Një delegacion i Kongresit amerikan viziton Taivanin
Taipei, 14 gusht 2022 – Një delegacion i Kongresit amerikan mbërriti të dielën në Tajvan për një vizitë dyditore gjatë së cilës do të takohet me presidenten Tsai Ing-wen.
Kjo është vizita e dytë e nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuata që vjen mes tensioneve të vazhdueshme ushtarake me Kinën.
Pekini, që e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territor i tij, ka zhvilluar stërvitje ushtarake rreth ishullit, pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi këtë muaj në Taipei.
Ambasada de fakto e Shteteve të Bashkuara në Taipei tha se delegacioni kryesohet nga senatori Ed Markey, i cili shoqërohet nga katër ligjvënës të tjerë, si pjesë e një vizite në rajonin e Indo-Paqësorit.
Zyra presidenciale e Tajvanit tha se delegacioni do të takohet me presidenten Tsai të hënën në mëngjes.
“Në një kohë kur Kina po rrit tensionet në ngushticën e Tajvanit dhe në rajon me stërvitje ushtarake, vizita e delegacionit të kryesuar nga Senatori Markey në Tajvan, tregon edhe një herë mbështetjen e vendosur të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Tajvanin,” tha zyra presidenciale në një deklaratë.
Ministria e Jashtme e Tajvanit publikoi fotografi nga pritja e katër anëtarëve të Kongresit në aeroportin Songshan në qendër të Taipeit, pasi kishin mbërritur me një avion të forcave ajrore të SHBA-së, ndërsa Sen. Markey mbërriti në aeroportin ndërkombëtar Taoyuan.
“Delegacioni do të takohet me udhëheqës të lartë të Tajvanit për të diskutuar për marrëdhëniet SHBA-Tajvan, sigurinë rajonale, tregtinë dhe investimet, zinxhirin global të furnizimit, ndryshimin e klimës dhe çështje të tjera të rëndësishme me interes të ndërsjellë,” tha ambasada de facto e Shteteve të Bashkuara.
Megjithëse stërvitjet e Kinës rreth Tajvanit janë pakësuar, ajo ende po kryen aktivitete ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të dielën se kishte zbuluar 22 avionë kinezë dhe gjashtë anije detare brenda dhe rreth ngushticës së Tajvanit.
(Zëri i Amerikës)