Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: ´Vrasja’ e Korridorit të 8-të, si krim i dyfishtë

Një nga prioritetet e zhvillimit ekonomik në një vend si Shqipëria është, pa diskutim, turizmi si element që trumbetohet me të madhe nga qeveria. Por, që të kesh një turizëm të mbarë është e nevojshme një infrastrukturë e parametrave të lartë çka mundëson arritjen në destinacion shpejt dhe me sa më pak risk. Sigurisht, që infrastruktura rrugore ka aspekte shumë funksionalë, sikundër transporti i mallrave transit, mallrave dhe prodhimeve vendase nga njëri cep i vendit në cepin tjetër, që janë po aq të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Për fat të keq, Shqipëria, edhe pse një vend i përmasave të vogla krahasimisht me shtete të tjera, vuan ende një infrastrukturë që i mungon vizioni dhe logjika lidhëse e artereve rrugore, thënë ndryshe akseve nacionalë. Për pasojë, duhet shumë kohë e mund për të përshkuar rrugë me distanca relativisht të shkurtra. Një ndër akset që do t’i jepte Shqipërisë nja qasje të fuqishme si në kuadrin e transportit transit të transporteve ndërkombëtarë, por edhe në aspektin e qarkullimit të brendshëm është dhe i shumëpërfoluri Korridori i 8-të, i cili vijon të ‘vritet’ pa mëshirë. Edhe pse në kontekstin gjeografik dhe gjeopolitik Shqipëria konsiderohet si porta hyrëse dhe lidhëse e Perëndimit me Lindjen, realiteti është dëshpërues. Kjo Portë, kjo urë lidhëse për fat të keq nuk funksionon. Dikur e njohur si Via Egnatia, një nga akset më të rëndësishme në mijëvjeçarë, papërgjegjshmëria qeverisëse e ka degraduar në një çark që të çon në askund. Portat reale hyrëse të një vendi si Shqipëria janë portet, aeroportet e më pas pikat kufitare me shtete fqinjë. Portet kryesore të vendit janë ato të Durrësit dhe Vlorës, ndërsa ai i Shëngjinit dhe Sarandës, janë lënë thuajse pa peshë si në aspektin e përpunimit të mallrave apo edhe pasagjerëve. Ndërkohë që katrahura më e fundme me portin e Durrësit, rrezikon ta lejë vendin pa portin më të madh në rajon të përpunimit dhe transportit të mallrave. Ende, ky port është thelbësor për transitin e mallrave drejt Kosovës e përtej, drejt Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Turqisë. Kjo e fundit është edhe gjurma e Korridorit të 8-të. E këtu, gjerat janë mjerim total. Volumet e shkëmbimit tregtar me Turqinë, Bullgarinë, Greqinë, sipas INSTAT, por edhe me Maqedoninë e Veriut janë në parametra shumë të lartë dhe të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, si në importe ashtu edhe eksporte. Nga Durrësi deri në Rrogozhinë kemi një rrugë relativisht me parametra të lartë, ndërkohë që nga Rrogozhina në Elbasan, këto parametra ulen ndjeshëm, për të arritur në një rrugë krejtësisht jashtë standardeve më minimalë, Elbasani-Qafë Thanë apo deri në Korçë. Po kështu, edhe qasja nga aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza deri në Elbasan ka një aks rrugor të parametrave të lartë, por deri këtu. Askush nuk mund të kuptojë se si ka mundësi që 30 vite nga rënia e komunizmit nuk është menduar, pa le më të vihet në zbatim, krijimi i një by pass-i, i cili do të mundësonte qarkullimin jashtë qytetit të Elbasanit. Jo si ekspert, por thjesht si përdorues mjeti, kushdo konstaton se gjatë ditës nga rreth rrotullimi hyrës që vjen nga Tirana dhe Rrogozhina, deri në daljen nga qyteti Elbasanit duhen mesatarisht 30 minuta dhe maksimalisht, në momentin e pikut deri në 50 min. Në këtë ‘aventure’ qytetase, qershiza mbi tortë është kryqëzimi i Elbasanit me Cërrikun, që në rastin më të mirë, mund të quhet edhe turp kombëtar. E më pas odiseja e vijon me shtegun e dhive që kalon përmes Librazhdit, Përrenjasit, si një test natyror për menaxhimin e zemërimit apo durimit njerëzor. Në vijim, merr pak zgjerim në Qafë Thanë e deri në Pogradec. Aksi Qukës-Qafë Plloçë, është shndërruar në pëlhurën e Penelopës, i cili gëlltit fonde pa fund ditën, për t’ i zhdukur në drejtim të paditur natën. Sigurisht, pa aksin kryesor Elbasan-Qafë Thanë, edhe i përfunduar të ishte, ky segment pak do të ndikonte në cilësinë dhe shpejtësinë e udhëtimit në tërësinë e tij, por të paktën të përfundonte pasi ka impakt të madh në zhvillimin e zonës së Mokrës e zonave të tjera përreth. Në Pogradec, pasi kalon të famshmin tunel panoramik përballesh me një ‘quiz’ alien se nga duhet të kalosh për të hyrë në qytet. Një formë rreth-rrotullimi jashtë çdo parametri rrugor dhe logjik, një burim permanent aksidentesh. Çuditërisht, shumë kokëfortësisht, askush nuk merr mundimin të ndërhyjë pavarësisht reagimeve të ekspertëve apo qytetarëve. Të paktën, këtu ekziston një mini-unaze për mjetet e rënda, e cila rihyn sërish në të dalë të Pogradecit, në një rrugë tejet të ngarkuar. Pason e famshmja Qafa e Plloçës, si një version fundor ‘çlodhjeje’. Dhe ky shteg dhish, i konsideruar aks nacional, përshkohet çdo ditë nga qindra kamionë të tonazhit të lartë e të gjatë, autobusë dhe qindra autovetura. Një mini by pass, ekziston të paktën në hyrje të Korçës, i cili të çon në Kapshticë, më një rrugë që përmban më shumë kufizime se lejime shpejtësie dhe, sigurisht, që nuk mund të kuptohet pa kaluar thuajse mes përmes qytetit të Bilishtit, si sprove e fundit e sistemit nervor për këdo që ka zgjedhur të shkojë në Greqi nga ky aks.
Gjatësia e aksit rrugor Tiranë–Korçë është 162 km, por duhen 2:45 minuta deri në 3:15 minuta për ta përshkuar, nëse je me fat dhe nuk ndesh në mjetet e tonazhit të lartë apo autobusët. Shpejtësia më e madhe e lejuar në shumë pak kilometra është 80 km në orë, ndërsa pjesa tjetër varion nga 30 deri 60 km në orë. Dhe këtë, ne guxojmë dhe e quajmë aks nacional. Ndërkohë, nga Durrësi deri në Qafë Thanë, distanca është 142 km, por kërkon pak a shumë të njëjtën kohë udhëtimi. Dhe kohët e cituara më sipër vlejnë për autoveturat se mjetet e transportit të mallrave u duhet shumë më tepër kohë. Referimi për numrin e lartë të aksidenteve nuk është i nevojshëm pasi, nga sa më sipër, kuptohet lehtësisht. As shembjet e shtratit të rrugës apo rrëshqitjet e dherave nuk ka nevojë ti referosh sepse e ndesh në edicion informative në çdo moment reshjesh. Pas 30 vitesh nga rënia e komunizmit, ku të marrët e kohës kishin frikë nga autostradat se uleshin avionët armiq, të marrët e postkomuznimit po tentojnë të mbyllin edhe portat hyrëse të Shqipërisë që aq bujarisht ia ka falur Zoti.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes! Ana tjetër, ajo që përben edhe krimin e dyfishtë është se mungesa totale e investimeve në këtë aks penalizon gjithë Juglindjen e vendit nga Pogradeci–Korçë–Kolonjë-Leskovik. Nuk ka nevojë të thuhet për vendin e rëndësishëm të prodhimeve bujqësore dhe në ekonominë vendit që ka kjo zonë pas Myzeqesë, por edhe sa i takon zhvillimit të turizmit. Imagjinoni nëse do të kishte një Via Egnatia apo një Korridor të 8-të, të parametrave europianë se sa i lartë do të ishte fluksi i turistëve vendas nga Tirana e Elbasani drejt Pogradecit dhe Korçës apo edhe Berati e Lushnja. Imagjinoni se sa do të ishte fluksi i lëvizjes nga Maqedonia e Veriut, por edhe zonës së Follorinës e Kosturit drejt bregut të Jugut nëse dikush qoftë edhe për një moment do të kishte menduar të lidhte këtë korridor me aksin tjetër nacional Kolonjë – Uji Ftohtë Tepelenë.
Vetëm kështu do të merrnin vlerën reale edhe akset e sapo hapura Gjirokastër-Sarandë apo nga Tepelena drejt Qeparoit. Vetëm kështu Pogradeci dhe Korça do hynin organikisht dhe qëndrueshmërisht në hartën turistike vendase dhe atë të huaj, pasi do të ishte një udhëtim jo më shumë se 1:30 minuta dhe pa asnjë rrezik. Por, mesa duket shqiptarët janë të detyruar të vuajnë në forma sizifiane për të vizituar vendin e tyre. Sa për tranistin dhe peshën gjeopolitike, me këto parametra është utopi. Fatkeqësisht, po i njëjti qëndrim vrastar është edhe sa takon aksit Durrës-Morinë, Tiranë-Morinë apo Durrës-Shkodër e Tiranë Shkodër. Përllogaritjet e rritjes së kostove të mallrave dhe ushqimeve, konsumit të karburantit, konsumit të mjeteve, kohës së humbur lehtësisht merren me mend. Pandemia apo lufta në Ukrainë, treguan qartë se sa e rëndësishëm është ndërtimi i këtyre akseve rrugorë dhe linjës hekurudhorë, pasi Korridori i 8-të krijon hapësira pafund për të lidhur aksin Qafë Thanë-Korçë-Selanik, duke i dhënë një dinamikë të jashtëzakonshme transportit transit, por edhe qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve me bashkimin në të paktën dy pika me Korridorin e 10-të. Aksi rrugor Selanik-Kapshticë është përfunduar prej shumë vitesh. Një distancë rreth 230 km, para 70 km më shumë se Tiranë-Korçë, që përshkohet për 2 ore, me një shpejtësi mestare lëvizjeje 100-130 km në orë. Nëse nuk lidhen një orë e më parë këto pika Perëndim-Lindje-Juglindje, Veri-Lindje-Juglindje, padyshim që kemi dështuar ekonomikisht dhe gjeopolitikisht dhe rrezikojmë të humbim përgjithmonë rolin si portë dhe urë lidhëse mes Perëndimit dhe Lindjes, për rrjedhojë të humbim pozicionin dhe rolin kyç që na ka dhuruar natyra e që, disa shqiptarë po ja mohojnë Shqipërisë me apo pa dashjen e tyre!
Please follow and like us: