Emine S. Hoti: Festivali poetik i zemrave të bukura
Përjetime nga festivali i poezisë “Guri i Plakës” – VI
“Eh, o Dardania ime,
Me ty eci në jetë, me ty ëndërroj,
Ti je tokë e shenjtë shqiptarie,
Te rrënjët e tua marr frymë dhe jetoj”.
Emine S.Hoti
Festivali i poezisë “Guri i plakës” – VI, i organizuar nga Art Club “Rifat Kukaj” në Drenas, u zhvillua më 12. 08. 2022. Ndodheshin dhjetëra pjesëmarrës, kryesisht poetë nga Kosova, nga Shqipëria (Durrësi, Vlora), por edhe nga mërgata, nga Suedia, Norvegjia, Italia. Ky festival iu dedikua krijuesve të mërgatës shqiptare nëpër botë. Festivali kishte karakter garues, ku në përfundim u ndanë edhe tri çmime për poezitë më të mira, si dhe çmimi për krijuesin nga diaspora për vepër jetësore dhe kontribut në kulturë dhe art.
Përmbajtja e Festivalit
Izet Abdyli, e nisi kështu fjalën e tij:
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur mërgimtarë, dashamirë të artit!
Mirë se vini në edicionin e VI – të Festivalit të Poezisë “Guri i Plakës”! Vitet po rrëshqasin dalëngadalë dhe ky manifestim tashmë tradicional ka fituar formë dhe fizionomi, standarde të një manifestimi serioz, që në vete mbart prezantimin e vlerave kulturore në art, letërsi, muzikë dhe etnografi. E veçantë e këtij manifestimi është se u dedikohet krijuesve të mërgatës sonë. Edhe këtë vit do të kemi orën letrare, ku krijuesit do të deklamojnë poezitë e veta, të cilat i kanë dërguar në konkursin letrar. Kriter i konkursi ka qenë që poezitë të dërgohen me shifër dhe si të tilla i janë dorëzuar jurisë. Juria ka në përbërje: Mustafa Hoxha, kryetar; Xheladin Mjeku dhe Rrahim M. Sadiku, anëtarë. Do të ndahen tri çmime për poezitë më të mira dhe çmimi për krijuesin nga diaspora për veprën jetësore dhe kontribut në kulurë dhe art. Pjesë e manifestimit do të jetë edhe aktiviteti nga trashëgimia kulturore, përkatësisht ekspozita e fotografive të Kullës së Abdyl Agës e përgatitur nga Xhemile Abdyli Nishori, objekt ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore nga MKRS, si dhe ekspozita me veshje tradicionale të krijueses Emine S. Hoti. Ky manifestim do të begatohet edhe me disa pika muzikore nga SHKA “Shotë Galica” nën udhëheqjen e doajenit të këtij Ansamblit z. Shaqir Hasi.
Urojmë të kaloni çaste të bukura në këtë ambient të mrekullueshëm! Shfrytëzojë rastin të falënderojë edhe pronarin z.Mendim Ismaili për mirëkuptimin që të na lejojë këtë hapësirë në këtë kohë kur frekuentimi i mysafirëve është i madh.
Argëtim të këndshëm!
Emocion, krenari dhe frymëzim
E konsiderova veten të privilegjuar sepse po merrja pjesë në një festival poetik të vendit tim, ku jam rritur dhe kam kujtimet më të bukura të fëmijërisë dhe të rinisë, e ku 54 vite më parë mësoja në shkollën tonë “Dritan”, me shoqe dhe shokë, motra dhe vëllezër, disa prej të cilëve i falën jetën e tyre lirisë. Ndodhesha në vatrën më të zjarrtë të lirisë, ku bijë nga më të mirët e kësaj treve heroike, janë sakrifikuar edhe në shekuj e në dekada, e sidomos në luftën e fundit çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e SHBA dhe NATO, i gjithë populli i Kosovës ia arriti fitores mbi pushtuesin gjakatarë serb, duke e çliruar përgjithmonë truallin e shenjtë dardan.
Nderim për poetin, prozatorin, dramaturgun, përkthyesin Rifat Kukaj
Festivali zhvillohet në nderim të Rifat Kukajt (1939 -2005), poet, prozator, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe për të rritur. Ai ka lindur në Tërstenik të Drenicës dhe studioi Normalen e Prishtinës. Ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës, ka redaktuar libra për fëmijë të shtëpisë botuese “Rilindja”, ka përkthyer letërsi për fëmijë nga autorë sllovenë, kroatë, serbë e hungarezë, por edhe ka botuar shkrime në shumë gjuhë.
Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama. Rifat Kukaj kontribuoi në afrimin e krijimtarisë letrare, sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe ndihmoi autorë të shumtë të rinj…Ky festival, tashmë është bërë i mirënjohur për nivelin e organizimit dhe të përmbajtjes, për pjesëmarrjen dhe veprimtaritë që zhvillohen, për vlerat letrare dhe artistike që aty prezantohen.
Festivali zhvillohet në një trevë legjendare
Cilido që merr pjesë në këtë festival, si dhe në evenimente të tjera shqiptare, natyrisht që kujton me respekt të madh dhe me nderim sakrificat dhe heroizmin popullor kundër pushtuesit serb; gjithkush sjell në kujtesë aktin heroik të heroit tonë legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjen Jashari, por dhe ata qindra dhe mijëra të tjerë vajza dhe djem, që në lulen e rinisë dhanë jetën, u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë. Historia dhe kombi do t`i mbajë ata kurdoherë në panteonin e nderit. Ata janë të njësuar në gjakun e popullit shqiptar, janë në zemrat tona, janë në historitë dhe legjendat, në monumentet dhe librat tanë, në këngët tona, janë edhe në poezitë tona. Sot e gjithmonë!
Kujtimi dhe veprat e tyre do t`iu përcillen brezave me nderim dhe respekt të thellë. Kështu është e gjithë Kosova, kështu ka qenë dhe mbetet i gjithë trualli shqiptar, kudo ku jetojnë shqiptarët, të cilët të parin kanë atdheun, flamurin, gjuhën shqipe dhe kombin.
Emocione të një mërgimtareje
Emocionet nuk i përmbaja dot në këtë festival, edhe sepse vija me mallin e një mërgimtareje nga diaspora, ku jetoj prej 34 vitesh në Norvegji. Jetoj mirë ekonomikisht, por Kosova më mungon, vendlindja më mungon, fushat, malet, kodra, lëndinat, burimet, krojet dhe lumenjtë; më mungon shkolla shqipe, populli i mrekullueshëm, motrat dhe vëllezërit, prindërit që jetojnë të pashkëputur asnjëherë nga vendlindja. Më mungon gjithçka e vendit tim. Nuk mund t`i përmbajë emocionet, edhe sepse erdha jo vetëm me poezitë e mia në këtë trevë të artë dhe legjendare, por sepse ekspozova me emocion dhe me shumë dashuri e përgjegjësi punimet e mia të veshjeve kombëtare të punuara dhe të dizenjuara nga unë vetë, si për fëmijë dhe për të rritur, për vajza dhe për djem… Ndihesha krenare që punimet dhe qëndisjet e mia përbënin një sfond të veçantë të atij festivali, por dhe i jepnin një kuptim të plotë vlerave të atdhetarizmit, pasi ato ekspozonin veshje tipike e simbolike kombëtare, të zbukuruara e të qëndisura me motive të ngjyrave kuq e zi, të shqiponjës, por dhe zbukurime që i kanë bërë gjithnjë këto veshje rrëzëllitëse dhe tërheqëse, jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për të huajt që i kanë parë, madje kanë shprehur dëshirën t`i veshin ato siç më ka ndodhur shpesh herë edhe në Suedi e Norvegji me njerëz të thjeshtë, por dhe me autoritete të atyre vendeve, ndërkohë që gjithkush nga ne sjell në kujtesë poetin e madh me famë botërore Lord Bajronin, i cili ka pozuar përpara piktorit me kostumin kombëtar shqiptar. Dhe mund të them plotësisht e sigurt dhe e bindur se ajo veshje i shkon atij poeti botëror më shumë se asnjë veshje tjetër. Ky moment ishte lajmëruar edhe në programin e festivalit, ku mes të tjerash shkruhet se “Gjatë këtij manifestimi do të prezantohet edhe ekspozita e etnografike e Emine Hotit”…
Dashurinë për mëmëdheun unë e shpreh edhe me dhurimin e veshjeve kombëtare
Përgatitja e veshjeve kombëtare është tashmë një traditë dhe zakon imi. I dizenjoj, i qep dhe i qëndis veshjet kombëtare shqiptare por dhe i dhuroj ato ku të mund në diasporë. Dua që, kudo që janë në mërgim, vajzat dhe djemtë shqiptarë të paraqiten me ato veshje kombëtare, në ngjarje të shënuara, duke i veshur t`i bëjnë ato të njohura tek popujt e tjerë si vlera të rralla të etnografisë kombëtare shqiptare, dëshiroj që me ato veshje fëmijët dhe të rinjtë në mërgatë të këndojnë dhe të kërcejnë njëlloj si të jenë në Prishtinë, në Tiranë apo në çdo trevë tjetër shqiptare. Ndaj i kam shpërndarë ato veshje, i kam dhuruar ku më janë krijuar mundësitë: në Norvgjegji, te shoqata shqiptare”Nënë Tereza”, në Suedi, te shoqata kulturore shqiptare “Migjeni”, te disa shoqata shqiptare në Itali, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të zi, e sidomos në Kosovë e Shqipëri, pa harruar këtu disa shkolla e qendra kulturore të fëmijëve në Drenicë e Has, por dhe në Tiranë, në Librazhd etj.
Emocione të veçanta kam pasur kur i kam dhuruar këto veshje kombëtare në ish-shkollën time “Dritan”, ku nxënësit tashmë këndojnë dhe kërcejnë lirisht dhe me krenari me ato veshje, ndryshe nga koha kur unë isha atje nxënëse dhe ku visheshim me kostume kombëtare në festa dhe aktivitetet që zhvilloheshin fshehurazi për shkak të represionit dhe ndalimit që na bënte pushtuesi. Mbaj mend që, atëherë e siguronim me vështirësi edhe veshjen, edhe flamurin, të cilat një grua në fshatin tonë i qepte dhe na i jepte me dëshirë… E ku nuk kam dhuruar nga këto veshje, kudo ku kam mundur dhe kudo kam fituar respektin dhe falënderime të shumta, të cilat për mua kanë qenë shpërblimet e dhuratat më të bukura që më janë bërë në jetën time. Kështu ndodhi edhe në këtë festival poetik, ku krahas poezive të recituara, unë ekspozova dhe kostumet kombëtare të qepura dhe të dizenjuara posaçërisht.
Eh, çfarë kënaqësie përjetoja kur shihja respektin dhe gëzimin në sytë e pjesëmarrësve, falënderimet e tyre, fjalët inkurajuese dhe përgëzimet që më jepnin banorët e trevës së Drenicës, të vendlindjes sime të shtrenjtë. I dhurova aty 9 palë veshje kombëtare shoqatës “Shotë Galica”, për ansamblin e tyre, që zhvillon veprimtari aq të bukura dhe mbresëlënëse. I dhurova veshje kombëtare edhe lokalit, ku u mbajt festivali, për respektin që ata tregojnë për kulturën dhe artin; i dhurova veshje edhe disa mërgimtarëve…Janë këto dhurata nga zemra ime, nga respekti dhe dashuria që unë kam për artin e madh të veshjeve tona popullore e kombëtare… Kështu kam vepruar dhe kështu do të veproj gjithnjë, do të krijojë e do të dhurojë. Është më e pakta që mund të bëj për të kontribuar edhe unë për atdheun tim, për njerëzit e mi, për atdhetarët e vërtetë që e duan dhe kanë sakrifikuar për kulturën, për gjuhën, për traditat tona të shenjta.
Kam shkruar edhe në libra të mi për festivalin në “Gurin e Plakës”, kam shkruar për Drenicën time heroike, kam shkruar për këtë trevë, me histori luftërash dhe betejash të rrepta me pushtuesit, ku qindra e mijëra luftëtarë kanë shkruar historinë me gjakun dhe heroizmin e tyre, duke dhënë jetën e tyre për atdhe, për liri, për pavarësi, për gjuhën e bukur shqipe, për traditat dhe flamurin shqiptar, për trashëgiminë tonë kulturore…
Guri i Pakës
Guri i Plakës është një gur i madh që ndodhet në fshatin Dritan, të Drenasit, atje, rrëzë masivit malor të Çyçavicës, konsiderohet monument natyror me karakter gjeomorfologjik.
Mespërmes gurit kalon hekurudha dhe treni i Fushë Kosovë-Pejë. Guri nuk ka qenë si është sot, ai ka qenë i plotë, por kur u ndërtua hekurudha (1936) e kanë ndarë në dy pjesë që mespërmes tij të kaloj treni.
Thuhet se në afërsi të atij guri, dikur, ka banuar një familje me dyzet anëtarë. Serbi i vrau të gjithë anëtarët e asaj familjeje dhe mbeti vetëm plaka me dy nipa. Ajo i merrte të dy nipat dhe bashkë me bagëtitë, delet, dhitë, qëndronin pranë gurit sepse vendi aty rreth e qark ka qenë lëndinë e bukur dhe kishte bar për bagëtitë. Aty plaka i rriti nipat, por, një ditë, ajo u rrëzua nga guri dhe humbi jetën…Që atëherë, gurit i ka mbetur emri “Guri i Plakës”. Për këtë monument natyre me histori tragjike kam shkruar poezinë “Nuk na flet Guri i Plakës!”, të cilën e recitova në festival. Teksti i saj është: “U vure si roje mes dy malesh,/Ti,gur i strallit i lindur i flakës,/Me shekuj u quajte “Guri i Vashës”,/Tragjedi të bëri “Guri i Plakës”./Të na flisje apo të lejonte toka,/Do të na flisje për shumë epoka,/Por ti hesht se u linde memec,/ Siç ishe, ti mbete aq kryeneç!
Festivali
Kam aq shumë për të thënë për truallin tim të begatë dhe të florinjët të Drenicës, e mbi të gjitha për historitë legjendare popullore, për betejat për liri e çlirim, por tashmë kam rastin të përshkruaj paksa festivalin poetik, zhvillimin e tij plotë gjallëri, por edhe të prezantoj edhe disa nga pjesëmarrësit: Prof.dr.Mehmet Rukiqi, prof.dr.Jusuf Osmani, Izet Avduli, sekretar i Bibliotekës Kombëtare ”Pjetër Bogdani”, Prishtinë; Xheladin Mjeku, poet dhe studiues i njohur, Kosovë; poeti Agim Gashi; Rrajim M. Sadiku, Gani Bytyçi, Myrtez Zogu, Kosovë etj.; Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë; Fazli Gashi, kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” Ski, Norvegji, Shaqir Hasi ( udhëheqës i Shoqatës Kulturore “Shotë Galica”, Drenas; poetesha nga Durrësi, Merita Thartori (Kuçi), por dhe të tjerë poetë të talentuar, intelektualë të njohur, njerëz të mirë dhe të dashur, që sollën në këtë festival zemrat dhe shpirtin e tyre të malluar dhe të bukur, të përkushtuar ndaj atdheut tonë, vlerave kulturore, letrare, artistike e tradicionale.
Njëra poezi më e bukur se tjetra, festival i vërtetë i krijimeve frymëzuese, i njerëzve me shpirt të artë dhe të bukur. Lexuan tekstet e tyre poetike poetët: Merita Kuçi (Thartori), Diella Çitaku, Mirlinda Latifi, Ali Prebreza, Milazim Kajtazi, Hysen Greiqevci, Berat Baftiu, Shqipe Hasani, Selvete Abdullahu, Arbër Halilaj, Drita Syla, Kaltrina Uka, Elena Jashari, Erëza Karaçica,… Faleminderit organizatorëve, faleminderit pjesëmarrësve, faleminderit popullit të zonës për mikpritjen dhe respektin që treguan ndaj nesh…Shumë recitime, shumë ekspozime, shumë fjalë të bukura përshëndetëse, fjalë zemrash të njerëzve që frymëzohen dhe shprehin në shkrime zjarrin e zemrave të tyre. Faleminderit të gjithëve!
Ato fotografi aq të bukura, ato kujtime të çmuara për të gjithë pjesëmarrësit në festival, ato bashkëbiseda, dialogje; ata njerëz aq të dashur dhe të respektuar, miqësorë e vëllazërorë….Por dhe ajo ekspozitë e bukur e Kullës së Abdyl Agës, objekt i mbrojtur i trashgimisë kulturore, nga Xhemile Abdyli Nishori MKRS…Asgjë nga këto nuk harrohet….
Nga njoftimi i Jurisë së Festivalit
…Në konkursin e shpallur kohë më parë nga asociacioni “Rifat Kukaj” kanë arritur gjithsej 29 poezi. Në përgjithësi konkurruesit i janë përmbajtur kritereve të konkursit përjashtimisht tejkalimit të ndonjë shifre.
Juria mori në shqyrtim të barabartë të gjitha poezitë konkurruese.
Pas leximit, analizës dhe vlerësimit të poezive, juria në përbërje:
1.Mustafa O. Hoxha – kryetar
2.Xheladin Mjeku – anëtar dhe
3.Rrahim Sadiku – anëtar, veçoi për t`i shpërblyer tri poezitë konkurruese, të cilat shquhen për realizimin artistik, për figuracionin dhe tematikat që trajtojnë ato. Kështu, me aprovimin unanim të jurisë, juria vendosi të ndajë këto çmime:
-Çmimi i parë: Poezia “Gjuha e nënës” me shifër: Dashuria e ka emrin nënë, me autore Mirlinda Latifi.
-Çmimi i dytë: Poezia me titull: Poezia”, me shifër: Safo, me autor Ramë Oraca dhe
-Çmimi i tretë:”Tani ti je e largët” me shifër: 103, me autor Shpend Topollaj.
-Çmimi për vepër jetësore krijuesi i Diasporës Emine Hoti.
Falënderime pjesëmarrësve, urime fituesve e suksese Artclubit ”Rifat Kukaj” – Drenas!
Përshëndetje dhe urime për festivalin
Më gëzuan po aq shumë përshëndetjet që u bënë në këtë festival, së pari falënderoj z.Xheladin Mjeku, studiuesin e njour, i cili foli për jetën dhe veprat e mia, si në krijimtarinë artistike edhe në përgatitjen dhe qëndistarinë e veshjeve popullore. Falënderime m`u bënë nga pjesëmarrësit e shumtë, por dhe bashkëfshatarët dhe bashkëkombësit e mi me të cilët kalova fëmijërinë dhe rininë time. Të gjithë u bënë pjesë e gëzimit të përbashkët me pjesëmarrësit, por dhe me fituesit e çmimeve. Urimet erdhën nëpërmjet mesazheve në fb nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora shqiptare…Mikesha ime e rrallë, Liljana Kona nga Tirana, bashkëshorti i saj – shkrimtari i njohur Viron Kona, bija e tyre e çmuar gjeografja Amantja Kona, na uruan me gjithë zemër për zhvillimin e festivalit, kurse mua edhe për çmimin e veçantë që më dedikoi juria e festivalit. Kurse Rabije Ajazi – Bytyqi, më shkroi: “Jemi krenare për veprimtaritë tuaja”!
Çdo çast që po shkruaj, shoh sesi na përshëndetin nga e gjitha Kosova, nga gjithë trojet tona dhe nga Diaspora. Ne shqiptarëve na pëlqen poezia, shpirti ynë është poetik, i mbushur me dashur dhe frymëzim, sepse e duam jetën, e duam lirinë dhe demokracinë. Prandaj dhe trualli ynë ka bijë e bija nga më të rrallët në botë, me të cilët ne krenohemi: me Gjergj Kastriotin -Skënderbeun, heroin e madh të lirisë; me Nënë Terezën, humanisten më të madhe që njeh sot bota; Adem Jasharin, heroin vital që e shndërroi veten dhe familjen e tij në një flakadan lirie, në një kështjellë të pamposhtur e legjendare. E në vijim, na vijnë në kujtesë mijëra dëshmorë dhe heronj të betejave për liri e pavarësi. Shqiptarët, njerëz me zemër të madhe, kanë ditur edhe të luftojnë, edhe të dashurojnë, edhe të krijojnë.
Nderim festivalit të VI-të “Guri i Plakës”! Nderim emrit të poetit të paharruar Rifat Kukaj! Nderim fituesve të këtij festivali dhe të gjithë pjesëmarrësve! Faleminderit jurisë për vlerësimet si dhe mediave( e shkruar dhe televizive) që e pasqyruan bukur këtë eveniment të rëndësishëm poetik!
Mirutakofshim në festivale të tjera!