Albspirit

Media/News/Publishing

Desh rashë në grackën e “konspiracionit”!


( sguraziu – g 22 – me 1 “guraziu” më tepër, kurrë s’bëhet tepër… )

Mjaft nga shkrimet e mia në Alb-Spirit (anise s’janë publikuar kund, depozituar në blog-fletoren personale – siç e quaj vetë) i kanë datat më të vjetra, herë 2021 -20 -19 -18 e mbase dhe më të hershme. Për t’u orientuar sadopak (ashtu sa për vete, për të ditur se çfarë i kam nisur redaksisë) më herët pata kërkuar në Alb-Spirit, mirëpo s’më dilnin.

Nuk shfaqeshin, përveç ndoshta 14-15 sosh. Pandehja se do duhej t’ishin më shumë, sëpaku nja 30 – thosha mëvete. E kjo ndodhte sepse shënoja emrin e plotë “senad guraziu” ose “s. guraziu”. Sipas meje ashtu do duhej të dilnin të gjitha, meqë “guraziu” (si term që i nevojitet makinës kërkuese) nuk mungonte. Në 2-3 raste e pata lënë, pa më vajtur fare mendja tek “zhgënjimi”… o diç e ngjashme, assesi jo.
Sot, duke qenë mbase më i kthjelluar nga mendja, e provova vetëm “guraziu”, dhe për çudi, voilaaa… sakaq u vargëzuan 3-4 faqe me dhjetra postime, dolën të gjitha që nga i pari, postuar 7-8 muaj më herët, në Janar 2022.

Hm… mos vallë makina kërkuese ma bënte me “hile”! Shpëtova… ama desh rashë në grackën e “konspiracionit”, kjo sëmundje moderne. Ndoshta nuk dilnin sepse varet si është konfiguruar çështja e kërkimit nga tekniku i faqes – e justifikova mosdijen time. Sa për vramendjen “konspirative” (së cilës, falë zotësisë, megjithatë iu shmanga), e ç’faj kisha i ngrati. Psh. ajo e Google aq shpesh na e bënë me “hile”, apo jo. Kërkojmë diç të Shkupit dhe na i hedh 1 milionë gjëra që s’na duhen të Shkodrës, gjoja sikur s’e paskemi “mprehur” termin e kërkimit aq mirë. Edhe me “hile”, edhe të gjitha fajet neve…

Le t’jetë si të jetë, ja tani gjithçka në rregull. Duke shënuar vetëm “guraziu” rezultatet e gjetjes u “përzien” me postimet e z. Filip Guraziu, ama kjo s’më prishte gjë punë. Me 1 “guraziu” më tepër, kurrë s’bëhet tepër për t’i gjetur gjërat që na duhen. S’kanë si ngatërrohen as makina kërkuese dhe as “hesapet” e Internetit. Për fat (kuptohet, herë të mirë e herë të keq) nuk është mbiemër dhe aq i popullarizuar. Me sa di unë përveç shkodranëve dhe aty-këtu rrotull Shkodrës, s’e përdor kush në Shqipëri : )

I kopjova postimet si “screen”, në një faqe të vetme, bëhet kjo me ca klik-ime, e lehtë është. Kështu do ta di saktë se çfarë s’duhet t’i nis redaksisë. Sikur që e lehtë pastaj t’më binte në sy se nga 60 postime gjithsej, rreth 30 sosh qenkan kategorizuar në rubrikën “Art”, dmth. gjysma. Fort bukur kjo. Ndërsa gjysma tjetër në rubrikat “Bota”, “Dossier” dhe “Politika”. Them se dhe kjo gjysma tjetër fare pak “merren” me politikat (ok, ndoshta pakëzzz… sipërfaqësisht, por jo mirëfilli).

Herë do jenë komente shkurt-ologjike e herë opinione shaka-logjike, zor se “përputhen” saktë për t’i futur në asnjërën nga “dosjet”. Por meqë revistat e gazetat ashtu-kështu s’mund t’i kenë nga 1001 rubrika, e qartë që redaksia s’ka patur si t’ia bëjë. Ç’të them tjetër përveç se ngelem mirënjohës që megjithatë janë strehuar diku, sa më afër “përputhjes”.

Faleminderit redaksisë, qëkur ndër postimet (le t’them diskursive) ndodhen dhe ato imagjinative, dmth. krijime (vjersha, poezi, humoreska etj), i bindur jam se postimet e mia do kenë patur “shansin” më shumë se askund tjetër të pikasen nga vizitorët, eventualisht dhe të lexohen. Thjesht për faktin e thjeshtë që s’ka si lexohet diç… nëse nuk publikohet. Qoftë fjala për publikim tradicional, shtypur a printuar, qoftë për publimet virtualisht.

Please follow and like us: