në kohën e komunizmit…
Në kohën e komunizmit pranë çdo ndërmarrjeje ishte zyra e kuadrit. Mbyllur shpesh me ca zgara hekuri. Me brava të ndryshkura që kërcisnim.
Pas tyre… dera. Më tej ishin raftet… dosjet. Me kartona kafe… tutkall… spango… me sekrete.
Çdo punonjës ndërmarrjeje, veç librezës së punës kishte aty “karakteristikën”. Kjo më shumë ishte politike sesa profesionale. Dikush e kishte të shkruar që në kapak: armik, kulak, i dyshimtë, burgaxhi…
Dhe vetë zyrtarët pas këtyre dyerve të ndryshkura vinin si të muzgur, të mykur.
Kur më çuan ushtar në brigadë pune, në Kongrazhd, Burrel, më del para një ushtar me sy të butë vajze.
Mësues… më thotë, ju këtu? Kaq u desh… gjithë ushtarët e repartit më thirrën mësues. Isha pesë vjeç më i madh se secili syresh. Ushtar i vonuar.
Mësues… më drejtohet, ish nxënësi. Ky është repart për të dënuarit, për ata si unë me “biografi”. Ti je me shkollë, shkruan në gazeta. Nuk është vend për ty. Ai atje është filiz nga gjaku i Mustafa Krujës. Ai simpatiku është djali i të pushkatuarit Teme Sejko, tjetri, i armikut Bedri Spahiu.
Ne i biemë kazmës… nuk bëhet ushtri këtu.
Në mbrëmje, në natë… një nga ata djemtë e armiqve më çoi pranë një zjarri. Mori bishtin e lopatës e futi në flakë.
Profesor… mirëse erdhe midis nesh.
Nesër do t’i biesh kazmës. Këto duar kalemi duhet të argasen.
E fuste bishtin e lopatës në flakë, unë e prekja e shtrëngoja fort sa më digjte. Pëllëmbët e mia u trashën, lëkura u bë si guall breshke i fortë.
Nesër, kur të marrësh kazmën, nuk do të plasë gjaku nga këto duar, më tha “armiku”.
Shkova në zyrën e kuadrit në Korpusin e Burrelit dhe “kërkova llogari”: pse jam ushtar në Brigadën e Punës? Ju e dini që kam arsim të lartë… pas Institutit të Lartë Dyvjeçar kam dhënë provime… sa gati po e marr diplomën e Universitetit të Tiranës. Kam qenë drejtor shkolle. Shkruaj në gazeta. Çfarë kam bërë që jam këtu?
Ai u tregua i duruar. Unë ushtar, ai oficer… nuk e kishte për detyrë të më përgjigjej. Por… kisha gjithë atë arsim, mbase më shumë sesa ai. Dhe përtej asaj kamares me zgara hekuri u hap një sirtar.
Syzat atij iu ngatërruan në duar. Shfletoi letrat. Më tha: nuk ke gjë nga familja jote… e ke nga rrethi yt miqësor.
Kam studiuar me bursë shteti.
Nuk më ka penguar rrethi miqësor. Deri tani. Tani këtu në krah kam ushtarë që ç’të them… njerëz që thirren armiq me…
Ti, bëj detyrën. Nuk ke gjë me ata.
Detyrën nuk e bëj veç.
Ha në një mencë, fle në një kapanon; kazmë unë, kazmë ata…
Ty të di partia cili je dhe ata i di partia. Bëj detyrën.
Ama llafe, ama përgjigje…
Ai e mbylli kamaren prej hekuri. Ishte veç një nëpunës kuadri, rojtar i kopesë së dosjeve.
1967 në Burrel e fillova me kazmë, si punëtor në bujqësi dhe… erdhi vjeshta e vitit 1968. Dalja nga Traktati i Varshavës. Alarm shtetëror. Tirana në Sauk nxori nga dheu ca shtrate… që thuhej se janë raketa gati për shkrepje. Gatishmëri nr. 1.
Nga Fushë-Studeni i Librazhdit, nga mbjellës e shkulës patatesh (patatja, sipas parrullave në ato vite ishte “dhe bukë dhe gjellë) më transferojnë në Porto Romano, në Durrës. Aty një top fushor duhet të mbronte nga armiku hapësirën detare para tij.
Si më i shkolluari më bënë topllogaritës…
Çdo mëngjes e nxirrnim topin në bregun e detit. Bënim gjysëm ore stërvitjen sesi do të qëllonim armikun (që nuk erdhi) dhe e fusnim topin në një bunker aty pranë. Pastaj… barsaleta… ndeshje duarsh… vra kohën si të mundesh. Vulgaritete… ushtarë.
Në librezën ushtarake u shkrua: artilier, numëror topi. Pra u gradova. Mbaja karabinë. Jo kazmë. Në stërvitjet e qitjes me armë dilja snaiper. Merrja dy… dhe tre tabela… Rroftë dalja nga Traktati i Varshavës. Rroooftë!
U ktheva prapë arsimtar. Si qysh… nuk e di seç dreq shkarravitej në atë dosjen time.
Po vallë ishin një apo dhe më shumë dosje?
Kur as ai shefi i madh i kuadrit të Korpusit të madh ushtarak të Burrelit nuk dinte të më japë përgjigje dhe se ai i fshiu e i stërfshiu për të tretën herë syzet e tij me skelet të zi, ç’mund të them unë?
E kisha harruar “punën” e dosjes. Edhe atë që kisha qënë ushtar… rob pune.
Më thërresin në zyrën e kuadrit të rrethit Berat. Ky burri i kuadrit ishte i gjatë dhe i kujdesshëm sikur kish lindur të mbartte e të sillte vezë. Sy të butë, por të vëmendshëm prej avokati që e di ku merr fund fjalia e ku duhet vënë pika. Zyra ishte po aq e zymtë, me ndryshk si në Korpusin e Burrelit.
Nëpunësi ishte profesionist i hollë dhe, në këtë rast, i prirur për mirë.
Më thotë se duhet të bësh disa plotësime në dosjen tënde të Kuadrit.
Pse?
Për ty ka lajme se mund të marrësh një punë më të mirë. Një transferim…
Isha mësues në një shkollë të mesme në qytetin Berat. Diçka dija për këtë… lart… Po? Ç’më duhej më shumë?
Fillova që të mendoj të këqijat në biografi… (hija… e atij oficerit të Burrelit). Duhet t’i shkruash me shkrimin tënd. Një letër, i thashë… Dhe atyre “rrethit miqësor”, atyre jashtë shtëpisë, ua nxiva, ua ntrasha ngjyrat për keq. Sikur ta parandjeja. “Hipja” për në të përpjetë… mund të mos dilte për mirë. (…fantazma e pafajme, sikur të më kërkonte ndjesë, e atij oficerit të kuadrit në Korpusin ushtarak të Burrelit).
Ndërkohë, ky burri me pamje avokati i Beratit, më tha… mos, më urtë… mos e ntrash të keqen. Aq sa e ke. Tani më thuaj, me shkrim, të mirat për familjen… dhe a ke komunistë në rrethin miqësor… sado larg… shkruaji të gjitha.
Ishte vërtet një shef kuadri flori. Nuk pashë më të tillë.
Historia me dosje vazhdon.
- Jam te dera e Zyrës së Kuadrit të Rrethit Tepelenë.
E pyes: Ku është dosja ime?
Ti nuk je kuadro. Nuk ke dosje.
Në librezë e kam të shkruar “Transferohesh në Tepelenë”. Ti nga Radio Tirana nuk mund të transferohesh punëtor nëntoke në Tepelenë. Nga Radioja qendër mund të transferohesh në Radio lokale si te Gjirokastra a në çdo radio tjetër. Nuk ka asnjë shkresë përcjellëse për dosjen tënde këtu. Edhe nëse është tek ne, si e bllokuar, ajo nuk ekziston.
Të lutem, pse kështu?
…se ti nuk ka ndëshkim as ligjor, as administriv, vendim mbi të cilin lëvizin shkresat…
Ku të kërkoj shpjegim. Ngriti supet. Por kur më ktheu shpatullat, më bëri shenjë me dorë nga Komiteti i Partisë. Komiteti i Partisë?
Ndëshkimi im ishte jo ligjor, as administrativ… por… i verbër… politik.
Kur në Berat më thanë do shkosh ushtar, pa më thënë se ku shkoja, ma kishin futur. Nuk shkova ushtar, po punëtor krahu në bujqësi
Dhe tani më transferojnë… në fund të dheut. Dhe psenë nuk ma thonë. Por… Në çdo rast fajin e kisha unë mbi supe.
Gusht 1979.
Te dera e Kuadrit Tepelenë. Erdhe për dosjen? Dosja jote është e vdekur. Edhe mund ta bëjmë hi.
I tregova librezën… ika nga miniera. Të uroj, më tha. Po sa mund të ngjallet i vdekuri nga varri, aq mund të ngjallet një dosje e vdekur.
Ngjallja e Dosjes.
Miqtë e mi të mëdhenj që më nxorën nga nëntoka u kujdesën të më emërojnë në arsim.
Ishte vullneti i mirë dhe i ca njerëzve në krye të institucioneve në Gjirokastër që në një mënyrë alla shqiptarçe më emëruan në punë. Këtu hyri në funksionim fjala e dhënë. Këta të Gjirokastrës u dhanë fjalën miqve të mi në Tiranë dhe me kokën e tyre më futën në punë si arsimtar, si kuadër pa dosje.
Dosjen e kishte marrë peng Tepelena dhe nuk e lëshonte. Se ajo dosje ishte hedhur në hon, si një gur në pus… dhe kur i marri hedh gurin në pus, 40 të mençur nuk e nxjerrin dot.
Sekretari i parë i Tepelenës nuk e lëshonte dosjen pa vendim, pa shkresë.
Unë nuk e dija seç luhej pas meje. Që jam në punë si fantazmë… jo i emëruar zyrtarisht. Kufomë e gjallë, do të thoshte Tolstoi.
Mbasi u shporr nga Sekretar i Parë i Tepelenës, shoku A. P., u hap rruga e ngjalljes së dosjes. Sipas kodit të fjalës së dhënë. Me që me shkresa dosja e vdekur nuk lëvizte, atë dikush një i gjallë, mund ta fuste nën sqetull dhe nga një zyrë kuadri në Tepelenë ku kishte fjetur, të zgjohej e të merrte frymë në zyrën e Kuadrit në Gjirokastër. Dhe kështu u bë. Më 1980 një nëpunës gjirokastrit e mori tinëz nga Tepelena e solli në Gjirokastër. ATËHERË u regjistrova zyrtarisht si kuadër.
Deri atëherë kisha qenë si në atë baladën:
shkon një i vdekur mbi kalë… kush është i vdekur e kush i gjallë.
Pa atë dosje zyrtarisht nuk mund të isha gjallë.
Këtë ngjallje-ringjallje ma thanë mbas viteve 1990.
Po vallë kisha vetëm atë dosje?