Cikël poetik nga Sazan Goliku
PA KUPTIM
A vëren ti, o mik
ndonjë lidhje
apo diçka të veçantë
mes një fëmije
të sëmurë e të uritur,
një burri që lyp pa turp,
një prostitutë të zvjerdhur
dhe pyllit të djegur?
SHPIRTI ESTETIK
Kur lexojmë librat e Kadaresë
kënaqemi artistikisht e atdhetarisht
me magjinë e stilit të tij,
me madhështinë e gjuhës shqipe
në penën e tij të artë
që çan dete e oqeane.
PROFECI NAIVE
Shekulli 21 –
puna e fjala janë kthyer në rërë
që nuk vlen as për llaç
me rindërtue muret e së djeshmes
(ose të harresës).
E ardhmja do të ecë
në udhën që ende nuk është hapur,
në humnerën që nuk e dimë sa e thellë do të jetë.
Ende nuk e dimë apo nuk duam ta dimë,
kush do ta çelë atë udhë?
Globalizmi – përmbytës fatal
nuk do të jetë cunam si i filmave vizatimorë.
KURORA E VDEKJES
Kur vallëzonim dikur në rini,
kur një tjetër të vinte një kapelë mbi kokë,
ishe i detyruar t’ia jepje ‘damën’, pra ta merrte tjetri
dhe ti ktheheshe i mbllefosur në stolin e zhgënjimit.
Tash në vallen e jetës covidi 19 të vë kurorë mbi kokë…
dhe të merr kokën.
1.11.2020.
PLAKU I RI
Kur Fan Noli i urtë kërkonte të mbillte lule në shkretëtirë,
miqtë e armiqtë e tij qeshnin: Ka rrjedhur ati,
i ka vjedhur sytë ëndrrës
dhe në krahët e tingujve goditës bet’hovenianë
fluturon në të ardhmen ose në askund…
… dhe sot e vërejmë si fantazmë të vetmuar rrezatuese.
Ai mbeti gjallë nëpër mrekullinë e Kahjamit
që ne e shijojmë si verë e mjaltë,
mbeti në pyjet tragjik të fjalëve të përgjakura të Shekspirit,
mbeti i gdhendur në malet e egra shqiptare
Gjergj Kastriot.
Kur si kryengritës kërkonte të ndizte dritë në errësirë,
ne ia shuam qiriun dhe e degdisëm në harrim.
17.12.2020.