Na e sulmuan një mik të Kosovës, një hero të lirisë
Nga Ruben Avxhiu
Salman Rushdie e ka mbështetur gjithmonë Kosovën dhe më ka bërë përshtypje që e ka dalluar dhe përzgjedhur nga shumë konflikte e tragjedi që ndodhnin e disa vazhdojnë të ndodhin paralelisht në botë.
Shkrimtari i njohur e dalloi qartësinë morale të konfliktit në Kosovë: mes një regjimi fashist që kishte nisur disa luftëra në rajon dhe një populli që nuk donte asgjë tjetër përveçse të jetonte në liri dhe në paqe.
Jam ndjerë veçanërisht mirënjohës ndaj tij sepse një nga rastet kur foli në favor të shqiptarëve të Kosovës, ishte jo pak pas luftës, kur të gjitha lajmet që dilnin nga Kosova ishin për civilë serbë të vrarë nga sulme hakmarrëse të shqiptarëve.
Salman Rushdie, në mënyrën që askush më mirë nuk e bën dot si një shkrimtar, i kujtoi botës se kush ishin dhe vazhdonin të ishin viktimat në Kosovë, ia kujtoi sesa e jashtëzakonshme ishte në Kosovë si ndjenja e hakmarjes, por vetëpërmbajtja pavarësisht prej krimeve mizore që kishin ndodhur mbi shqiptarët. Për përpjekjen e tij për të mos e humbur perspektivën nuk do të rreshtem kurrë së falenderuari.
Ky është njeriu që e akuzuan se kishte fyer myslimanët. Dhe kush e dënoi në emër të myslimanëve: një regjim ajatollahësh që për Kosovën kurrë nuk e nxorri një fjalë dhembshurie. Një herë të vetme nuk i dënoi krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky regjim përcakton se kush fyen myslimanët dhe kush i nderon? Mbështetësi më i madh i Serbisë në botën myslimane ka qenë dhe mbetet Irani i Ajatollahëve.
Një fjalë nuk e kanë thënë për myslimanët e vrarë dhe hedhur ne varret masive, në Kosovë. Për xhamitë e djegura e të shkatërruara. Por pse duhet pritur më shumë nga një regjim forcat e të cilit mbajnë nën terror për gati gjysëmshekulli qytetarët e tyre në Iran. Një regjim forcat e të cilëve kanë vrarë e vazhdojnë të vrasin myslimanë në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme. Një regjim forcat e të cilit morën pjesë aktive në masakrimin e myslimanëve në Siri.
Salman Rushdie vjen nga një familje myslimane nga India. Ai është shkrimtar dhe romani i tij i tretë “Vargjet Satanike” nuk ka asgjë që fyen Islamin apo myslimanët. Suksesi i tij letrar ishte një dëshmi përpara historisë se edhe bota myslimane ndonëse në një periudhë të zhytur në prapambetje e varfëri mund të prodhonte shkrimtarë të mëdhenj të kalibrit botëror. “Vargjet Satanike” treguan se edhe nga Islami buron letërsia e madhe.
Kurse urrejtja e derdhur nga kryeajatollahu i Iranit dhe tërbimi e zemërimi masiv i miliona myslimanëve në mbarë botën, që as e kishin lexuar e as e kanë lexuar romanin në fjalë, ia ka ngrohur zemrën çdo antimyslimani në botë sepse pikërisht ashtu kanë dashur e duan ta shohin myslimanin. Të nxehur e inatosur pa arsye, një armik të civilizimit dhe lirisë.
Historia e botës sigurisht vjen dhe shkon. Në kohën kur iluminizmi buronte nga bota myslimane njerëzit si Salman Rushdia ishin heronj e ata e si paçavurja e Teheranit objekt talljeje e urrejtjeje.
Sa kohë ka pasur letërsi në botë, ka pasur edhe përpjekje të pushtetit politik për ta ndaluar e vënë nën kontroll. Pushtetarët e dështuar si regjimi iranian, i cili me ekonominë përtokë e degjenerimin moral në fundin e dekadës së viteve 1980, rrezikonte të rrëzohej si po rrëzoheshin regjimet komuniste në mbarë botën. Fatva kundër shkrimtarit Rushdie nuk kishte të bënte me Islamin, por me nevojën e dëshpëruar të regjimit të ajatollahëve për të zhvendosur vëmendjen diku. Pas luftës vëllavrasëse me Irakun, pas dështimit të ekonomisë së planit, pas hipokrizisë së sjelljes së klerikëve në pushtet.
Ajo që habit nuk është që një tjetër diktator dënoi me vdekje një shkrimtar, por që miliona njerëz në botë, që nuk e kanë lexuar librin, pranojnë si autoritet fjalën e një diktatori dhe mbështesin vdekjen e një autori librash, për të mbushur zbrazëtirën në jetën e tyre shpirtërore me klthimën e hakmarrjes ndaj një njeriu diku me zero ndikim në të përditshmen e tyre.
Lehtësia me të cilën njerëz të pafajshëm në botë bëhen pjesë e turmës që do gjak e shpagim do të jetë gjithmonë kërcënimi më i madh. Sa shpesh është e keqja që frymëzon milionat kundër herojnve të tyre, kundër interesave të tyre, kundër më të mirës së tyre.
Turma nuk ka tru, por individët e përbëjnë kanë dhe nuk duhet të lejojnë të manipulohen nga urrejtja, nga frika, nga besimi i verbër.
Çdo njeri që ka jetuar në diktaturë e di dhe e kupton shumë mirë këtë. E megjithatë, mësimet harrohen e historia përsëritet.
Salman Rushdie, sigurisht, gjallë a vdekur, ka fituar. Ai ka jetuar aq sa i është dashur për të shkruar të gjithë librat që mund të shkruante. Ai ka frymëzuar mijëra shkrimtarë në mbarë Indinë e botën myslimane. Është kthyer në një simbol të guximit dhe të fjalës së lirë.
“Terrorizmi është art i frikës”, ka thënë ai dikur. “E vetmja mënyrë për të fituar kundër tij është të mos kesh më frikë”.
Shqiptarët e kanë vrarë frikën të paktën dy herë gjatë jetës sime. Në vitin 1990, kur u ngritën kundër diktaturës komuniste dhe po gjatë asaj dekade kur me sakrifica e trimëri epike i qendruan regjimit serbomadh derisa fituan lirinë e pavarësinë.
Ne jemi gjithashtu një popull i bekuar me fe të ndryshme. Liria dhe bashkëjetesa janë guri i themelit të mbijetesës sonë si shoqëri. Ne kemi arsye jetike për t’u bërë ushtarë të lirisë dhe jo të urrejtjes. Të mos biem pre e mallkimeve dhe alarmeve e thirrjeve për t’u trembur nga njëri-tjetri.
Shqiptarët kanë bashkëjetuar në shekuj, në paqe me realitetin e tyre të larmishëm në fe e tradita, dialekte e veshje, në preferenca e rite. Por sot, në një botë globale, kur ata që na formojnë e na udhëzojnë nuk janë më vetëm traditat tona e historia jonë, rreziku e sfidat janë ndryshe. Në këtë botë ku urrejtja derdhet përtej kufijve, na e sulmuan një mik të mirë që na është gjendur pranë në ditë të vështirë. Na e sulmuan në emër të disa prej nesh, në emër të fesë së dissave prej nesh, nga njerëz që nuk i zgjodhi njeri të përfaqësojnë bashkëfetarët e tyre, as në Shqipëri e askund në botë.
Mos e lini këtë sulm të ndyrë të na përçajë. Mos iu gëzoni vrasjes dhe shkatërrimit, vlerësoni të bukurën e të mirën. Nëse ka një botë tjetër me ferr ndëshkues vrasësit e shkrimtarëve do të digjen në përjetësi.
Rushdie, ashtu si shumica e myslimanëve dhe shumica e gjithë njerëzve të mirë të botës, pavarësisht nga feja dhe besimi, beson në forcën dhe misionin e madh të fjalës së lirë. “Historitë e treguara janë në zemër të gjithshkaje që ndodh”, thotë Salman Rushdie. “Narrativave të mashtruese të tiranëve, populistëve dhe hajvanëve duhet t’u kundërvihemi me tregime e histori në të cilat njerëzit duan të jetojnë”.
Në këtë kontekst, historia se si jetoi populli ynë, pavarësisht besimeve të ndryshme fetare e traditave është një histori e madh për t’ia treguar botës. Edhe nëse kemi dështuar në sa e sa gjëra. Myslimani nuk mund të jetë terroristi idiot me thikë në dorë që goditi shkrimtarin. Myslimani është ai shqiptari që shpëton hebreun nga pushtuesi nazist, mbron kishën katolike apo ortodokse nga pushtuesi turk, jep para për Kishën e parë Autoqefale në Boston apo për shkollën e parë shqipe në Korçë.
Ky është vërtet një mysliman trim se nuk ka frikë nga përparimi i vëllait të një feje tjetër. Se nuk tmerrohet nga një roman e nga një vepër arti. Se ka vendosur zhvillimin e tij shpirtëror mbi realitetin kalimtar të kohës. Ai nuk është lolo që e sjellin vërdallë diktatorët e sharlatanët që pasurohen duke përçarë, trembur, e inatosur besimtarët. Është një mysliman i qetë, zemërgjerë e mendjehapur. Është vëllai im dhe vëllai i çdo njeriu që do paqe e mirësi në botë. Shqiptarët kanë mbijetuar si popull me shumë fe e me shumë tradita se shumica e tyre kanë qenë myslimanë të tillë. Vazhdojnë të jenë myslimanë të tillë.
Në botën globale, shumë shoqëri, kultura, ideologji, e interesa politike vijnë me myslimanin e tyre si shembull për t’ia imponuar qindra milionave. Ne mbase kembi shembullin më të mirë. Përgjigjen më të mirë kundër ekstremistëve si atyre në Perëndim që e shohin myslimanin si gogol, ashtu edhe atyre në botën myslimane që duan një mysliman të egërsuar e me urrejtje ndaj botës së lirë.
Shërim të shpejtë Salman Rushdie! Liri për popullin e Iranit!