AFP për dosjet e Sigurimit të Shtetit në Shqipëri
Në 2015, një inisiativë e Parlamentit Shqiptar për hapjen e dosjeve u raportua nga disa media perëndimore. Më poshtë një raport i agjencisë franceze, AFP…
Parlamenti shqiptar miratoi të enjten një ligj për të hapur dosjet sekrete të policisë për civilët, të cilat kanë qenë të mbyllura që prej rënies së regjimit komunist. Burime jozyrtare përllogarisin se rreth 20 përqind e shqiptarëve kanë bashkëpunuar me Sigurimin, duke informuar për aktivitete të dyshimta të miqve, fqinjëve, kolegëve, madje edhe anëtarëve të familjes. Burime të inteligjencës perëndimore besojnë se mbi 10 mijë njerëz kanë punuar për organizatën sekrete gjatë periudhës komuniste. Sigurimi, një mjet i fuqishëm në duart e Enver Hoxhës, u krijua sapo ai erdhi në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore. Pas 1991, gjashtë vjet pas vdekjes së Hoxhës, Sigurimi u shpërbë dhe u zëvendësua nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Ligji lejon aksesin në dosje të atyre njerëzve që janë monitoruar nga regjimi, që kanë bashkëpunuar me regjimin dhe për të gjitha institucionet e interesuara. Dosjet do ekzaminohen nga një komision prej pesë anëtarësh, që do i bëjë të mundur për ata që interesohen. Komisioni do të ofrojë edhe certifikata të mos-bashkëpunimit për të gjithë ata që kërkojnë një post në administratën shtetërore ose që garojnë për një post. Ligji i ndalon ish- sigurimsat që të marrin një post publik, por kjo nuk përfshin personat që bashkëpunuan me policinë sekrete prej viteve 1944 deri në vitin 1990. Legjislacioni që parandalonte këtë gjë u miratua në vitin 2008, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe u kundërshtua nga Bashkimi Europian. Sipas ekspertëve, një pjesë e madhe e dosjeve të policisë sekrete janë shkatërruar në vitin 1991 dhe 1992, dhe gjatë vitit 1997, kur ndodhi rebelimi i armatosur kundër Berishës.
Zhvillimi i prillit 2015
Në muajin prill të vitit 2015 në Kuvendin e Shqipërisë u miratua ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të RPSSH”, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin dhe informimin mbi dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944-1991. Ndërsa në nëntor të 2016-ës, Kuvendi i Shqipërisë votoi edhe pesë anëtarët e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit si edhe kryetaren e këtij Autoriteti, duke i hapur kështu udhën fillimit të punës për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni. Por si funksionon Autoriteti i Dosjeve, si janë seleksionuar këto dosje dhe çfarë gjendet në brendësi të tyre? Në këto ambiente ruhen të gjithë dokumentet e krijuar gjatë periudhës së ish Sigurimit të Shtetit nga viti 1944-1991. Këto dokumente kanë të bëjnë së shumti me dokumente administrative, dokumente të proceseve hetimore-gjyqësore, dokumente të rrjetit agjenturor dhe dokumente të tjerë të përdorur nga ish strukturat e Sigurimit të Shtetit. Aty ka dokumente të larmishëm, duke filluar nga personat që viheshin në survejim, dosjet e përpunimit paraprak, dosjet e përpunimit 2B apo 2A, dosje të hetimit dhe gjykimit etj. Strukturat e ish Sigurimit mbështeteteshin më së shumti në tre drejtori kryesore të ish sigurimit dhe drejtoria e dytë ishte ajo e ish zbulimit politik.
Çfarë përmban një dosje
Dokumentet në Arkivin e Autoritetit janë të klasifikuar në fonde arkivore. Fondet kryesore janë fondet e tre drejtorive të ish sigurimit të shtetit, fondi hetimor gjyqësor, fondi arkivor i degëve të punëve të brendshme të strukturave të ish sigurimit të shtetit, fondet arkivore që kanë të bëjnë me të huajt, por edhe fondet që kanë të bëjnë me të arratisurit nga territori i Republikës së Shqipërisë, rrjeti agjenturor i ndërtuar në atë kohë dhe gjithë veprimtaria e tyre është e dokumentuar. Përveç dokumenteve të shkruar, pjesë e këtij arkivi janë edhe disa materiale audiovizuale. Jo pak herë, siç konfirmojnë edhe punonjës të Autoritetit është vërejtur se këto dosje kanë kaluar në procese koleksionimi dhe ndërhyrjesh, çfarë për dikë mund të verë në pikëpyetje informacionin që ato mbartin. Megjithatë, ato janë çelësi më i sigurt për të shkuar te e shkuara komuniste, për të studiuar dhe për të kuptuar më mirë atë çfarë ndodhi në Shqipëri përgjatë gjysmëshekulli.
TË DHËNA- TABELË
Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit janë krijuar në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991. Autoriteti ka funksionin e administrimit të 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-Sigurimit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të personave të përndjekur politikë, disa mijëra regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish–Sigurimi i Shtetit në Shqipëri.