Albspirit

Media/News/Publishing

Giovana Faria: Pse Irani po ekzekuton kaq shumë të burgosur?

Me një listë të gjatë të krimeve për të cilat shqiptohet dënimi me vdekje, Irani ka ekzekutuar të paktën 314 të burgosur gjatë vitit të kaluar. Vetëm Kina ka ekzekutuar më shumë të burgosur dhe atë mbi 1.000. Organizata Iran Human Rights, në fakt tha se shifra është 333, që paraqet një rritje të ekzekutimeve, krahasuar me vitin 2020, kur ishin ekzekutuar 267 të burgosur.

Numri alarmues i ekzekutimeve – shumica besohet se janë kryer përmes varjes – ka tërhequr vëmendjen e pjesës më të madhe të organizatave të komunitetit ndërkombëtar, që besojnë se dënimi me vdekje është mizor, degradues dhe çnjerëzor. Por, pse kaq shumë të burgosur iranianë janë ekzekutuar në dy vjetët e fundit? Ndërsa dënimet e detyrueshme me vdekje ekzistojnë për disa vepra, tendencat e vërejtura ngrenë pyetje lidhur me motivin e vërtetë prapa këtyre dënimeve.

Kur gjykohen për ndonjë krim, qytetarët iranianë nuk janë të barabartë para ligjit. Burrat kanë më shumë të drejta se gratë, myslimanët kanë më shumë të drejta se jomyslimanët dhe myslimanët shiitë kanë më shumë të drejta se ata sunit, të cilët janë minoritet në këtë shtet.

Minoritetet etnike po ashtu janë në disavantazh në sistemin e drejtësisë. Edhe pse përbëjnë vetëm 2 deri në 5 për qind të popullsisë së Iranit, 21 për qind e të ekzekutuarve më 2021 ishin nga minoriteti baluç dhe 26 për qind vetëm në gjysmën e parë të vitit 2022.

Po ashtu, Irani është një prej shteteve të pakta në botë që ekzekuton persona të mitur. Ligji ndërkombëtar ndalon dënimin me vdekje për personat që kanë qenë nën 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit për të cilin janë dënuar. Në Iran, megjithatë, të miturit zakonisht mbahen në burgje dhe ekzekutohen pasi të kenë arritur moshën madhore. Më 2021, një djalë që kishte qenë 15 vjeç në kohën e arrestimit, u ekzekutua në Iran pasi kishte kaluar pothuajse 20 vjet në burg duke pritur ekzekutimin e dënimit kapital. Aktualisht, mbi 85 të dënuar, që janë të mitur, janë në listë të pritjes për t’u ekzekutuar në Iran.

Të metat e sistemit gjyqësor

Edhe sistemi gjyqësor dhe gjykatat në Iran shihen gjerësisht si diskriminuese, të anshme dhe thuhet se ndikojnë në kriteret që përdoren për të zbatuar dënimet me vdekje.

Kreu i sistemit gjyqësor emërohet drejtpërdrejt nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Sipas ligjit iranian, të dyshuarit lejohen që të kenë qasje te një avokat, por të drejtat e tyre për të zgjedhur avokatin janë të kufizuara. Në rastet serioze penale dhe ato që kanë të bëjnë me akuza për sigurinë, të dyshuarit mund të zgjedhin avokat nga një listë e miratuar nga kreu i gjyqësorit.

Asnjë nga të dënuarit me vdekje për të cilët organizata Iran Human Rights ka informacione nuk ka pasur qasje te një avokat në fazën paraprake të çështjes, pas arrestimit të tyre.

Gjykatat revolucionare

Në Iran, krimet e ndryshme trajtohen nga gjykata të ndryshme. Rastet e përdhunimeve dhe vrasjeve trajtohen nga gjykatat penale. Ndërkaq armiqësia kundër Zotit, rebelimi i armatosur dhe rastet e lidhura me drogë trajtohen nga gjykatat revolucionare, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e shqiptimeve të dënimeve me vdekje në 12 vjetët e fundit.

Megjithatë, këto gjykata nuk janë transparente dhe gjykatësit janë shkelës të mëdhenj të fuqive të tyre ligjore, duke iu pamundësuar të dënuarve që të kenë qasje tek avokatët dhe duke lejuar marrje në pyetje nën torturë ose nën detyrim për të pranuar krimet.

Gjykatat revolucionare po ashtu janë përgjegjëse për shqiptimin e dënimeve ndaj personave që gjenden fajtorë për kritikat ndaj autoriteteve. Në qershor të vitit 2021, Parlamenti iranian kaloi një draft-ligj që shënjestronte gazetarinë qytetare. Nëse ky legjislacion miratohet, gazetarët apo aktivistët e të drejtave të njeriut që raportojnë për dënimet me vdekje, mund të dënohen edhe vetë me dënim kapital.

Të gjithë këta faktorë lehtësojnë shqiptimin masiv të dënimeve me vdekje në Iran. Në vitet 2021 dhe 2022 ka pasur një rritje dramatike të numrit të ekzekutimeve. Sipas organizatës Iran Human Rights, të paktën 333 persona janë ekzekutuar në mbarë vendim më 2021, që është shifra më e lartë që nga viti 2018. Dhe sipas shifrave të deritashme, viti 2022 pritet të arrijë shifër rekorde të ekzekutimeve, pasi deri më tani janë ekzekutuar 320 persona, sipas Iran Human Rights.

Rritja e numrit të ekzekutimeve për krime të lidhura me drogën po ashtu ka ngritur pyetje duke pasur parasysh rrethanat në të cilat këto ekzekutime po ndodhin. Një amendament i Ligjit kundër narkotikëve, që u miratua në fund të vitit 2017, paraprakisht kishte çuar në ulje të konsiderueshme të numrit të ekzekutive në Iran sa i përket krimeve të lidhura me drogën. Por, më 2021 këto shifra janë rritur për pesëfish, me të paktën 126 persona të ekzekutuar për akuza të lidhura me drogën. Kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar i cili ndalon dënimin me vdekje për krime që nuk përfshijnë vrasje të qëllimshme.

Numri më i lartë i ekzekutimeve lidhur me krime të drogës në Iran më 2021 ndodhën në korrik, që po ashtu ishte muaji pas zgjedhjeve presidenciale, kur shpërthyen protestat për krizën ekonomike dhe mungesën e ujit. Më 26 korrik të vitit 2021, përderisa protestat po ndodhnin në Kermanshah, REL-i raportoi se përveç forcës brutale të përdorur kundër protestuesve paqësorë, po ashtu kishte pasur një valë arrestimesh në periferi të këtij qyteti.

Në një intervistë për REL-in, drejtori i Iran Human Rights, Mahmood Amiry-Moghaddam, foli edhe për një trend tjetër: numri i ekzekutimeve bie gjatë periudhave zgjedhore. Ai tha se ekzekutimet pauzohen sepse bota i kushton më shumë vëmendje asaj se çfarë ndodh brenda shtetit në kohë zgjedhjesh.

Numri i ekzekutimeve nisi të rritej pasi Ebrahim Raisi mori detyrën në gusht të vitit 2021 dhe mesatarja mujore e ekzekutimeve gjatë presidencës së tij pothuajse është e barabartë me të gjitha ekzekutimet e kryera gjatë shtatë vjet e gjysmë të presidencës së Hassan Rohanit.

Mbingarkesa në burgje

Në maj dhe qershor të këtij viti, 33 persona u ekzekutuan në gjashtë burgje të ndryshme në mbarë Iranin. Amnesty International gjeti se që nga fillimi i vitit 2022, autoritetet në burgun Raja’i Shahr, në perëndim të Teheranit, ekzekutojnë mesatarisht pesë persona çdo javë dhe në disa javë deri në dhjetë të dënuar. Këto shifra të larta ekzekutimesh ndodhën në periudhën kur drejtuesi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të gjyqësorit, dhanë deklarata lidhur me nevojën për të adresuar çështjen e mbingarkesës në burgje.

Qendra Abdorrahman Boroumand veçse e kishte vërejtur këtë gjë edhe gjatë viteve paraprake. Midis viteve 2007 dhe 2008, shefi i atëhershëm i gjyqësorit, Ayatollah Shahroudi, zbatoi një strategji që kishte për qëllim zgjidhjen e numrit të madh të lëndëve. Kjo strategji rezultoi me mbylljen e shpejt të një numri të madh të lëndëve, por megjithatë më 2013 kishin mbetur të pazgjidhura pothuajse 1 milion lëndë gjyqësore. Shefi i gjyqësorit më pas lëshoi udhëzues të tjerë për të përshpejtuar këto procese. Nga vitet kur u lëshuan këta udhëzues, ekzekutimet në Iran janë rritur në mënyrë dramatike, duke arritur rekord prej 1.054 ekzekutimesh më 2015.

Bisedimet bërthamore

Edhe një tjetër trend ka ndodhur gjatë bisedimeve për marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive perëndimore. Amiry-Moghaddam nga Iran Human Rights tha se autoritetet iraniane vëzhgohen më pak kur bisedimet zhvillohen, siç ishte rasti në fillim të vitit 2021, kur përpjekjet për ta ringjallur marrëveshjen – pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga pakti – rinisën.

Në këtë periudhë pati rritje të ekzekutimeve dhe e njëjta gjë kishte ndodhur edhe gjatë rundeve fillestare të bisedimeve për marrëveshjen në periudhën 2013-2015.

Pauzimi i ekzekutimeve publike

Për herë të parë në dekada, asnjë ekzekutim publik nuk është raportuar në Iran më 2021 dhe kjo gjë i është atribuuar pandemisë COVID-19. “Megjithatë, raportet e fundit lënë të kuptohet se autoritetet iraniane po planifikojnë të rikthejnë ekzekutimet publike”, tha organizata Iran Human Rights. “Dënimet e fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar dhe shoqëria civile në Iran mund të parandalojnë këtë praktikë barbare që të rikthehet në rrugët e shtetit”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

https://www.evropaelire.org/a/iran-ekzekutime-te-burgosur-/31985712.html

Please follow and like us: