Albspirit

Media/News/Publishing

Flaka Surroi: Debat në pakohë

Kurti thotë se deklarata e tij e pasqyron mendimin e tij për çështjen. Nuk e di, mbase edhe ashtu do të jetë, porse është deklaratë që shkon në kundërshti me Kushtetutën. Gjithashtu shkon kundër edhe Ligjit që e përcakton moshën madhore në 18 vjeç. Por shkon edhe kundër asaj që e ka deklamuar jo rrallë: mësimet e rilindësve për interesin kombëtar që qëndron para cilitdo interes tjetër. Shkon edhe kundër idesë së një shoqërie të barabartë, ku gratë do të duhej të ishin faktor po aq vendimmarrës sa edhe burrat, ndërkohë që me deklarata të tilla nuk është se jep shenja se duhet përkrahur emancipimin e mëtejmë të grave në Kosovë, duke pasur parasysh se edhe në këtë shekull, në Kosovë dominon patriarkati

Deklarata e javës, e muajit, a e vitit u dëgjua dje nga kryeministri Kurti: “Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, por duhet të jemi të lirë, mirëpo gjithashtu kam thënë që mosha 16-vjeçare duhet të jetë pragu dhe moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur dhe që do të duhej të ndodhin”.

Deklarata pasoi pasi u bë publike se ishin mbledhur mbi 18 mijë nënshkrime në peticionin për ndryshimin e udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, e i cili e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla të mesme e të larta.

Fushata nisi nga fillimi i muajit dhe kryesisht u zhvillua, ku tjetër, pos në rrjete sociale. Dhe natyrisht, degradoi shumë, sa për ta tërhequr një vijë të thellë ndasie mes atyre që insistojnë që të bartet shamia dhe të atyre që këtë nuk e duan.

Sado që organizatorët u munduan të tregojnë se kësaj fushate iu bashkuan gra e burra në kërkim të anulimit të UA-së, megjithatë ajo që mund të lexohej e të shihej qe se fushatën e udhëhiqnin burrat në emër të të drejtave dhe lirive të grave.

* * *

Pra, u nis një debat për një çështje që çmoj të jetë e rëndësisë dytësore, duke i pasur parasysh të gjitha problemet që i kemi, nisur nga shëndetësia, arsimi, energjetika, gjyqësia e plot e plot gjëra të tjera. Për shkak se debati kaloi nga çështja se a duhet lejuar bartjen e shamisë nëpër shkolla, në a duhet lejuar a ndaluar bartjen e shamisë në përgjithësi. Dhe deklarata e Kurtit, vlerësoj, nuk i ndihmoi fare këtij debati.

Gjykoj se deklarata e tij është kalkulim politik i pastër, duke e pasur parasysh se një numër jo i vogël deputetësh nga grupi i tij parlamentar mendojnë se shamia duhet lejuar gjithkund dhe se po të mos kishte pasur qëndrim nga Kurti për këtë çështje, do të rrezikohej shumica kur do t’i vinte radha votimit të ligjeve në Kuvend, e në veçanti kur të kthehet në votim Kodi Civil.

Ai thotë se deklarata e tij e pasqyron mendimin e tij për çështjen. Nuk e di, mbase edhe ashtu do të jetë, porse është deklaratë që shkon në kundërshti me Kushtetutën, e cila, do të rikujtojmë, e përkufizon Kosovën si shtet shekullar (për ç’gjë edhe Gjykata Kushtetuese e ka dhënë interpretimin), teksa e garanton bindjen fetare. Gjithashtu shkon kundër edhe Ligjit që e përcakton moshën madhore në 18 vjeç.

Por shkon edhe kundër asaj që e ka deklamuar jo rrallë: mësimet e rilindësve për interesin kombëtar që qëndron para cilitdo interes tjetër. Shkon edhe kundër idesë së një shoqërie të barabartë, ku gratë do të duhej të ishin faktor po aq vendimmarrës sa edhe burrat, ndërkohë që me deklarata të tilla nuk është se jep shenja se duhet përkrahur emancipimin e mëtejmë të grave në Kosovë, duke pasur parasysh se edhe në këtë shekull, në Kosovë dominon patriarkati.

* * *

Mbase argumentimin më të mirë në lidhje me temën e hapur në kohë shumë të pakohë (sinqerisht nuk po mundem ta përcaktoj arsyen se përse pikërisht tash hapet kjo temë) e dha miku im Lulzim Peci. Statusin e tij në FB, paksa të shkurtuar, po e qes këtu, ngase pajtohem plotësisht me atë që e ka shkruar.

Dhe e di që ata që nuk do të pajtohen me mua, do të më shkruajnë në FB dhe do të më nisin kërcënime, ashtu siç i kanë bërë Lulit këto ditë – për shkak se njerëz që dalin me këso propozime nuk durojnë që dikush të ketë mendim ndryshe, përderisa e kanë gojën plot “respektim të drejtash”.

“Shpresoj se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare – shamisë në shkolla, pasi me këtë, karakteri shekullar i vendit tonë do të goditet në themel, e me këtë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar në vendin tonë.

Së pari duhet të shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kërkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me të drejtat e njeriut, apo me atë që e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës së vogël në institucionet shtetërore? Unë jam i bindur që ka të bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit shekullar të Kosovës që do ta shkatërrojë kohezionin shoqëror të popullit tonë.

Këto çfarë po them, nuk janë hamendësime, por është një bindje e ndërtuar nga hulumtimet në terren të zhvilluara në vitet e fundit në shumë pjesë të Kosovës.

Kjo agjendë e shamikërkuesve është afatgjate dhe për cak ka gjeneratat e ardhshme, përmes transformimit të së cilave mëtohet të ndërrohet karakteri shoqëror dhe politik i vendit dhe i popullit tonë.

Ajo në thelb ka për qëllim trasimin e një agjende antiperëndimore që është në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar dhe atë që, përmes premisave të “vëllazërisë myslimane”, ta metastazojë ideologjinë e “umasë myslimane”, që tani ka marrë përmasat e një “kombi global”, që nuk i njeh identitetet nacionale të kombeve të ndryshme që kanë besimtarë islamë.

“Umaja myslimane” tanimë është duke zënë rrënjë te gjeneratat e reja. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve i konsideron më të afërt myslimanët e një vendi të largët islamik, si p.sh. Indonezia, që kurrë nuk i kanë takuar në jetën e tyre, sesa një shqiptar të konfesionit tjetër, apo një ateist.

Prandaj, duhet ta vëmë gishtin në kokë dhe të mos e shkatërrojmë të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë, që e ka arritur lirinë dhe pavarësinë me shumë sakrifica dhe me ndihmën kyç të perëndimit, aty ku e kemi edhe vendin si popull me civilizim evropian”.

* * *

Në kohën kur te ne po debatohet për shaminë nëpër shkolla, mu dje, në New York, derisa po përgatitej të mbante një fjalim, u sulmua me thikë në qafë shkrimtari indiano-britanik, Salman Rushdie, i lindur mysliman me prejardhje nga Kashmiri e tash ateist.

Rushdie e shkroi romanin Satanic Verses (Vargjet satanike) më 1988, kurse një vit më vonë, lideri i Iranit islamik, Ajatollah Homeini, e lëshoi një fetva duke urdhëruar vrasjen e tij, meqë e vlerësonte se libri i shkrimtarit e ofendonte Muhamedin.

Fetvaja, po shihet, është ende në fuqi, pas 33 vjetësh – dhe duket se dikush u gjet për ta zbatuar atë (3 milionë dollarë i shkojnë atij që ia del ta ekzekutojë Rushdien, sipas fetvasë se Homeinit). Ende nuk dihet identiteti i vrasësit në tentativë. Do të jetë me rëndësi të dihen motivet.

Rasti i Rushdiet sërish na kthen tek ajo që u përmend më herët – se ta kesh mendimin e kundërt, për shumëkënd që nuk e nuk e kupton forcën e argumentit, të shndërron në cak sulmesh e kërcënimesh në emër të Zotit dhe fesë.

Të jesh besimtar ose jo është punë personale e secilit dhe puna më e keqe që mund të ndodhë është që dikush të ta imponojë cilindo variant. Është liri e secilit të jetojë ose jo me besimin që e zgjedh ose refuzon ta zgjedhë, por është dhunim lirie kur dikush do të të bëjë si veten me imponim.

* * *

Nuk ka ditë që kur nisin argumentimet e këtij lloji nuk përsëritet fakti se shumica e popullatës në Kosovë janë myslimanë – e thonë, ndërmjet 80 e 90% janë myslimanë. Se në çfarë shifrash mbështeten, nuk e di: mbase ato të regjistrimit të popullsisë sipas të cilit Prishtina i ka vetëm 190 mijë banorë me të gjithë fshatrat. Mbase, nuk e di. Porse ka shumë të tillë që nuk e shohin veten as si myslimanë, as si katolikë apo ateistë. Thjesht janë shqiptarë.

Po ata shqiptarë që i kanë ruajtur dhe kultivuar traditat e veta dhe mbi të gjitha gjuhën. Gjuhën që e kemi vetëm ne në të gjithë botën dhe që, nëse assesi ndryshe, na veçon nga krejt të tjerët.

Se a duhet bartur shaminë apo jo?

Përderisa ky është shtet shekullar, uniformat apo simbolet fetare të cilitdo lloj nuk do të duheshin lejuar nëpër institucionet publike, në rend të parë në shkolla. Nuk do të duhej mohuar kjo e drejtë nëpër shtëpi, rrugë e institucione private shkollore, edhe pse te personat e mitur, kjo gjë mund të konsiderohet e imponuar.

Vendimi për ndalim apo lejim të bartjes së shamive, burkave, e të ngjashmëve nuk është në duart e kryeministrit. Nëse vërtet duhet të merremi me këtë çështje, atëherë adresa është Kuvendi, e më pas edhe Gjykata Kushtetuese. Deri në ndërrimin e kësaj Kushtetute që e ka përcaktuar se çfarë shteti është Kosova.

Respekt të plotë për ata që besojnë në një fuqi mbinatyrore që nuk shihet – sepse ashtu kanë zgjedhur të besojnë.

Asnjë grimë respekt për ata që i imponojnë bindjen dhe idenë e vet, përderisa t’i mohojnë tuat, madje edhe me kërcënime.

flaka@koha.net

Please follow and like us: