Fritz Radovani: Gjakosja e Zallit t’Kirit
15 GUSHT 1945, ORA 5.
ZALLI I KIRIT I ZI SI FUTA
AH I ZI GUSHT SI FUTA E MALIT…
ME KERKUE LOT ME KAMBË T’ KALIT
NJI PIKË S’ QET NANA E NDUE PALIT!
DOSJA 1108: NDUE MIRASH PALI, vjeç 23, nga Shkodra, ishte i biri i Mirashit dhe i Mrikës Gjelosh Vatës.
Me datën 15 gusht, aty nga ora 3.30 e mëngjezit, kur rojet e burgut të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët me marrë të dënuemit me vdekje për me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të papritune që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët gjetën aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare. Heroizmi i dy djelmëve Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e Popullit të Shkodrës! Akti heroik i vdekjës së Tyne u kthye në një legjendë të perjetëshme.
Ata trandën hekrat dhe murët e burgjeve komuniste në gjithë Shqipninë.
***
“V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje: Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para dreke, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
“Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
NDUE PALI, (1922 – 1945)
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike! Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarëve!
Të fala familjes.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
Me 2 Nandor 1945, Diten e të Shuemve, familjarët e gjashtë të vramve, u kishin ndertue vorret me gurë të bardhë, rrethue në cigare dhe foto. Tek kokat e vorrave qendronin Nanat e Tyne dhe t’ aferm. Kur po i shikonim ata vorre nga ora 16 mbasdreke, filluene krizma armësh. Zbriten nga një kamjon xhullijt e Sigurimit per me i shkatrrue vorrezat. Nanat merthyen per gjokset e veta fotot, të cilat u thyen nga shtjelmat e vrastarve që kanë vetem knaqësin e dhunimit dhe të shkatrrimit të Atyne vendeve të Shejta.
Ne fëmijtë ikem me vrap, tue ruejt në kujtesë barbarizmin komunist.
Po sot, si asht ai vend ku kalben vetem të pushkatuem me aprovimin e kriminelave Ever Hoxha e Ramiz Alia, po edhe të dënuem nga terroristi Aranit Çela, mbi 2000 vetë, per të cilët, vazhdon me u shperblye nga organet kriminale të “Republikës së rilindur” neokomuniste e, jo vetem pasuesit e tij po një tubë tradhëtarësh e vrastarësh drogaxhijë, që thonë me paturpësi se i ka grumbullue “Ballkani i hapur” katerkapakësh në një gropë të zezë gjakbasish. E fatkeqsisht, pa asnjë shpresë shpetimi!
Thonë se: “Historia edhe persëritet”! Nuk asht me u çuditë per shka po shohim e po ndigjojmë perditë e pernatë nga kryexhelati i atij vend.
Këte e vertetojnë Zallishtat e lumejve t’ Gjakut rreth e perqark Shkodres!
Po, mos harroni se, as Herojt në Shkoder nuk marohen kurr!
Melbourne, 10 Gusht 2022.