Rrugëtimi drejt suksesit i regjisorit më të ri Gent M. Çajani
Artemisa Kastrioti, Nju Jork
Shfaqja teatrale “Tregimi Zoologjik” (Zoo Story) me regji nga Gent M. Çajani është shpërblyer me çmimin “Regjisori më i Mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Othello, i mbajtur në Maqedoninë e Veriut.
Ky është një sukses tjetër i “Tregimit Zoologjik” pas vlerësimit në AKT Fest Shkup ku aktori Berat Mahmuti është shpërblyer me çmimin “Aktori më i Mirë i Ri”.
Regjisori dhe aktori i talentuar Gent Mehmeti Çajani ka lindur në 1995 në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut në një familje shqiptare artistike me prindër Abdullah Mehmeti dhe Sebajet Shaqiri. Shkollën fillore e mbaroi në “Sh.F. Naim Frashëri” në Tetovë, kurse shkollën e mesme në “Gjimnazin Kiril Pejçinoviç”, Tetovë (2014). Shkollimin e lartë e kreu në Fakultetin e Arteve në “Universitetin Shtetëror të Tetovës” (2019) Dega – Regji Teatri (gjenerata e parë e regjisë së teatrit).
Që në moshë të vogël Genti filloi të merret me art duke patur pasion librin dhe poezinë. Në ditën botërore të librit që u mbajtë nga “Biblioteka Koco Racin” në Tetovë ai mori çmimin e dytë dhe u shpërblye si “Poeti Më i Ri”.
Gent M. Çajani mori pjesë në disa organizata joqeveritare të Tetovës si: “Center for Balkan Cooperation Loja”, ku bëri projektin e parë Poetry slam në vend (2015); “American Corner Tetovo”, ku bëri regjinë e parë të shfaqjes për fëmijë “Pinokio” së bashku me grupin e organizatës (2011). Poashtu mori pjesë në ekspozitën e fotografisë të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e shpërbleu me certifikatën si fotograf (2011). U angazhua te “Shoqata Dora e Artë” në Tetovë, me të cilën mori pjesë në konferencën e parë të mbajtur për shpalljen e Malit Sharr park nacional (2015). Mori pjesë në “Tetova feston nëntorin” në mbrëmjen poetike me karakter garues ku mori çmimin e dytë për prozë (2015).
Përveç poezisë, Genti ka shprehur botën e tij artistike nëpërmjet fotografisë dhe këngës, duke marrë pjesë në korin e fëmijëve të qytetit të Tetovës. Në vitin 2019 Gent M. Çajani u shpërblye me certifikatë si fotograf në ekspozitën e galerisë së arteve pamore në Tetovë “Unë dhe 1000 fjalë”.
Që nga gjenerata e parë shqiptare e regjisë së teatrit në Maqedoninë e Veriut, falë kontributit të dy figurave të shquara te artit Mehmet Xhelili dhe Qëndrim Rijanin, sot Gent M. Çajani po prek skenën ndërkombëtare nëpërmjet artit të tij.
Intervistë eksklusive me Regjisorin dhe Aktorin Gent M. Çajani
Si nisi rrugëtimi juaj drejt teatrit dhe aktrimit në aspektin e formimit edukativ?
Gent M. Çajani: Unë jam studenti i gjeneratës së parë shqiptare që kam studiuar “Regji teatri dhe aktrim” në Republikën e Maqedonisë së veriut. Kam diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Dua të falenderoj dy profesorët e mi të jashtëzakonshëm që bënë të mundur që studentët shqiptarë si unë të kenë mundësinë të ndjekin ëndrrat në art dhe film: pikërisht profesorin dhe regjisorin e njohur Mehmet Xhelili nga Shqipëria dhe mentorin tim të mrekullueshëm, Qëndrim Rijanin, profesor dhe regjisor nga Maqedonia Veriore.
Të jesh pjesë e studentëve shqiptarë të brezit të parë që studiojnë për regji dhe aktrim është mjaft historike dhe e paharrueshme për mua. Unë jam mirënjohës që përjetoj rrugën artistike, të cilën e kam shumë pasion.
Pres me padurim se çfarë do më sjellë e ardhmja në aspektin profesional dhe unë jam shumë mirënjohës për dy profesorët e mi për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme dhe mësimet e jetës.
Keni shënuar një sukses tjetër me shfaqjen teatrale “Tregimin Zoologjik” (Zoo Story). Mund të na thoni më shumë për përfshirjen tuaj në këtë projekt?
Gent M. Çajani: “Zoo Story” përfaqëson jetën e njeriut të mbyllur brenda në kafazin e ndërgjegjes. Shumë pak njerëz kanë fuqinë për të qenë empatikë. Sot jetojmë në një kohë ku interesi i njerëzve mbizotëron të qenurit human dhe dashamirës ndaj njëri tjetrit. Kemi humbur sensin e jetës duke nxituar të jetojmë në një jetë luksi të influencuar nga bota dixhitale dhe ne harrojmë të jetojmë në realitet. Me të vërtetë ne njerëzit kemi vdekur përmbrenda.
E kishim shumë të vështirë t’i analizonim personazhet dhe t'i vendosnim në skenë për të treguar ndjenjën e të qenit i huaj në vendin tonë. Sepse vërtet qenia jonë është ndërlikuar shumë duke humbur sensin e të qenurit empatik.
Si regjisor besoj se kam mundur të shfaq vizionin tim artistik në skenë. Jam shumë i kënaqur me ekipin fantastik të “Zoo Story”, kryesisht Berat Mahmuti, Rrahim Ramadani dhe Granit Vela.
Për çfarë flet historia e Tregimit Zoologjik?
Gent M. Çajani: “Tregimi Zoololgjik” është shkruar nga Edward Albee, një dramaturg shumë i njohur në SHBA, i cili përfaqëson “Teatrin e absurdit”. Shfaqja flet për dy personazhe që takohen në Central Park (NY). Jerry, protagonisti i cili kishte ikur nga spitali psikiatrik dhe Peter, i cili sapo erdhi në park për të shkruar librin e tij -best seller.
Këta dy personazhe përfaqësojnë njëri-tjetrin në një pozicion shumë të çuditshëm, sepse ata përpiqen të kuptojnë njëri-tjetrin, por kjo përfundon jo mirë në fund. Jerry nuk u kuptua kurrë nga të tjerët, gjë që e bëri atë të çmendur. Ndërsa Peter, një personazh shumë konservativ, ai ikën nga shtëpia e tij vetëm për t'u qetësuar dhe për të gjetur paqen brenda vetes. Shpresoj që shfaqja të nxisi një diskurs konstruktiv për të ndryshuar kontekstin e të qenurit “I huaj” përballë jetës së përditshme.
Çfarë ndodh kur ne humbasim sensin për të jetuar? Si mund ta fitojmë lirinë, pa mos e lenduar askënd? Kush tjetër ishte pjesë e “Zoo Story”?
Gent M. Çajani: Berat Mahmuti luan Xherrin, kurse Rrahim Ramadani luan Piterin. Ne kishim edhe Granit Velën, kitaristin që e quajtëm Xhek, një i pastrehë, i cili e pa të gjithë historinë dhe shkroi një këngë për të.
Urime për shpërbilimin me çmimet e Regjisorit dhe Aktorit Më të Mirë! Si ka qenë përvoja juaj në Festivalin Ndërkombëtar Othello dhe Akt Fest Shkup? Çfarë shfaqjesh keni përfaqësuar në këto dy festivale?
Gent M. Çajani: Jamë shum i gëzuar që të marr një çmim që në fillim të karierës time, çmimin “Regjisori më i mirë” me “Zoo Story” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Othello, Maqedonia e Veriut (2020). Berat Mahmuti fitoi çmimin “Aktori më i mirë i ri” me “Zoo Story” në AKT Fest Shkup (2020).
Çfarë filmash apo shfaqjesh teatrore keni drejtuar?
Gent M. Çajani: Karriera ime artistike si regjisor filloi në vitin 2019 me shfaqjen “Tregimi Zoologjik”. Në 2021 isha regjisor i dy projekteve: “Stoned” projekt filmik që përfaqëson jetën e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan; dhe “Të mallkuarit”, një shfaqje, bazuar në një histori të vërtetë, që përfaqëson jetën e tre emigrantëve në Greqi.
Në 2022 isha regjisor i “Requiem për Musine Kokalarin”, një shfaqje teatri dokumentar, që përfaqëson jetën e Musine Kokalarit (Ikona Shqiptare), shkrimtares së parë femër në Shqipëri dhe zonjës së parë që krijoi Partinë Socialdemokrate.
Dhe në cilat projekte keni marrë pjesë si aktor?
Gent M. Çajani: Kam aktruar në filmin “The Artists Lunacy” (2018) me regji Murat Zherka, produksion “Lumiere films”, Shkup, Maqedonia e Veriut.
Keni një projekt të preferuar dhe pse?
Gent M. Çajani: Të gjitha projektet e mia janë bërë me shumë dashuri, i dua të gjitha projektet dhe bashkëpunimet e mia që kam pasur deri më tani.
A e shprehni kreativitetin në ndonjë mënyrë tjetër?
Gent M. Çajani: Më pëlqen ta shpreh artin tim në shumë mënyra. Unë pikturoj herë pas here dhe punoj si agjent shitës për një artist të madh në Evropë. Më pëlqen fotografia dhe kam marrë pjesë në ekspozita si fotograf. Unë bëj shumë gjëra duke u përpjekur të shpreh ndjenjat e mia në mënyra të tjera të të bërit art, si shkrimi i poezive, këndimi dhe udhëtimi.
Për çfarë po punoni aktualisht?
Gent M. Çajani: Aktualisht po punoj për projektin e radhës për këtë vit që do të zhvillohet në Teatër, është një shfaqje me tre personazhe “Bualli Amerikan” nga David Mamet.
Historia e karrierës
- skenar Murat Zherka – “The Artists Lunacy – (Film) – Regjia Murat Zherka – Aktor –Gent M. Çajani – Shkup “Lumiere Films” Maqedonia e Veriut.
- Edward Albee – “Zoo Story“ – (Shfaqje) – Regjia Gent M. Çajani – Tetovë.
- Best Director Award – Othello International Theater Festival – “Zoo Story” – Regjia Gent M. Çajani – Gostivar Maqedonia e Veriut.
- Best Actor Award – AKT Fest, International Theatre Festival – “Zoo Story” – Jerry –“Berat Mahmuti” – Regjia Gent M. Çajani – Shkup “Suli Han” Maqedonia e Veriut.
- Skenari Artin Selmani “Stoned” – (Film) – Regjia Gent M. Çajani – Shkup “Iprodutcion”, “Democracy lab” Maqedonia e Veriut.
- Skenar Olsa Poshka – “The Accursed” – (Shaqje) – Regjia Gent M. Çajani – Tetovë, Maqedonia e Veriut.
- “Requiem for Musine Kokalari” skenari Gjergj Jozef Kola – (Shfaqje) – Regjia Gent M. Çajani – Teatri për fëmijë dhe të rinj – Shkup.