Bledar Koçi: ËNDËRR MËRGIMTARI

Shokëve të një udhe
… Shkoja natës s’di se ku,
Rrugë pa rrugë baltrash ngjyer
Ikja, bija kuturu,
Futur palltos zbardhëllyer.
Fytyrë trishtë e i pa rruar
Çaja shtigje me dëborë,
Këmbë vrarë, lotë ndër duar
Shpresë këputur si i gjorë.
Fati shkruar përmbi ballë,
Ikja, ikja pa u ndalur…
Herë më dukej vetja djalë
Herë i rrudhur e i plakur.
Ashtu ëndrrës përgjëruar
(Lusja ëndërr veç mos jetë)
Endur larg dhe i vetmuar
Jam unë, prapë? A jam vërtetë?
………………..
Ëndërr dimri qiejsh nxirë,
Mbetur malesh e mërguar
Tek një trup me zemër ngrirë
Përtej botës së harruar.
Please follow and like us: