Albspirit

Media/News/Publishing

Një dhëmb i sëmurë në nofullën e NATO-s, çfarë do të thotë ndërtimi i një baze ushtarake ruse në Serbi?

Nga Shaban Murati

 

 

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan- Harçenko, dha në 8 gusht njoftimin bombë se Rusia do të ndërtojë një bazë të re ushtarake në Serbi. E shpërndanë menjëherë njoftimin anekënd Rusisë, Europës dhe botës agjencitë kryesore informative ruse, sepse autoriteti që e dha ishte ambasadori në Beograd, që përfaqëson qeverinë, presidentin dhe shtetin rus. “Rusia do të ndërtojë bazën e saj ushtarake në Serbi. Baza është çeshtje e vetë interesave të Rusisë”, shkruante agjencia informative proqeveritare ruse “ura.ru” në 8 gusht.

Në të njejtën ditë agjencia tjetër informative pro qeveritare “news.ru” shkruante që në titull me entusiazëm: “Vendosja e bazës ushtarake ruse në Serbi-një dhëmb i sëmurë në nofullën e NATO-s”. Agjencia tjetër ruse “nsn.ru” shkruante : “Një bazë ushtarake ruse në Serbi do të forconte statusin e saj si aleate e Rusisë”. Portali “glas.ru” trum betonte: ”Rusia prish planet e forcave të armatosura të NATO-s me ndihmën e Serbisë”. Portali “Vologda-poisk.ru” theksonte: “Një bazë e tillë është e favorshme për të dy vendet”. Portali “tsargrad.ru”: “Rusia ngrihet në mbrojtje të vëllezërve serbë. Ne duhet të bëjmë të pamundurën që regjimi i Vuçiçit të mbetet në pushtet”. Portali tjetër rus “eadaily.ru”: “Baza ushtarake ruse në Serbi do të kryejë detyra zbuluese”. Portali “nsk.tsargrad.ru”: “Baza ushtarake ruse në Serbi është vetëm hapi i parë. Loja filloi”. Dhe kështu mund të sillnim pafund emrat dhe linket e agjencive dhe mediave proqeveritare ruse, që në datën 8 gusht shpërdanë njoftimin e ambasadorit rus në Beograd se Rusia do të ndërtojë një bazë të re ushtarake në Serbi.

Është një zhvillim i pazakontë ne rajon, i cili duhet marrë shumë seriozisht, si për përmbajtjen dhe pasojat, ashtu dhe për përfaqësimin diplomatik me të cilin u shpall. Ndërtimi i një baze të re ushtarake të Rusisë në Serbi përbën një hap dhe akt të rëndë kërcënimi dhe rreziku ushtarak kundër shteteve dhe popujve të Ballkanit. Është një provokacioni i rëndë, që duhet të shungullojë kambanat në gjithë kryeqytetet e rajonit dhe në gjithë kryeqytetet e BE dhe të NATO-s. Ambasadori rus nuk e shpjegoi se si është arritur deri te marrëveshja për të ndërtuar bazën ushtarake ruse në Serbi. A është kjo rezultat i kërkesës së Rusisë apo rezultat i kërkesës së Serbisë dhe i presidentit të saj Vuçiç drejtuar Moskës dhe presidentit Putin për ndihmë ushtarake ndaj Serbisë. Ambasadori rus, siç njoftonte në 2 gusht agjencia ruse e lajmeve “rosbalt. ru”, kishte bërë të ditur se Serbia mund t’i drejtohet për ndihmë ushtarake Moskës në kuadrin e ashpërsimit të krizës me Kosovën. Shpallja tani e ndërtimit të një baze ushtarake ruse në Serbi lidhet me interesat e Rusisë në koniukturën e komplikuar aktuale ndërkombëtare të agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Rusia planifikon ta shtrijë konfliktin e armatosur në Ballkan dhe për këtë mund të përdorë vetëm Serbinë. Çeshtja e acarimit të tensioneve nga Serbia në kufirin me Kosovën dhe kërcënimet teatrale të BAZË E RE USHTARAKE RUSE NË SERBI presidentit Vuçiç për luftë kundër Kosovës janë preteksti i Rusisë për të vendosur bazën e saj ushtarake në Serbi, si një vatër zjarri e përhershme e Rusisë në Ballkan. Moska po synon t’i krijojë probleme sigurie dhe ushtarake NATO-s në rajonin e Ballkanit, ku ndodhen dhjetë shtete anëtare të NATO-s. E vetmja gropë e zezë antiatlantike është Serbia, aleatja e vetme strategjike e Moskës, e cila është gatëshme të instrumentalizohet nga Kremlini në funksion të strategjisë ruse të influencës në Ballkan. Duke i vënë në shërbim Rusisë territorin serb kundër Aleancës Atlantike Beogradi aspiron të shpërblehet nga Rusia për pretendimet e tij koloniale ndaj Kosovës. Është e qartë për të gjithë njerëzit me dy pare mend se presidenti Vuçiç e ka kërcënuar me luftë Kosovën tre herë brenda dhjetë muajve jo për targat. Ai ka veshur parzmoren e Millosheviçit për luftës, sepse aspiron të rimarrë pjesë të Kosovës dhe në rradhë të parë Veriun.

Llogaria e gabuar e Vuçiçit është se duke pasur bazën ushtarake ruse në Serbi ai do ta ketë gjoja më të lehtë të përballojë forcat e NATO-s, që ruajnë Kosovën. Në hakërrimet e tij të fundit të muajit korrik, gjeneralët e NATO-s i bënë të qartë presidentit serb se ai nuk mund të luajë me sigurinë dhe me integritetin e Kosovës dhe se forcat e NATO-s në Kosovë janë atje për ta garantuar sigurinë e shtetit të Kosovës. Ambicia e pashuar e Vuçiçit për rikolonizimin e Kosovës duket e ka nxitur të shpejtohet për të thirrur Rusinë për ndihmë usharake dhe për t’i dhënë lejen e ndërtimit të bazës ushzarake ruse në territorin serb. Realiteti i Ballkanit me tetë shtete anëtare të NATO-s rreth e qark Serbisë duhet t’i kujtojë presidentit halucinant serb se endrrat militariste të Millosheviçit kanë vdekur në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s në Serbi. Natyrisht ky veprim i pashembullt i rrezikshëm i lejimit të një baze ushtarake ruse në territorin e Serbisë përbën një akt armiqësor ndaj të gjitha shteteve ballkanike, që janë për orientimin euroatlantik dhe të cilat janë rreshtuar me BE dhe me Perëndimin për sanksionet kundër Rusisë.

Serbia refuzoi të bashkohet me sanksionet antiruse dhe presidenti Vuçiç u lavdërua se realizoi sigurinë energjitike me gazin rus. Por ambasadori rus në Beograd Harçenko në 8 gusht e lidhi direkt sigurinë enegjitike të Serbisë nga gazi rus me sigurinë e Moskës për të pasur një bazë ushtarake në Serbi. Bëhet e qarte se presidenti rus Putin i ka dhënë presidentit serb çmimin e lirë të gazit rus me çmimin e ndërtimit të bazës ushtarake ruse në Serbi. Shumë u habitën në muajin nëntor 2021 kur presidenti Putin i akordoi Serbisë një furnizim gjashtëmujor me gaz rus me çmim simbolik prej 270 dollarësh për metra kub në një kohë që çmimi i gazit në tregun europian ishte një mijë dollarë. Shumë u habitën edhe në muajin maj të këtij viti, kur Putin i akordoi Vuçiçit një kontratë të re trevjeçare të gazit të lirë rus për Serbinë me çmim 450 dollare për metra kubik. Asnjë diplomat me mend nuk e besoi se Putin po tregohej aq zemërgjërë për sytë e bukur të Vuçiçit. Disa u gabuan duke e shpjeguar se Putini kishte interes që Serba të mos bashkohej me sanksionet BE kundër Rusisë, sikur Rusisë mund t’i bënin dëm pickimet e një mikroshteti dhe mikroekonomie si Serbia.

Në gazetën “Dita” të datës 1.12.2021, në artikullin “Putini i vesh Vuçiçit këmishën e forcës” tërhiqet vëmendja se gazeta e njohur ruse “Pravda” në 26 nëntor 2021, duke shpjeguar arsyet e çmimit të lirë të gazit rus për Serbinë pas takimit Putin-Vuçiç në Soçi në 25 nëntor 2021, thekson se Kremlini po kërkon një bazë ushtarake ruse në Serbi në shkëmbim të çmimit të lirë të gazit. Nuk e kapën këtë sinjal rus qarqet diplomatike dhe analitike në rajon dhe në Europë. Tani shfaqet ambasadori i Rusisë në Beograd, që njofton se Moska do të ndërtojë një bazë ushtarake në territorin e Serbisë. Është një zhvillim i ri negativ dhe i rrezikshëm rajonal, që ka domethënie të shumfishtë. Së pari, ai përbën një sfidë direkte ndaj BE, e cila ka ushqyer dhe ushqen iluzione se me lëshimet e saj të paparimta ndaj Serbisë do ta largojë atë nga Rusia. Nuk dihet se çfarë tjetër duhet të presin burokratët diplomatë të BE që të kuptojnë se Beogradi është ulur në karrigen e Rusisë.

Së dyti, veprimi serb për pranimin e bazës ushtarake ruse përbën një sfidë direkte ndaj NATO-s. Sepse baza ushtarake ruse vjen në qendër të Ballanit në një rreze direkte kërcënuese ndaj gjitha shteteve anëtare të NATO-s në rajon. Nuk e di nëse kanë më gojë të flasin ata ushtarakë apo politikanë miopë të NATO-s, të cilët sa herë që vizitonin Beogradin lavdëronin të ashtuquajturin neutralitet ushtarak të Serbisë. Tani “neutraliteti ushtarak” i Serbisë po strehohet në bazën ushtarake ruse dhe NATO duhet të ndryshojë komplet planet e saj strategjike dhe usharake për Ballkanin, të cilit befas iu shfaq një vatër e madhe rreziku ndaj arkitekturës atlantike të sigurisë. Eksperti ushtarak rus Viktor Baranec shkruante për agjencinë informative ruse “news.ru” në 8 gusht lidhur me bazën e re ushtarake ruse në Serbi: ”Ky objekt bëhet plasdarmi më i fuqishëm në prapavijën e NATO-s, ku do të duhet të vendoset sistemi antiraketë dhe skuadrilje aeroplanësh rusë, që të kontrollohet qielli i rajonit”.

Së treti, është një sfidë ndaj shteteve të Ballkanit, që kanë ushqyer iluzione për Beogradin dhe kanë ndihmuar në armatosjen e Serbisë me armatime të sofistikuara ruse, duke i kaluar nëpër terriroret e tyre. Tani ato armë, bashkë me bazën ruse, do të drejtohen kundër të gjitha shteteve ballkanike anëtare të NATO-s. Portali rus “nsn.ru” shkruante në 8 gusht se baza ushtarake në Serbi demostron gatishmërinë e Rusisë për t’u kthyer në Ballkan për zgjidhjen e një sërë çeshtjesh rajonale. Së katërti, është një sfidë direkte ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar. Serbia dhe Rusia po përpiqen që ta kamuflojnë vendosjen e bazës ushtarake ruse në Serbi sikur diktohet nga konflikti me Kosovën. Në fakt është e kundërta. Rusia po mbështet ushtarakisht Serbinë me bazë ushtarake për nevojat usharake ruse në Ballkan dhe pastaj për t’i shërbyer Serbisë që ta përdorë bazën ruse si shantazh ushtarak ndaj Kosovës për lëshime territoriale.

Së pesti, vendosja e bazës ushtarake ruse në Serbi është diskreditim dhe një demaskim i menjëhershëm dhe i plotë i projektit të presidentit Vuçiç për të ashtuquajturin “Ballkan të hapur”. Baza ushtarake ruse nuk po vjen që të sigurojë shalqinjtë e Konispolit të shkojnë shëndoshë në Beograd. Baza po vjen që Serbia të shtypë ballkanasit dhe shqiptarët në emër të Rusisë. Në një situatë të tillë rreziku te dera qeveria, diplomacia dhe shteti shqiptar duhet të ngrejnë alarmin strategjik dhe kombëtar, sepse një forcë e madhe armiqësore historike si Rusia po vringëllin armet te territoret e kombit shqiptar.

Shqipëria dhe Kosova duhet të denojnë politikën ushtarake proruse të Serbisë dhe qëllimet e saj të errta ndaj kombit shqiptar. Tani është koha më e përshtatëshme diplomatike dhe shtetërore që Shqipëria të tërhiqet nga “Ballkani i hapur” i presidentit serb dhe të shtërngojë rradhët e saj kombëtare me Kosovën. Një “Ballkan i hapur” me bazën ushtarake ruse në Serbi nuk i duhet askujt, që nuk e don rrezikun në vatrën e shtëpisë./gazeta dita

 

Please follow and like us: