Albspirit

Media/News/Publishing

Ardit Gjebrea: Mbi shamitë dhe protestën në Himarë!

Tani që është kohë pushimesh, kemi edhe kohë te lexojmë lajme e komente, reagime për gjithçka ndodh rreth nesh.

Më tërhoqën vëmendjen dy lajme me reagimet përkatëse: I pari bënte fjalë për një projektligj për lejimin e shamive për vajza dhe gra në shkolla dhe institucione, mesa kuptova në moshën mbi 16 vjeç, në Kosovë.

Lajmi i dytë bënte fjalë për një protestë në Himarë në lidhje me pronat dhe që fjalimet ishin mbajtur edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën greke.

Reagimet për lajmin e parë shiheshin si një ngadhënjim i islamizmit, ndërsa i dyti si një rikthim të protagonizmit grek në Himarë.

Nga se kemi frikë?! Përse të dyja rastet të mos shihen si bashkëjetesë në harmoni? Mendoj se mungesa e sigurisë së individit për çka përfaqëson sjell edhe këto reagime. Nëse një familje është e qartë në edukimin fetar të çdo anëtari dhe me bindje e pa imponim besimin e ushtron si një ushqim për shpirtin, nuk mendoj se ka rrezik.

Jemi në vitin 2022 dhe dinamika e jetës ndryshon prej evoluimit të ngjarjeve dhe sjelljeve ndaj fenomeneve që sjell koha. Thuhet që me kohën, gjithçka shkon në vendin e vet. E nëse shkon gabim? Jepi kohës kohë që të rikuperohet e të shkojë aty ku duhet. E nëse gabimi është fatal? Përsëri meqë jam vetë në besim, besoj se Zoti vendos gjithçka në vend në momentin që Ai e di!

Unë jam për respekt ndaj tjetrit, të besimit, etnisë… dhe dënoj shfrytëzimin e tyre për politikë apo përçarje, për urrejtje apo dhunë, për imponim apo përjashtim, mbi të gjitha dënoj sjelljet dhe veprimet ekstremiste të çfarëdolloj natyre.

Kush është i sigurtë në çka është, nuk ka frikë nga tjetri që është i ndryshëm. Është kaq bukur të bashkëjetosh, ta respektosh dhe ta bësh tjetrin të ndihet mirë. Më pas, secili në punë të vet, në familjen e vet!

A nuk është Zoti një?! Ç’rëndësi ka si e quajmë! A nuk është njeriu një? Ç’rëndësi ka ku jeton, i çfarë race është e çfarë gjuhe flet. Thjesht pranoje… nëse me dashuri, më mirë për të dy!

Please follow and like us: