Bledar Koçi: LAMTUMIRA E TË DASHURUARVE
Më the “Do të hidhem përtej horizontesh
Matanë oqeanesh të egër, pa kthim”.
E unë ç’do të pres i humbur pas motesh,
Me diejtë që vrapojnë në muzgje agim?!..
Ky makth do më trembë në netët pa gjumë,
Një bregu të ashpër do shkrihem në lotë,
Me sy të përpirë prej dallgësh me shkumë
Një shprese që zhytet e s’mbytet në mort.
Atje ku të jesh, mendimet s’do shterin,
Ç’le pas, dashuritë dhe ndoshta dhe mua,
Si thika në palcë kujtimet do therin
Se unë do të jem në dhimbjet e tua…
Në ardhsh ndonjëherë e lodhur e plakur
Pas vitesh të rënda të gjata mërgimi,
Ti eja tek unë, njëherë, përmallur…
Më laj mbi mermer me lotë pikëllimi.
Dhe folmë mbi pllakë fytyrës së mekur,
Mërzitjen ma hiq nën hijen e blirit.
Do qesh përsëri, e s’jam më i vdekur
Feniks do të ngrihem nga gjurmët e hirit.
Please follow and like us: