Albspirit

Media/News/Publishing

Teatri “shekspirian” i Gustav Klimt dhe nudistika imagjinare!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2018

[Ngjitur: Gustav Klimt (1862-1916) – Teatri “Globe” i Shekspirit (Romeo e Xhulieta), 1886 – si dhe “Teatri Antik në Taormina” – tavani i “Burgtheater”, Vjenë]

…zonja vjeneze pati ngelur nga habia, s’mund të ngopej frymë me sytë drejtuar tavanit, kur ashtu papritmas e pati hetuar veten “lakuriq”, fare nudo, në pikturën e Klimt! Sipas Klimt s’do ishte aq “problematike” nëse frymëzohesh nga imagjinata e trupave “lakuriq” të grave të huaja. I kishte pikturuar tri gra të zhveshura, tri bukuroshe si vetë muzat e Delfit, dhe çfarë pastaj, s’do shembej bota…

***
Tavani i teatrit të mirënjohur “Burgtheater” në Vjenë qe zbukuruar dikur me piktura të vëllezërve Gustav dhe Ernst Klimt, si dhe të Franz Matsch. Ashtu-kështu që të tre ishin “vëllezër e miq”, ama e kishin dhe një emër për kompaninë (tamam si firmat, si kompanitë e sotme), konsideroheshin diç si “Kompani Artistësh” (Künstlercompagnie).

I bie pra të ishin diç si treshi-përsheshi prej artistësh, meqë ende s’e kishin famën e Mikelanxhelos as të Rafaelit, dhe nga shteti austriak qenë punësuar si “grup” artistësh.
Ama larg keqkuptimeve, jo se na ishin më të “dobët” se Mikelanxhelot a Leonardot e kësaj bote, por sepse ende s’kishin patur shansin ta gjenin një tavan që ia vlente, për ta mahnitur botën. Pikturat në tavanin e teatrit madhështor vjenez e “përshkruajnë” historinë teatrale që nga antikiteti e deri në fillim të shek. XIX.

“Teatri i Shekspirit (Romeo e Xhulieta), 1886″ ishte piktura e parë e “kompanisë” së treshes, anise kryemjeshtri i saj kryesisht mund të konsiderohet Gustav Klimt. Piktura e paraqet skenën finale nga drama shekspiriane “Romeo e Xhulieta” në teatrin “Globe” të Londrës.
Piktura e fsheh një detaj për vetë “treshen”, detaj sa për të buzëqeshur. Tre burrat e rinj (figurat) në frontin piktural djathtas janë vetë “treshja” prej piktorësh. Zotëria në të majtë është Ernst Klimt, në mes Franz Matsch dhe në të djathtë Gustav Klimt.

Sa i përket piktorit Gustav Klimt, ka foto të tij, por s’dihet për asnjë auto-portret bërë nga ai. Thënia e vetë Klimt “nuk ekziston auto-portret i imi” merret si citat-vulosës i faktit. Andaj figura e tij në “Teatrin e Shekspirit” mund të konsiderohet si i vetmi auto-portret që njihet i Gustav Klimt.

Mirëpo pse duhej figurat e tyre të zinin vend në pikturën e parë të teatrit famoz të Vjenës, dhe e cila pikturë si temë e kishte “historinë teatrore”? Treshja na ishin piktorë, mund t’i pikturonin tavanet e teatrove ama s’na ishin as dramaturgë e as aktorë! Sepse “grupi” ishin artistë jo dhe aq të njohur, kështu që ata i patën venë surratet e tyre thjesht për sadopak reklamë, eventualisht për t’i njohur ndokush dhe të kishin ndonjë ofertë pune të radhës. Sipas “treshes”, fytyrat simpatike të tyre duhej të njiheshin më mirë. Dhe mbase kishin fort të drejtë, sigurisht që kishin.

Sidoqoftë, duke i tejkaluar tashmë të gjitha parapritjet e motivet e tyre, në v. 1888 vetë perandori Franz Jozef (në fronin e Perandorisë Habsburgiane për 68 vite, 1848-1916) pati qenë jashtëzakonisht i impresionuar nga puna e “treshes”. Aq sa i nderoi me nga një “Yll të Artë” për shërbimet ndaj shtetit e ndaj artit, dhe secilit ia caktoi një pagë personale.
Gjesti i perandorit padyshim duhet t’i ketë zënë galuç në “surprizë”, pasi ishte gjest i veçantë dhe i papritur. Deri atëherë s’pati ndodhur që artistët në shërbim të shtetit të dekoroheshin e t’u ndaheshin paga aq të mira, madje normalisht paguheshin shumë keq.

Mirëpo atëherë ishte atëherë, siç u morëm vesh Klimt ende s’ishte aq i njohur e i famshëm… atëbotë si bojaxhi i panjohur njerëzia dhe s’ta varnin aq. Një zonjë e rëndë madje dhe qe ankuar pranë administratës së teatrit kur ky e pati përfunduar pikturën e titulluar “Teatri Antik në Taormina”.
Fati i Klimt që ajo nuk e pati paditur. Zonja vjeneze pati ngelur nga habia, s’mund të ngopej frymë… me sytë drejtuar tavanit, kur ashtu papritmas e pati hetuar veten “lakuriq”, fare nudo, në pikturën e Klimt.

E ky i ngrati s’është se kishte ndonjë faj, pafajsia e tij ishte e kulluar sa dhe vetë pastërtia e artit. Dalngadalë e pati kthyer në zakon (vesi i tij pothuaj qe zhvilluar dhe si tendencë) për t’i pikturuar femrat nga mbamendja. Sipas tij s’do ishte aq “problematike” të frymëzohesh nga imagjinata e trupave “lakuriq” të grave të huaja. Në rastin e pikturës në fjalë, nudistika si dhe vetë skena pikturale ishin totalisht imagjinare. I kishte pikturuar tri gra të zhveshura, tri bukuroshe si vetë muzat e Delfit, dhe çfarë pastaj, s’do shembej bota. S’ishte as i pari as i fundit të eksperimentonte me nudistikat (imagjinare).

Për më tepër, të gjitha pikturat tjera të tavanit kishin të bënin me “historinë e teatrit”, pothuaj i qenë mërzitur me atë temën e njëjtë, bajate. I ishin bërë aq monotone, ndoshta as vetë Mikelanxhelo i Madh dikur në Mesjetë s’pati qenë i mërzitur më shumë, edhe ai i ngrati pati vuajtur me tavanin e “Capela Sistina” . Historia e artit tavanistik s’ka “harruar” ç’pati hequr dikur i gjori Mikolango! Klimt e dinte mirë sa e vështirë është t’i pikturosh tavanet, qafa e gjymtyrët thjesht mpihen nga dhimbja. E vetmja “…Taormina” ia falte atë lirinë imagjinare, nuk duhej të paraqiste ndonje “skenë teatrore”, thjesht mund t’i zhyste brushat në ngjyrat e imagjinates. Pati qenë pothuaj si një lloj “ngushëllimi”, si vetëkënaqje me lirinë artistike.

Sidoqoftë, zonja vjeneze vetëm qe ankuar, s’e pati paditur, s’pati kërkuar ndonjë lloj dëmshpërblimi, Klimt s’duhej të paguante asnjë gjobë, gruaja nudo e pikturës thjesht qe “veshur” pastaj me rroba të kuqe.

Më vonë, kur Klimt do t’bëhej i famshëm aneskaj Evropës, ndoshta askush s’do ankohej (nëse ky të zgjedhte për ta bërë një nudo të pavdekshme në pikturat e veta). Të pasurit madje do ta paguanin shtrenjtë… do ta lusnin e do t’prisnin me vite në radhë për t’u cullakosur në studion e tij. Por ja që tani si i famshëm, Klimt thjesht s’do t’kishte kohë, për inat tani, sa herë t’i tekej, do ishte fort i zënë : )

***
“Burgtheater” është një teatër në Vjenë, ndoshta teatri më i famshëm i Austrisë, stili dhe gjuha e këtij teatri kanë luajtur një rol vendimtar për botën teatrore gjermanishtfolëse në përgjithësi. Teatri qe përfunduar në vitin 1741, mirëpo aty ku ndodhet sot qe zhvendosur në vitin 1888, gjatë bombardimeve në vitet 1944-45 ndërtesa qe dëmtuar rëndë, pas riparimeve qe rihapur në v. 1955.

Please follow and like us: