Albspirit

Media/News/Publishing

Tri lirika nga Avdush Canaj

Me këngë e zgjoj ditën
Me këngë e zgjoj ditën,
para diellit bisedoj me lulet.
Fëmijët i marr për dore
në ishullin e lojës
me topin që fluturon.
Te shtëpi e gjetheve
zogjtë m’i falin ëndrrat
për festival vizatimesh.
Violinës së degëve i bie
me guguqet e mollës
të gëzohet mollëkuqja ime.
Me puthje vjen ajo
në faqe të vargut pikalor.
Bëhem balerin i parë
në baletin e fluturave.
Ky jam unë.
Ky.
Zëri shiut
Qielli
u mërol papritur
u mërol si gjyshi
Te dera e vjershës
sikur
dëgjova një zë
Ishte zëri i shiut
më thirri
ta dëgjoj
melodinë e pikave
në dritaret e luleve.
Me kitarë harabelash
Ani si dritë
tregon sa është rrit
ngreh krahët përpjetë
deri te retë puplake
Dhe bën me dije
ky yll shtëpie
di të këndoj
me kitarë harabelash
I flet buzëqeshja
Jam voc i dheut
arbër i Skënderbeut
Gishtërinjtë e trëndafiltë
bëjnë në gjoks shqiponjën.
Please follow and like us: