Huaian, vendlindja e Çu En Lai-it
Huaian nuk është një qytet kinez shumë i njohur ashtu si Pekini, Shangai apo Guangzhou, por pikërisht prej këtu doli një personalitet shumë i famshëm në botë, kryeministri i ndjerë i Kinës, Çu En Lainjë revolucionar dhe politikan i madh. Kur u nda nga jeta në janar 1976, në selinë e përgjithshme të OKB-së në Nju Jork u ul flamuri në gjysmë shtizë për nder të këtij diplomati të madh. Çu En Lai nuk është i panjohur edhe për shqiptarët. Në vitet e ‘60-të të shekullit të kaluar, Çu En Lai vizitoi tre herë Shqipërinë. Në vitin 1964, ai importoi nga Shqipëria 10 mijë rrënjë pemë ulliri dhe mbolli vetë një prej tyre, e cila u quajt më vonë si “Pema e Miqësisë Kino-Shqiptare”.
Çu En Lai
Çu En Lai lindi në qytetin Huaian më 5 mars 1898, plot 124 vite më parë. Në këtë qytet në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, ruhet edhe sot shtëpia e vjetër e familjes Çu, ku ai u rrit deri në moshën 12-vjeçare. Pranë kësaj shtëpie, gjendet sot edhe Muzeu Përkujtimor për Çu En Lai-n. Ndërtesa kryesore e Muzeut ngjan me një tendë kau, e cila gjendet kudo në këtë fshat të provincës Jiangsu, me kuptimin metaforik për jetën e Çu En Lai-it, që do të thotë t’i shërbesh popullit deri në fund. Forma e ndërtesës me katër shtylla dhe një çati, duket edhe si një pavijon pritjeje pranë lumit në zonën veriore të provincës Jiangsu. Në vitin 1910, kur ishte vetëm 12 vjeç, Çu En Lai u nis nga një pavijon i tillë pranë Kanalit të Madh drejt Veriut të Kinës për studime. Më vonë ai mori pjesë në Revolucionin Kinez dhe qysh prej atëhere Çu nuk u kthye më në vendlindje.
Kanali i Madh
Qyteti Huaian ndodhet pranë Kanalit të Madh, lumit më të madh artificial në botë. Kjo vepër e njeriut nis nga fushat e Kinës Lindore, nga qyteti Hangzhou dhe përfundon në Pekin. Ky kanal ka luajtur një rol të rëndësishëm në transport që në kohën e lashtë, para hekurudhës dhe autostradës. Në Kinë ka dy kryevepra të lashta me famë botërore, Muri i Madh dhe Kanali i Madh. Në kohën e lashtë të dy ishin veprat më të rëndësishme të vendit, të cilat lidhen me lulëzimin dhe rënien e Dinastisë. Kanali i Madh nuk është aq i gjatë sa Muri i Madh dhe aq i njohur në botë, por ai ka gjithashtu një histori të shkëlqyer. Ai është kanali më i gjatë në botë, me një gjatësi prej 2.700 kilometrash dhe me historinë më të lashtë, prej mbi 2500 vitesh. Ai filloi të ndërtohej në vitin 486 para erës sonë dhe përshkon tetë krahina provinciale, duke përfshirë Pekinin, Tianjinin, Hebein, Shandongun, Henanin, Anhuin, Jiangsun dhe Zhejiangun. Kanali i Madh gjithashtu lidh pesë lumenj të mëdhenj, si Lumi Haihe, i Verdhë, Huaihe, Jance dhe Lumi Qiantang. Ai shërbeu si arterie e rëndësishme transporti mes Jugut dhe Veriut që nga Kina e lashtë. Më 22 qershor 2014, Kanali i Madh u përfshi në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s, duke u bërë trashëgimia e 46-të botërore e Kinës. Një nga funksionet më kryesore të Kanalit të Madh është transporti i drithërave. Fusha e Kinës Lindore, ku shpërndahen lumenj e liqene të shumtë, është vendi më i rëndësishëm i prodhimit të drithërave, që quhet edhe “vendlindja e peshqve dhe orizit”. Ndërsa Kanali i Madh, që lidh lumenjtë kryesorë të Kinës Lindore, është bërë natyrisht kanali i transportit të drithërave në Pekin të Kinës Veriore, kryeqendrën e Kinës të dinastive Yuan (1271—1368), Ming (1368―1644) dhe Qing (1636-1912). Kanali i Madh ka jo vetëm rëndësi transporti, por edhe politike, ekonomike dhe ushtarake.
Qyteti Huaian
Vendlindja e Çu En Lai-t, Huaian, ndodhet pranë Kanalit të Madh. Emri “Huaian” në gjuhën kineze ka kuptimin si siguria e Lumit Huaihe. Nga ky emër kuptohet se Huaian ndodhet edhe pranë lumit Huaihe. Pra, ky qytet ndodhet në udhëkryq mes lumit Huaihe dhe Kanalit të Madh, duke shërbyer si një nga katër nyjet më të rëndësishme për transportin ujor përgjatë Kanalit të Madh (tre të tjera janë Suzhou, Hangzhou dhe Yangzhou). Në dinastitë Ming dhe Qing, rezidenca e guvernatorit të transportit të drithërave të mbarë vendit, u vendos në Huaian. Kështu ky qytet u bë qendra e anijeve të drithërave për rreth 400 vite, duke u titulluar “kryeqendra e Kanalit të Madh”. Në Huaianin e sotëm ka dy kanale, njëri është kanali i lashtë dhe tjetri, kanali i ri. Ky i fundit funksionon për transport, ndërsa kanali i lashtë shërben si pikë turistike. Në dinastitë Ming dhe Qing porti Qingjiangpu kishte pazarin më të lulëzuar përgjatë Kanalit të Madh, por edhe magazinat kombëtare të drithërave, fabrikat e anijeve dhe shumë institucione zyrtare. Deri në mes të dinastisë Qing (rreth viti 1800), Huaian ishte në kulmin e shkëlqimit. Më vonë lumi i Verdhë në veri ndryshoi rrjedhën, duke lënë më pak ujë për pjesën veriore të Kanalit të Madh. Vëllimi i pakësuar i ujit e detyroi qeverinë e dinastisë Qing të provonte transportin detar. Drithërat, nga rrjedha e poshtme e Lumit Jance, u ngarkuan me anije në Shangai dhe u transportuan përmes detit deri në Tianjin, qytetin bregdetar në veri të Kinës. Transporti detar shpenzon më pak kohë dhe ka koston më të ulët, kështu që qeveria hoqi dorë nga transporti përmes Kanalit të Madh më në fund. Sot zona rreth portit Qingjiangpu është shndërruar në “Korridorin e Kulturës së Kanalit të Lashtë”. Megjithatë, Kanali i Madh është sërish një nga linjat lumore më të ngarkuara në botë. Vëllimi i transportit të mallrave radhitet në vendin e dytë në Kinë, pas Lumit Jance.
Kuzhina “Huaiyang”
Duke folur për qytetin Huaian, nuk mund të mos përmendet kuzhina “Huaiyang”, një ndër katër kuzhinat tradicionale të Kinës (tre të tjera janë “Lu”, “Chuan” dhe “Yue”). Të katër kuzhinat janë emërtuar me vendin e tyre. Kështu “Huaiyang” është bashkimi i “Huaian”-it dhe “Yangzhou”-ut. Të dyja janë qytete pranë Kanalit të Madh, i pari pranë lumit Huaihe, ndërsa tjetri përfaqëson rrjedhën e poshtme të lumit Jance. Kuzhina “Huaiyang” titullohet si “Shija më e mirë në Juglindjen e Kinës”, falë materialeve të freskëta dhe mjeshtërisë së përsosur të kuzhinës. Materialet për kuzhinën “Huaiyang” janë kryesisht produktet ujore, shijet janë të buta, të freskëta dhe pak të ëmbla. Mënyrat e gatimit përfshin zierjen me ujë ose pa ujë për një kohë të gjatë ose të shkurtër, zierjen me avull, fërgimin etj. Kyçi i gatimit është kontrolli i zjarrit, d.m.th., zjarri i madh apo i vogël, për një kohë të gjatë apo të shkurtër. Gatimet përfaqësuese të kuzhinës “Huaiyang” përfshijnë qofte të mëdha të ziera me të verdhën e gaforres, mish pule i zier e i copëzuar me proshutë dhe me djathë soje të thatë, kompleksi i rosave, ngjalë e fërguar, mish derri kristal, peshku në formë ketri etj. Kuzhina “Huaiyang”, me shijen e butë dhe harmonike, është e pranueshme gjerësisht. Kryeministri Çu En Lai e përfshiu shpeshherë kuzhinën “Huaiyang” në menunë e banketeve kombëtare. P.sh., në banketin e ceremonisë së shpalljes së Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, gatimet kryesore ishin nga kuzhina “Huaiyang”.