Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: SHËNIME UDHËTIMI

 


Rrallë më ndodh të ngjitem në lartësitë e Kurveleshit. Sapo mbrijë në vendlindje, më pushton një ndjenjë e thellë trishtimi. Kundroj me dhimbje zbrazjen e kësaj krahine emërshquar. Malet kanë mbetur vetmitarë. Kordhëtarët e dikurshëm që mbështesnin kryet në lartësinë e tyre, janë futur në balada. Arat e kursyera e kanë harruar plorin e parmendës. Edhe ujrat e pakta të përrenjve nxitojnë të derdhen në humnerat e frikshme, mbase për të përcjellë atë këngë pikëllimi që përjetoj dhe unë. Ata që kanë mbetur atje, nxitojnë pas tufave të tyre. E vetmja shenjë e jetës janë zilet dhe këmborët. Visare të panjohura janë mbuluar nga pirgjet e dheut. Njerëz të brezave të shkuar, të cilët s’kam mundur ti njoh, prehen brenda gardhimit të varrezave, ndërsa të tjerë kanë mbetur në sinoret e tyre, tashmë të mbetura shkretë apo të grabitura nga ata që na morën lirinë dhe pronat. Rrallë kam dëgjuar emërat e tyre dhe bëmat. Ata bënë histori, po s’mundën ta shkruajnë. Ishin të tjerë ata që u vetëshpallën fitimtarë, shtresat më të ulëta të shoqërisë, ata që u quajtën proletarë dhe me forcën e armëve morën në duart e tyre pushtetin. Dhe e mbajtën me gjak e dhunë për gjysmë shekulli, mandej e trashëguan bijtë e tyre, niprit dhe mbesat. I shikoj kudo; në zyrat e shtetit, në qendra biznesi e trotuare, në tribuna dhe studio televizive. Guximi i tyre ushqehet nga padituria dhe geni inferior. Ajo duhmë ndjellakeqe nderet mbi ne dhe mes nesh, si dikur. Vezët e gjarprinjve helmues janë shtuar si krisja në arat e mbetura djerrë. Fatkobi paska zgjedhur vendin tonë si strehën e tij. Po përse kaq gjatë?-pyes veten shpesh herë. Lëngata duhet ta ketë një fund, ashtu si murtaja, e cila kosit një brez të tërë dhe mandej fillon sërsh jeta, si më parë. Linda dhe u rrita mes një shoqërie me moral të rrënuar, e prapëseprapë shpresoj për një rilindje shpirtërore. Ndoshta duhet të kalojnë dekada të tjera, që niprit dhe mbesat e gjakatarëve të kërkojnë një ndjesë publike dhe shpirtërore viktimave të tyre, atyre që ua vranë jetën, ëndrrat dhe gjumin. Fisnikëria e Kurveleshit u rrënua. U shembën sarajet dhe kullat e larta, u mohua sakrifica e tyre, historinë ua përbaltën. Vallë, a do munden pinjollët e këtyre familjeve ta ngrejnë emrin e fisit në lartësitë e dikurshme? Vështirë, sepse ata janë rralluar, kanë ikur nga streha e tyre. Vështirë, sepse vrasëit janë përsëri në këmbë dhe të pushtetshëm. Dhe më e keqja, guxojnë të mbrojnë krimet e prindërve, dajove apo xhaxhallarëve të tyre. Kam përjetuar vdekje tragjike dhe të mbuluara nga misteret. Fate të verbra kanë bashkëjetuar me banorët e kryqëzuar nga lufta e klasave. Kam parë arkivole të shoqëruar vetëm nga familjarët, për shkak se vlerësoheshin si kundërshtarë të rregjimit. Muret lakuriqe të varrezave i pranonin me bujari brenda tyre. Kam parë edhe viktima të shembur me përdhunë nga dora e bashkëpunëtorëve të sigurimit, e të hedhur ndanë rruge me trup të gjymtuar, si mësim për të tjerët. Paskëtaj, pushteti i frikës sundonte kudo. Askush s’kujtohej për fotografitë e zverdhura, vellot e zeza apo kordelet e errëta që i rrethojnë kornizat e tyre. Bota e shpirtrave ka mbetur e panjohur për ne vdekëtarët. As Kurani, as Bibla s’na afrojnë spjegime për të ushqyer kurreshtjen. Çfarë ndodh me të ikurit tanë, çfarë përjetojnë dhe a kthehen sërish në viset e tyre? Ata i rritën fëmijët me lot e thërrime, sic thoshte Naim Frasheri, por u fikën pa e shëruar plagën e zemrës, pa e shfryrë dufin e shpirtit për këtë dhe e këtë truall aq të dashur. Varka e dëshirave të tyre u përmbys në lumin e trubullt ku vërshonte urrejtja. Shqiptarët luftonin njëri- tjetrin, pa mëshirë. Shtresat e ulëta i shikojnë me kërshëri dhe urrejtje fisnikët. Ai brez të urtësh ndiqte besnikërisht traditën e mikpritjes, besës dhe burrërisë. Odat me qelqe i zbukuronte prania e tyre. Ata nuk e njihnin hakmarrjen dhe mërinë, sepse jetonin bashkë, edhe në luftë shkonin krah njëri-tjetrit. Kishin popullaritet pa qënë funksionarë të shtetit, por detyronin pashallarët të uleshin në gjunjë para tyre. Kishin shpirt të bukur, sepse ishin rritur mes një tradite të vyer, andaj luftonin për gjëra të larta e të ndritshme. Në rininë time kam njohur shumë njerëz të ditur, të cilët kishin lindur dhe jetonin në të njëjtën krahinë me mua. I shikoja tek ecnin kryeulur, nga pengimet që u bëheshin, nga lëndimet shpirtërore. S’nguroj t’i quaj intelektualët e pa fat të Shqipërisë, që dergjeshin në vetminë e tyre të pikëlluar, pa pasur asnjë shpresë a fjalë ngushullimi. Doemos që Shqipëria do bëhet, nga vetë shqiptarët. E që të arrihet kjo, fillimisht duhet të bëhen shqiptarët, të distancohen nga e kaluara e hidhur që vazhdon të na përndjek, të ndërgjegjësohen. Dhe kjo s’mund të realizohet me frymën e shenjtë të zbritur nga kozmosi apo vaksinat e afruara nga Perëndimi. Zgjidhja gjendet atje ku është problemi, d.m.th mes nesh. Edhe sëmundjet më të rënda thuhet se i shëron dashuria.

Kurvelesh, korrik 2022.

Please follow and like us: