Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: PAS PROMOVIMIT 33!

Dikush tha se, pas kësaj shifre, është e vështirë të kesh numëra të tjerë! Sidomos libra… Kur kohët vështirësohen me tërmete, kolerë e zjarre të shumta dhe njerëzia nuk e kanë atë “oreks” e nge që të lexojnë libra, largë qoftë-edhe t’i blejnë ato! Po, një i marrosur si unë, edhe pse në një moshë të pestë a të gjashtë, vazhdon akomaa të merret me to, bile edhe t’i promovojë, si këtë herë, në Mesopotam të Sarandës, buzë lumit të Bistricës, që rrjedh i furishëm e brisk i ftohtë, i cili buron më përtej akoma, tek “Syri i kaltër” e derdhet në det, ndërkohë që qyteti im “digjet për ujë”!
Pasi të pranishmit folën me shumë dashuri për këto libra, sidomos për “10+1, portrete artistësh”, kushtuar 10 studentëve të mi të aktrimit, sot personalitete të skenës e të ekranit tonë, dhe koleges së nderuar, Drita Agolli, regjisores së parë profesioniste në Shqipëri, si edhe për librin me tregime të zgjedhura “Një natë e ndyrë”, një metaforë për ndarjen nga diktatura më e egër që ka parë bota, më duhej të thoshja edhe disa fjalë falenderuese: Për të gjithë sa u munduan e erdhën në këtë anëlumi të Mesopotamit, nga Klubi “Jonian” i Sarandës, nga Gjirokastra,-ku e nisa jetën time si amator teatri, si edhe nga bregdeti, nga ku u linda e erdha në këtë jetë. Po ata që folën aq bukur e të përkushtuar, si prof. dr. Josif Papagjoni, kritik arti, shkrimtarët Thanas Dino, Pajtim Çaushi, Vasil Gjivogli, Petraq Pali (shqiptaro-amerikani nga Qeparoi), Kostandin Vogli, poetët Stefan Martiko e Vasil Çukllas, të cilët sikur ma shtuan jetën me fjalët e tyre mikluese, që aktor-regjisori nga Gjirokastra Ilir Lluri, u mundua t’i regjistrojë e, me shpresë te Zoti, mundet edhe të na i dërgojë që t’i publikojmë edhe për lexuesit e dashamirësit e mi që nuk vinin dot gjer këtu…
Midis fjalëve të mia falenderuese, thashë se kjo nevojë shpirtërore për të promovuar librat e shkruara me mundim, nuk është kursesi një krekosje, po një “matje pulsi”, njëlloj “ndarje kënaqësie krijimi” me miqtë e lexuesit, për t’i dëgjuar ata e për të ecur më tej, nëse do të mundemi akoma, pas numrave dantesk 33!… Kjo ishte edhe dëshira që më nxiti të mbushë dy valixhe me libra, kur më ftoi miku im PJP, të vete në Amerikë e t’i promovonim ato, tetë vite më parë, në Filadelfia (SHBA) ,në “Shtëpinë e Shqipes”, edhe pse “Arëza”, bashkëshortja ime, më quajti “teje të marrosur”!
Menaxhuesi artistik i këtij promovimi, aktor-regjisori Karafil Shena, i cili, në moshën16-vjeçare, ishte nxënësi im në Shkollën e Mesme të Kulturës,- ballafaqoi 50 shkrimtarët, artistët, lexuesit e kureshtarët e ndodhur të lokalit të Bistricës, fshehur në gjelbërimin e përjetshën, me një spektakël të vërtetë, ku nuk mungoi komunikimi i tij i drejtpërdrejtë e spontan, po edhe interpretoi përball nesh krijimin poetik të poetit Vasil Çuklla “Në vend të shiut më hodhe gur!”, plot pathos. Gjithashtu, befasoi me inskenimin mjeshtëror, me nxënëset e gjimnazit “Hoxha Tasim” të Sarandës, me vlera të larta shqiptimi e interpretimi të fjalës shqipe. Duke dalur kështu, jashtë trajtave standarde të promovimeve të rëndomta e formale…
Takimin letrar e përshëndeti personalisht sponsori, Durim Bajo, e nderoi shkencëtari i bletëve e shkrimtari Agim Nelaj (Mjeshtër i Madh), së toku me mikun e tij Bashkim Ahmeti, një nga lexuesit e rrallë të Sarandës, Kulturologu Stefan Arseni, biznesmeni i pllakave majolike e i materialeve të ndërtimit (ish nxënësi im Thanas Ilia), artisja e arteve të aplikuara në ar e argjend, shqiptaro-amerikania Jolanda Qesari, gazetari Sofo Mekshi, si edhe zonja Eleni Gjini, bashkëshortia ime, e mbiquajtur ” Arëza”, tashmë edhe si personazh i tregimeve të mia, që këtë herë u shpreh pozitivisht për krijimtarine time letrare e artistike! Dhe shumë të tjerë..
Një falenderim i takon bashkisë së qytetit që vuri në dispozicion furgonin për vajtje-ardhjen e antarëve të Klubit “Jonian”, po ama, pa dërguar aty asnjë përfaqësues të vetin! Po, një promovim i gjerë si ky, pavarësisht indiferentizmit të zyrtarëve, do të mbyllej si një FESTË E VËRTETË LIBRI, bile me verë, raki e birra, kur mbrëmja ra e qetë e ndjehej vetëm vërshëllima e lehtë e erërave të fushës, po edhe shihej refleksioni i dritave, në ujrat e qeta të lumit, fal fisnikërisë e zemërgjërësisë së të vetmit sponsor, inxhinier Durim Bajos, njëherësh edhe miku ynë i vyer, që nuk u kursye asnjëherë për të bukurën e vlerën e eventeve të tilla, po edhe si ndërtues,-midis të cilëve, edhe për Miho Gjinin, që të kishte një shtëpi në Piqeras. Për të patur mundësi që të jetonte ca më shumë e të shkruaj libra, më përtej numrit 33. Mirënjohje të gjithëve! Rrofshi, o Karafil, Pajtim, Josif e Durim, që na mblodhët!
Mesopotam-Piqeras, më 9 të gushtit, 2021.
Please follow and like us: