Shkrimtarja shqiptare Irma Kurti botohet në Filipine
Romani në gjuhën angleze titullohet “The last days of a city”(Ditët e fundit të një qyteti)
Pas botimeve të librave me poezi “I dashur, ti nuk e di” dhe “Kujtimet ne vargje”, përkatësisht në Kanada dhe në Kamerun, krijimtaria e poetes dhe shkrimtares Irma Kurti kapërcen përsëri kufijtë e Italisë me një botim në prozë të titulluar “The last days of a city”. Ai mban logon e Shtëpisë botuese “Poetry Planet Book” në Filipine. Kopertina e librit është e fotografit Biagio Fortini.
Kjo vepër e shkruar gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia, në versionin në gjuhën italiane u shpall fituese në Konkursin “Letteratura” 2022, të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli, në seksionin e romanit të pabotuar.
Në parathënien e librit Manuela Raciti shkruan: “Në një Bergamo të shkretë, të shoqëruar nga vikatja e pandërprerë e ambulancave, fillon historia e Evës. Ky qytet, simbol i vuajtjes dhe i forcës, do të jetë mjedisi perfekt për t’i dhënë jetë këtij romani. Me një stil delikat dhe, në të njëjtën kohë, të drejtpërdrejtë, shkrimtarja Irma Kurti na shpalos jetën e protagonistes, duke treguar të kaluarën – intensive dhe të rëndësishme – të Evës. Falë zhvendosjeve kohore mjeshtërore, si dhe zgjedhjes së një këndvështrimi të shumëfishtë, do të zbulohet lidhja e thellë e saj me nënën, raporti konfliktual midis protagonistes dhe të vëllait, brishtësia emocionale për arsye të mungesës së figurës së babait dhe përpjekja për të krijuar një familje”.
Irma Kurti ka botuar 25 libra në gjuhën shqipe, 17 në italisht dhe 9 në anglisht. Librat e saj janë botuar në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Itali, Rumani, Kosovë, Filipine dhe Kamerun.